Nga Shlomo Ben-Ami
Lufta e Ftohtë ka marrë fund qëmoti, por rivaliteti i superfuqive është kthyer. Si rezultat i kësaj, kapaciteti i bashkësisë ndërkombëtare për t’u bashkuar përballë sfidave të mëdha globale mungon më shumë se kurrë. Kjo gjë nuk pasqyrohet askund më shumë sesa në rastin e Sirisë. Ajo që duhej të ishte përpjekje e koordinuar për mbrojtjen e civilëve nga represioni brutal dhe avancim i tranzicionit paqësor - gjëra që parashiheshin me planin e përgatitur nga ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan - tani ka degjeneruar në një luftë indirekte midis SHBA-së dhe Rusisë. Liderët e Rusisë (dhe të Kinës) po mundohen që ta ruajnë një sistem ndërkombëtar që mbështetet në sovranitetin e plotë dhe hedh poshtë ndërhyrjen e inspiruar nga Perëndimi në emër të së drejtës humanitare. Të shqetësuar se rebelimet arabe do të radikalizojnë minoritetet e tyre të shtypura, ata refuzojnë të lejojnë që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të përdoret për promovimin e ndryshimeve revolucionare në botën arabe. Dhe Siria, baza e fundit ruse e Luftës së Ftohtë, është aset të cilin Kremlini do të mundohet ta mbajë me çdo kusht. Por Rusia dhe Kina nuk janë i vetmi problem. Demokracitë e mëdha në lulëzim, si Brazili, India dhe Afrika Jugore, kanë qenë zhgënjim i jashtëzakonshëm në mënyrën se si reaguan ndaj Pranverës Arabe. Që të gjitha janë mbrojtëse të jashtëzakonshme të të drejtave të njeriut kur është në pyetje ndonjë sulm mbrojtës izraelit në Gazë, duke e quajtur “gjenocid”, por janë të bashkuara në kundërshtimin e veprimit të Këshillit të Sigurimit në Siri, ndonëse represioni atje ka marrë përmasa të mëdha. Kryengritjet arabe ose u përplasën me përkushtimin e tyre për pacenueshmërinë e sovranitetit shtetëror, ose nxitën frikë tek to se “ndërhyrja humanitare” thjesht do të ishte një mjet tjetër i dominimit verior.
Reagimi i Perëndimit ka qenë shumë më përkrahës ndaj aspiratave arabe, por në të njëjtën kohë ka qenë kundërthënës dhe i çorientuar. Për vite të tëra, si SHBA-ja dhe Evropa kanë qenë pjesë e një hipokrizie politike, duke predikuar ndryshime demokratike, por duke mbështetur në të njëjtën kohë tiranët arabë. Për këtë arsye nuk është befasi se ato kanë mbetur pa mjete për t’u përballur me revolucionet arabe. Në të vërtetë, pothuajse gjatë tërë kohës sa po zgjat Pranvera Arabe, askush nuk ka qenë në gjendje të dallojë një strategji koherente perëndimore për adresimin e sfidave dhe paqartësive të shumta të saj. Secili rast ka nxitur reagim tjetër fare, ose si rezultat i kufizimeve të politikës ndërkombëtare, siç është tani rasti me Sirinë, ose si rezultat i aspekteve ekonomike dhe strategjike, si në rastin e Arabisë Saudite dhe Bahrejnit. SHBA-ja, në anën e saj, nuk hoqi dorë menjëherë nga aleatët e saj autoritarë, si Hosni Mubaraku i Egjiptit dhe Zine el Abidine Ben Ali i Tunizisë. Po të kishin qenë ata më të shpejtë dhe më efektivë në shtypjen e protestave masive, mbase do të kishin qenë në pushtet edhe sot – me bekimin e Amerikës. SHBA-ja u kthye kundër tyre, jo për shkak se ishin autokratë, por për shkak se ishin autokratë joefektivë.
Ndërkohë Evropa e gjen veten të paralizuar nga një krizë financiare, e cila është duke e kërcënuar vetë ekzistencën e Bashkimit Evropian. Mjetet tradicionale evropiane të politikës së jashtme – “promovimi i shoqërisë civile” dhe “inkurajimi i tregtisë” – nuk mund të bëhen zëvendësim i një strategjie në garën e re për ndikim në Mesdhe. Megjithatë, Evropa ka dalë të jetë tejet e paaftë për përgatitjen e një reagimi adekuat ndaj kushteve në të cilat regjimet islamike janë duke formësuar prioritetet e tyre në mënyrë të pavarur, derisa aktorët e jashtëm – Katari, Arabia Saudite, Turqia, Rusia, Kina e mbase edhe Irani – po synojnë ndikim me një përzierje të jashtëzakonshme të ndihmës financiare dhe fuqisë politike. Evropa nuk mund t’ia lejojë vetes të mbetet anash. Operacioni i NATO-s në Libi, “Mbrojtësi i Bashkuar” ishte një sukses i madh për aleancën, por vendimi i Amerikës për ta lënë Evropën ta marrë rolin kryesor po ashtu sinjalizoi synimin e saj për “ribalancimin” e prioriteteve globale. Derisa SHBA-ja synon që ta largojë vëmendjen prej sferës evropiane të interesave vitale, Mesdheut dhe Lindjes së Mesme, duke u përqendruar tek Azia dhe Paqësori, atëherë nuk mund të pritet prej saj që të marrë nisma për zgjidhjen e krizave në fqinjësi të Evropës. Në të vërtetë, dizajnimet e mëdha për Lindjen e Mesme nuk janë më në agjendën e Amerikës. Që nga fitorja e saj në Luftën e Ftohtë, hegjemonia e Amerikës në Lindjen e Mesme ka qenë rrëfim i zemërimit dhe investimit të pashpërblyer me gjak, djersë dhe thesar. Tani pritet një përqendrim tek realizmi në politikën e jashtme dhe takimi kohë më parë i Hillary Clintonit me presidentin islamik të Egjiptit, Mohamed Morsi, është një indikacion i qartë i orientimit të ri të Amerikës. Implikimet e një ndryshimi të tillë janë largpërfshirëse. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, SHBA-ja e shikonte botën islame pothuajse në tërësi përmes prizmit të “luftës globale kundër terrorizmit”. Megjithatë, tani politikanët e pranojnë se ishte pikërisht këmbëngulja e autokracive sekulariste arabe ajo që inkurajoi terrorizmin islamik. Si rezultat i kësaj, premia kryesore e politikës aktuale amerikane është se humbja e besimit të islamikëve në procesin demokratik do të ketë pasoja negative dhe se kthimi i regjimeve të vjetra mund të kërcënojë interesat perëndimore më shumë sesa një qeveri e “Vëllazërisë myslimane”. Amerika tani është duke i ndërtuar me mençuri raportet me liderët e rinj islamikë, me shpresën se ata nuk do të rrezikojnë marrëveshjet paqësore rajonale, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja (Izrael-Jordani dhe Izrael-Egjipt) dhe nuk do të ndërhyjnë në nismën e Amerikës për pengimin e ambicieve bërthamore të Iranit. Realizimi i këtij misioni nuk është i lehtë. Trazirat në shoqëritë arabe pritet të vazhdojnë me vite të tëra, derisa fuqitë rajonale dhe botërore në lulëzim do ta shfrytëzojnë përçarjen e rendit ndërkombëtar për avancimin e interesave të tyre në rajon. Me Evropën në telashe dhe krizën bërthamore iraniane që ka mbetur pa zgjidhje diplomatike, realizmi i ri i politikës së jashtme amerikane mund të nënkuptojë se SHBA-ja në fund të fundit do të jetë e detyruar ta rishqyrtojë “strategjinë e ribalancimit”.
Autori është ministër i Jashtëm izraelit që iu afrua më së shumti përpilimit të një marrëveshjeje paqësore funksionale midis Izraelit dhe Palestinës. Marrë nga “Project Sindycate”






