Benzenberg rrëfen përrallën ballkanike në Shqipëri

Benzenberg rrëfen përrallën ballkanike në Shqipëri:
Muret e kalasë së Elbasanit, kalaja e pashait në Berat… janë këto disa nga dëshmitë e kulturës osmane në Shqipëri, të cilat fotografja Jutta Benzenberg i ka fiksuar me aparatin e saj fotografik, për t’ia bashkangjitur ekspozitës “A Balkan tale”, e cila këto ditë është hapur në qytetin e Kios në Greqi.
“A Balkan tale” ka për qëllim të stimulojë debatin publik mbi historinë e Ballkanit, për të treguar historinë e përbashkët, mbështetur në një bashkekzistencë etnike dhe fetare, por edhe për të sensibilizuar opinionin publik për mbrojtjen e kësaj trashëgimie kulturore. Në të paraqiten plot 50 fotografi monumentesh, të realizuara nga 5 fotografë të njohur, fitues çmimesh nga Athina, Beogradi, Prizreni, Shkupi e Tirana. Serbia përfaqësohet nga Ivan Petroviç, Greqia nga Kamilo Nollas, Maqedonia nga Ivan Blazhev, Kosova nga Samir Karahoda, ndërsa Shqipëria nga fotografja gjermane Jutta Benzenberg. U bënë vite tashmë që Benzenberg ( e veja e përkthyesit dhe publicistit Ardian Klosi) e ndan jetën e saj mes Gjermanisë e Shqipërisë. Kjo e ka ndihmuar të njohë jetën e shqiptarëve, karakterin e tyre, anët e ndritshme e të errëta, çka edhe i ka paraqitur në një sërë ekspozitash që ka hapur në Tiranë e jashtë vendit, me fotografi të realizuara në Shqipëri, qysh prej fillimviteve ’90. Së fundmi ajo është bërë pjesë e një projekti, i mbështetur nga Bashkimi Europian, që promovon trashëgiminë kulturore, bashkekzistencën etnike e fetare, duke u bazuar në kulturën osmane, e cila ende ruhet dhe është e dukshme përmes monumenteve të kulturës. Benzenberg paraqet dëshmitë e kësaj kulture në Shqipëri përmes fotosh të realizuara në disa qytete të Shqipërisë, ku ato janë edhe më të forta e ku ruhen më me fanatizëm. I tillë është qyteti i Beratit me ndërtesat karakteristike, të ndërtuara gjatë pushtimit osman në Shqipëri, apo Elbasani, me muret e kalasë që përshkojnë qytetin. Kjo trashëgimi është bërë tashmë pjesë e trashëgimisë rajonale. Kjo është dhe arsyeja pse kjo ekspozitë po shëtit gjithë rajonin ballkanik dhe në vjeshtë ajo pritet që të mbërrijë edhe në Shqipëri, ku si në destinacionet e mëparshme, do të hapet në ndonjë ndërtesë që i përket kulturës osmane.
EKSPOZITA
Ato duket sikur janë fotografuar në të njëjtin qytet. Ura me harqe, xhami që puthin qiellin, kala, hamame, banja turke, kisha e sinagoga me arkitekturë të ngjashme me ato të xhamive… Por në fakt janë fotografuar disa në Serbi, të tjera në Kosovë, në Athinë, në Shqipëri, në Maqedoni… të gjitha janë dëshmi të kulturës otomane, një kulture që sundoi për gati 5 shekuj në rajonin e Ballkanit dhe gjurma që do të linte në këtë rajon do të ishte e pashmangshme. Të gjitha këto janë përfshirë në atë që autorët e kanë quajtur “Një përrallë ballkanike” (“A Balkan tale”). Fotografitë e realizuara prej 5 fotografëve të ndryshëm janë të shoqëruara nga tekste, të hartuara nga një skuadër prej historianësh nga i gjithë rajoni, ndërsa ekspozimi i tyre shoqërohet nga një kalendar aktivitetesh, ku përfshihen programe edukative, vizita në monumente historike dhe konkurse fotografie për fëmijët e shkollave, por edhe për të rriturit. Pjesë interesante e këtij kalendari është edhe një dokumentar, i titulluar “The silent Balkans”, (“Ballkani i heshtur”). Një film 30 minutësh i mbështetur mbi të parat fotografi dhe xhirime filmike të realizuara na rajonin e Ballkanit. Me regji dhe skenar të Andreas Apostolidis, filmi eksploron jetën e njerëzve të thjeshtë në një periudhë ndryshimesh dramatike për Ballkanin e fillimshekullit XX. Ai përpiqet të shpjegojë se si bashkëjetesa etnike dhe religjioze e popujve të ndryshëm gjatë Perandorisë Osmane mori fund me ngjalljen e nacionalizimit dhe konflikteve, pas më shumë se 4 shekujve. Ekspozita në qytetin grek të Kios është hapur në Banjën Osmane, në kështjellë dhe do të qëndrojë e hapur deri në datën 14 gusht. Më parë “Përralla ballkanike” ka kaluar nga Muzeu i Beogradit, Konak Kneginje Ljubice në muajin qershor, një devijim në Berlin, për të ndaluar në Hamamin e Mehmet Pashës në Prizren, Pazarin e Vjetër në Shkup (Kurshumli), xhaminë e Selanikut, Shtëpinë e Erërave në Athinë (Muzeu i artit popullor).
Mundësuar nga instituti “Gëte”
Ekspozita “A Balkan tale” dhe gjithë aktivitetet që e shoqërojnë rrugëtimin e saj nëpër rajonin Ballkanit është mundësuar nga Instituti “Gëte” (Goethe Institute). Ky institut ka degët e tij edhe në vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Tiranën. Pranë këtij të fundit ka punuar për vite me radhë edhe përkthyesi Ardian Klosi, i cili i dha fund jetës në mënyrë tragjike në prill të këtij viti. Përfaqësuesit e “Gëtes” në Tiranë nuk u treguan aq mirëkuptues ndaj problemeve që Klosi kishte manifestuar së fundmi, duke e pushuar atë nga puna. Sipas miqve të afërt të Klosit, kjo ishte edhe një nga arsyet që e shtynë atë drejt vetëvrasjes. Ndërkohë e veja e Klosit, fotografja Jutta Bezenberg, vijon bashkëpunimin me institutin “Gëte”, i cili duhet thënë se kishte nisur shumë kohë më parë se të ndodhte fatkeqësia.
ALMA MILE