Shkrimtarja franceze: Sekretet që më ka rrëfyer Mbretëresha Geraldinë

Shkrimtarja franceze: Sekretet që më ka rrëfyer Mbretëresha Geraldinë:

Shkrimtarja franceze Josephine Dedet
Një botim francez i muajve të fundit nxjerr në dritë detaje të reja mbi jetën e të parës Mbretëreshë të shqiptarëve, Geraldina. Josephine Dedet është shkrimtarja franceze e cila vendosi të ribotojë librin e saj me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, duke e pasuruar me kapituj shtesë, të pathëna interesante nga fëmijëria e Mbretëreshës, njohja me mbretin Zog, 60 vitet në ekzil, deri te pasionet e veçanta sportive…
Për të, qysh në fëmijërinë e hershme, figura e Mbretëreshës Geraldinë përbënte një ngasje, njëherësh edhe kuriozitet të ngjashëm me ato marrosjet e vegjëlisë pas përrallave me princër e princesha. Ndërsa vite më vonë, miqësia dhe njohja e afërt me familjen mbretërore të Geraldina Apponyi-s i shërbyen për të krijuar kontaktet e para. Shkrimtarja franceze, Josephine Dedet, vendosi të ribotojë për të dytën herë librin e saj “Geraldina, Mbretëresha e shqiptarëve”, në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit Shqiptar, duke e prezantuar figurën e Mbretëreshës së parë të shqiptarëve në sytë e lexuesve anekënd botës, ashtu siç ajo e ka njohur. Fakte të reja interesante dalin në dritë, përmes kapitujve të këtij botimi letrar, duke zbuluar anët e panjohura të jetës së Mbretëreshës. Si u dashurua vajza 22-vjeçare me Mbretin Zog, ndërsa ky i fundit e kishte pëlqyer fillimisht përmes fotografive që i kishin rënë në dorë. Ftesa për të vizituar Shqipërinë do të ndryshonte kryekëput rrjedhën e jetës dhe fatit të Geraldinës. Sundimi i monarkisë së Zogut do të ishte afatshkurtër, ndërsa arratisja me djalin e sapolindur, dhe 60 vitet në ekzil do të ishin më të vështirat për Mbretëreshën Geraldinë dhe familjen e saj. Në librin e shkrimtares franceze, zbulohen për herë të parë edhe fletë nga ditari i të vëllait të Geraldinës, i cili e kish takuar të motrën gjatë momenteve të arratisjes në gjendje të mjerueshme shëndetësore e në prag të vdekjes. Josephine Dedet, në këtë rrëfim të veçantë për suplementin “Unë Gruaja”, sjell copëza nga jeta “aventureske” e Mbretëreshës së parë të shqiptarëve.
Si ju lindi ideja e të shkruarit të një libri për Mbretëreshën e shqiptarëve, Geraldinën?

Kopertina e librit me titull “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve”
Biografia ime e parë “Geraldina, Mbretëresha e shqiptarëve” është botuar për herë të parë në Francë në vitin 1997. Disa muaj më vonë, libri u botua në mënyrë të paligjshme dhe, ç’është më e keqja, ishte përkthyer në shqip në një mënyrë aspak korrekte. Në shkurt të këtij viti vendosa ta ribotoj këtë libër për të dytën herë, por në një version të ri, të pasuruar me dëshmi të reja, foto e dokumente interesante, për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në kujtim të Mbretëreshës, e cila vdiq 10 vjet më parë në Tiranë, midis jush, popullit shqiptar, të cilin ajo e donte aq shumë dhe që ajo i kushtoi tërë jetën e saj. Vendosa ta rishkruaj sërish këtë libër për tri motive kryesore. Së pari, sepse një krijim letrar si i imi nuk është realizuar kurrë më parë, ndërsa unë pata shansin që ta takoja nga afër Mbretëreshën Geraldinë dhe të kisha dëshmitë e saj. Së dyti, Mbretëresha Geraldina gjithnjë më ngjallte kuriozitet, si një njeri me karakter të veçantë. Karizma e saj, mirësia dhe dashuria e thellë për një vend tjetër, që nuk ishte Hungaria, vendlindja e saj, më prekën shumë. Dhe së treti, si një shkrimtare dhe historiane, kam gjetur shumë frymëzim në figurën e Mbretëreshës Geraldinë. Jeta e saj ishte sa e bukur, aq edhe tragjike. Për më tepër, ajo ishte e lidhur ngushtë dhe e gërshetuar me historinë europiane të shek XX. Kjo lidhje mes jetës së saj personale dhe fatit të Europës më ka interesuar edhe më shumë.

Për një lexues të ri, si do ta përshkruanit figurën e Mbretëreshës Geraldinë?

Geraldina ishte e bija e një trashëgimtareje të pasur amerikane (por të shkatërruar keq) dhe e një fisniku hungarez. Ajo ishte magjepsëse dhe moderne, praktikonte të gjitha llojet e sportit, dhe në të njëjtën kohë kishte prejardhje aristokrate e lidhje familjare me pothuajse të gjitha shtëpitë europiane mbretërore. U rrit mes Hungarisë, Austrisë dhe Francës (kur nëna e saj e mbetur vejushë u rimartua). Geraldina punonte në një muze për të kursyer para, kur në dhjetorin e vitit 1937 krejt papritur ajo u ftua nga Mbreti Zog për të vizituar Shqipërinë, ndërkohë që ky i fundit ishte ende beqar dhe në kërkim të gruas së jetës. Ky udhëtim ndryshoi fatin e saj. Ajo ra në dashuri në shikim të parë me njeriun dhe vendin. Është interesant fakti se Geraldina ka qenë gjithmonë në qendër të historisë europiane: gjatë ngritjes së fashizmit, pastaj në Francë dhe në Angli gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Egjipt deri sa Mbreti Faruk u rrëzua nga froni dhe gjatë Luftës së Ftohtë, e cila i shkaktoi asaj shumë vuajte sepse dy mbretëritë e saj, Shqipëria, dhe toka e lindjes Hungaria, ishin nën sundimin komunist. Së fundi, ajo përjetoi gëzimin më të madh të jetës në vitin 2002, kur pas 60 viteve mërgim, u lejua të kthehet në Shqipëri. Duke vepruar kështu, ajo plotësoi dëshirën e saj dhe ëndrrën e të shoqit. Një natë para se të vdiste (në vitin 1961), Mbreti Zog kishte parë Geraldinën në një anije, duke arritur në portin detar të Durrësit. Dukej një zonjë e vjetër, por ende e bukur.

Përveç interesit ngushtësisht profesional, ka ndonjë nxitje tjetër të jashtme për t’u marrë me figurën e saj?

Geraldina, ditën e martesës së të motrës, konteshës Virginia Apponyi. Kjo është një nga fotot që iu prezantua mbretit Zog, ndërsa ai ishte në kërkim të bashkëshortes së ardhshme
Kisha dëgjuar për Mbretëreshën Geraldinë që në fëmijërinë time. Prindërit e mi ishin miq të ngushtë me gjysmë vëllain francez të saj, Guy Girault, ndërsa unë kam mundur të takoj motrën e saj hungareze, konteshën Virginia Apponyi. Kur isha ende e vogël, historia e saj më ngjante me një përrallë. Por më vonë, kur studiova Shkenca Politike dhe Histori, u bëra e vetëdijshme se jeta e saj dhe historia e Shqipërisë përbënin një temë të jashtëzakonshme studimore. Në sajë të ndihmesës që i vëllai më ofroi, unë munda t’i shkruaj një letër Mbretëreshës Geraldinë, duke i kërkuar të më jepte disa dëshmi personale të sajat, dhe në momentin që pranoi ftesën time për të bashkëpunuar, fillova menjëherë të shkruaj librin. Gjatë një viti kemi shkëmbyer dhjetëra e dhjetëra letra rreth historisë së familjes së saj, fëmijërisë dhe viteve të rinisë, si e kishte takuar ajo Mbretin Zog, sundimin njëvjeçar mbretëror, si u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitin 1939 dhe 60 vitet në ekzil. Pastaj, në vitin 1996, e vizitova Mbretëreshën aty ku jetonte, në Afrikën e Jugut. Ajo më dha të gjitha dokumentet që kishte duke më hapur zemrën, ndërsa asnjëherë nuk më kërkoi që t’i hidhte një sy librit përpara se ai të botohej. Në fund, kur Geraldina lexoi librin, nuk ndryshoi as edhe një fjalë të vetme në të. Ato letra, dëshmi dhe dokumente të saj ishin ushqim për librin tim.

Për çfarë lloj dëshmish bëhet fjalë?

Mbretëresha Geraldinë më vuri në dispozicion të gjithë informacionin e nevojshëm për librin tim. E motra, kontesha Virginia Apponyi, gjysmëvëllai francez Guy Girault dhe nipi i Mbretit Zog, Skënder Zogu, gjithashtu shumë pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore dhe miq të ngushtë të Geraldinës më ofruan shumë të dhëna interesante për fëmijërinë dhe jetën e Mbretëreshës. Unë kam përdorur edhe burime të tjera të pavarura, shumë libra dhe të dhëna nga dëshmitarë konkretë. Jam e lumtur që kam mundur të përdor dhe të ruaj gjithë këto informacione dhe foto, që mund edhe të ishin zhdukur përgjithmonë.

Për familjen mbretërore e në veçanti për Mbretëreshën, është shkruar edhe më parë; Ç’sillni ju të re apo të panjohur nga jeta e saj në këtë botim?

Cermonia martesore e Geraldinës me mbretin Zog, në 27 prill 1938
Këto detaje të reja kanë të bëjnë kryesisht me rrethanat e jetesës së Geraldinës në Budapest (Hungari), gjatë periudhës kur ajo u ftua në Shqipëri nga Mbreti Zog. Shumë informacione false janë shkruar nga media në periudhën kohore të viteve 1937-1938. Realisht, shumë pak njerëz e dinin çfarë po ndodhte në të vërtetë. Për shembull, nëna e Geraldinës kishte mësuar për udhëtimin e së bijës, vetëm pasi kjo e fundit kishte pranuar të martohej me Mbretin Zog. Ndërsa, babai i saj kishte vdekur, xhaxhallarët hungarezë të Geraldinës kishin marrë vendimin për ta dërguar mbesën e tyre në Shqipëri, por në një mënyrë shumë të fshehtë për të shmangur thashethemet, apo faktin se njerëzit mund të mos e vlerësonin Mbretin Zog dhe vendlindjen e tij. Dëshmitarja kryesore e këtyre ngjarjeve ishte një grua franceze, e cila në vitin 1930 ishte e punësuar në një kompani prodhimi traktorësh me qendër në Vjenë, dhe në përpjekje për të bërë biznes me Shqipërinë ajo ishte njohur me Mbretin Zog, i cili ishte i interesuar për të përmirësuar sektorin e bujqësisë përmes këtyre mjeteve, njëherësh edhe për të zhdukur malarien. Kjo grua ishte mësuese e një gjenerali hungarez të quajtur Miklos Ghyczy, i cili e dërgoi zonjën me mision diplomatik në Shqipëri në vitin 1920, dhe aq shumë e pëlqeu zonja këtë vend, sa u dashurua marrëzisht pas Shqipërisë. Ky gjeneral njihte familjen hungareze të Geraldinës, gjithashtu edhe Mbretin Zog. Por, ai e dinte se ky i fundit dëshironte të martohej me një grua austriake ose hungareze (Mbreti nuk e donte martesën me një femër italiane apo jugosllave, për të shmangur gjithashtu edhe ndikimin e këtyre regjimeve në vendin e tij). Por gjenerali Ghyczy i tregoi Mbretit një album me fotografi të Geraldina Apponyi. Kur u njohën nga afër, Mbreti Zog ishte tërhequr pas bukurisë së saj, zgjuarsisë dhe pamjes së kuruar. Kjo ishte arsyeja pse ai vendosi ta ftonte atë në Shqipëri. Fakte të tjera interesante mbështeten në ditarin e të vëllait të Mbretëreshës

Mbretëresha Geraldina dhe mbreti Zog në Stokholm, Suedi, 1939
Geraldinë, duke shpjeguar detaje mbi fluturimin e familjes mbretërore nga Shqipëria në Greqi. Unë kam shtuar edhe një kapitull, që ka të bëjë me vitet e fundit të Mbretëreshës dhe ndjenjat e saj vetëm pak para se të vinte në Shqipëri, pas 60 viteve mërgim. Kam botuar në libër një pjesë të letrës që ajo më shkroi, kur sapo kishte mësuar se mund të vinte përsëri në Shqipëri dhe askush nuk dinte asgjë mbi këtë detaj ende. Mendova se ishte e rëndësishme për shqiptarët të dinin se cilat ishin ndjesitë e Geraldinës në këtë moment të veçantë. Ajo ishte aq e lumtur që do të shihte këtë vend para vdekjes së saj, pas kaq shumë vitesh. Gjithnjë kishte marrë në konsideratë faktin se shqiptarët i kishin dhënë një nder të madh në pranimin e saj si Mbretëresha e tyre.

Përveç viteve të zgjatura në ekzil, cilat kanë qenë momentet e tjera të vështira në jetën e Mbretëreshës Geraldinë?

Gjithmonë më shprehte se nuk do kish dashur të jetonte një jetë aq aventureske. Por, ajo e bëri këtë me një kurajë të madhe. Ndër momentet e vështira të jetës për të ka qenë edhe pushtimi italian, pasi ajo nuk donte të largohej nga Shqipëria (sapo kish lindur fëmijën e parë, por nuk kish zgjidhje tjetër), sëmundja e zgjatur në kohë e të shoqit e vdekja e tij dhe fati i dy vendeve me të cilat ajo ishte ngushtësisht e lidhur e që vuajtën nga regjimet komuniste, Shqipëria dhe Hungaria.

Po në këndvështrimin letrar në lidhje me Mbretëreshën Geraldinë, si e sillni ju atë në sytë e lexuesve anembanë botës?

Unë e kam përshkuar atë ashtu siç ishte. Një grua plot dinjitet, shumë e thjeshtë në të njëjtën kohë, plot dashuri për burrin e saj dhe për Shqipërinë dhe gjithmonë e kujdesshme për të tjerët. Kur ajo zbuloi Shqipërinë në vitin 1937, ishte vetëm 22 vjeçe, por një vajzë vërtet e pjekur. Menjëherë mësoi historinë e shqiptarëve, gjuhën dhe zakonet e tyre. Gjatë periudhës njëvjeçare të mbretërimit dhe 60 vitet në arrati, ajo i kushtoi gjithë kohën, lutjet dhe shpresat për Shqipërinë. Geraldina donte ta shihte përsëri këtë vend para vdekjes së saj. Gjithnjë thoshte, “Unë do të vdes në Shqipëri si një shqiptare, në mesin e popullit shqiptar”. Dhe ajo e bëri këtë.

Ju thatë që e keni takuar nga afër Mbretëreshën Geraldinë. Mund të na rrëfeni ndonjë detaj nga ky takim?

Familja mbretërore dhe djali i tyre, princ Leka në Egjipt, viti 1947
Takimi ynë në Afrikën e Jugut ishte shumë i ngrohtë. Ne kishim shkëmbyer letra për një vit rresht para këtij takimi, kështu që kishim mundur ta njihnim njëra-tjetrën përmes atyre shkronjave. Mbretëresha Geraldinë më priti bashkë me të motrën, Virxhinia. Vura re se të dyjave u mungonte shumë Europa. Ndërkohë që ditët i kalonin duke lexuar libra, duke u shkruar letra miqve dhe gjithë njerëzve të tyre të dashur, në shtatë ose tetë gjuhë të ndryshme të botës.

Çfarë ju shprehu Mbretëresha Geraldinë për Mbretin Zog, për njohjen me njëri-tjetrin, dashurinë e tyre?

Ajo ishte thellësisht e dashuruar me Mbretin Zog, edhe shumë vite pas vdekjes së tij. Çdo herë që ajo fliste për të, sytë i vetëtinin, ndërsa zëri i mbushej me emocion. Ajo mendonte se i shoqi ishte një burrë i lartë shteti, ndërsa në jetën private, një zotëri i vërtetë. Më shumë se 20 vjet pas vdekjes së tij, ajo ende nuk mund të mbante dhimbjen e humbjes së të shoqit. Unë mendoj se ishte ende duke jetuar me të përmes lutjeve. Geraldina ishte një grua shumë fetare (e besimit katolik, por me shumë respekt edhe ndaj besimeve të tjera fetare). Shpirti i saj ishte e bukur, dhe populli e ndjeu këtë. Kjo shpjegon pse të gjithë e respektonin, madje edhe njerëzit që ishin kundër regjimit të Mbretit Zog. Ashtu siç Ismail Kadare e ripozicionon figurën e saj pas Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se edhe komunistët nuk guxojnë të thonë një fjalë kundër saj, ndërsa në të njëjtën kohë ata tregoheshin aq ofendues me Mbretin Zog.

Një risi që ju sillni në libër, janë edhe ditarët sekretë të vëllait të Geraldinës. Çfarë shkruhet në ta?

Mbretëresha Geraldina, motra e saj kontesha Virginia Apponyi, dhe shkrimtarja Josephine Dedet, dalë në Afrikën e Jugut, në vitin 1996
Falë një lexuesi francez (i cili kishte lexuar versionin e parë të librit në vitin 1997), munda ta kem akses në ditarin e shkruar nga Gyula Apponyi, vëllai i Mbretëreshës. Në vitin 1939, ky djalë ishte vetëm 14 vjeç dhe studionte në një lice francez në Korçë. Kur trupat italianë pushtuan Shqipërinë, ai ishte në qytet. Në ditarin e tij ai përshkruan këto ditë tragjike, dhe si ishte i detyruar të ikte nga vendi. Kur ai gjeti motrën e tij dhe familjen mbretërore pranë kufirit grek, zbulon se Mbretëresha, e cila kishte sjellë në jetën princin Leka, të birin e saj, ishte afër vdekjes, por edhe e detyruar të arratisej nga Shqipëria në kushte tragjike.

Po pasionet e veçanta të Mbretëreshës cilat ishin?

Ajo pëlqente shumë leximin, kryesisht të romaneve apo botimeve historike. I pëlqente të lexonte në disa gjuhë të botës, pasi ajo fliste në mënyrë të rrjedhshme anglisht, gjermanisht, hungarisht, frëngjisht, spanjisht, italisht dhe sigurisht shqip. Geraldina preferonte shumë praktikimin e sporteve: që nga fëmijëria ajo kishte praktikuar shumë disiplina të tilla, duke përfshirë notin, basketbollin, tenisin, ski, hipizmin. Gjatë rinisë pëlqente shumë vallëzimin dhe shkonte nëpër ballot që zhvilloheshin në Vjenë apo Budapest. Mbreti Zog ishte gjithashtu një kërcimtar shumë i mirë i tangos, por çifti mbretëror e pushoi pasionin për kërcimin gjatë viteve të mërgimit. Ata nuk e gëzuan njëri-tjetrin aq sa duhej, ndërkohë që Europa ishte në luftë dhe Shqipëria nën ndikimin e regjimit italian fashist e atij komunist.

A keni marrë ndonjë përshtypje për librin tuaj nga princ Leka në Tiranë?

E kam takuar princin Leka vetëm një herë, në Paris, për fejesën e tij. I kam dërguar librin tim në Tiranë dhe ai më ka falënderuar për këtë botim timin. Unë vlerësoj interesin e tij për rrënjët e tij familjare dhe historinë shqiptare. Ndërsa princ Leka nuk flet frëngjisht, e fejuara Elia Zaharia kam përshtypjen që do t’i përkthejë aspektet dhe kapitujt kryesorë të librit.

Po personalitete të tjera shqiptare që jetonte mes Francës dhe Shqipërisë, a kanë shfaqur interes për këtë libër që para pak kohësh u prezantua edhe në panairin internacional të librit të zhvilluar në Paris?

Po, një prej këtyre personaliteteve që e kam takuar më herët, është shkrimtari Ismail Kadare, me të shoqen Helenën. I kam takuar të dy për herë të parë në vitin 1997, kur libri u botua për herë të parë. Të dy e vlerësuan shumë këtë botim, dhe për mua ky ishte një nder. Siç e dini, ata gjithnjë kanë shfaqur interes dhe respekt të madh kundrejt figurës së Mbretëreshës Geraldinë.

Do të vijë ky libër edhe në shqip?

Takimi me Mbretëreshën më bëri më të lumtur dhe për mua ishte një përvojë e madhe. Por, besoj se gjëja më e rëndësishme është mënyra se si njerëzit do ta njohin atë, përmes këtij libri, ashtu siç ishte Mbretëresha Geraldinë në të vërtetë. Një zonjë e madhe.  Shpresoj që një ditë, libri im të përkthehet në anglisht dhe në një gjuhë shqipe të pasur e korrekte.
Krijimtaria letrare e shkrimtares Josephine Dedet

Biografia e Geraldinës, “Mbretëresha e Shqiptarëve” (1997 dhe 2012) është libri i parë që ka shkruar. Libri i dytë quhet “Roksana e verbuar”, dhe subjekti i librit ka lidhje me gruan persiane të Aleksandrit të Madh. Dihen shumë pak gjëra mbi jetën e saj, kësisoj Josephine Dedet rikrijoi karakteret, duke përdorur sfondin historik të pushtimeve të Aleksandrit. Ky roman është përkthyer në disa gjuhë, duke përfshirë spanjisht, turqisht dhe ka pasur sukses të madh. Libri i tretë, “Burri që do të dashuroni, për t’a urryer” është botuar në vitin 2010, është gjithashtu një roman. Ngjarjet janë më tepër pjellë e fantazisë dhe zhvillohen në Hollywood-in e vitit 1930. Aty përfshihen tri karaktere kryesore: krijuesi i famshëm i filmave Erich von Stroheim, aktorja bukuroshe Gloria Swanson dhe dashnori i saj, biznesmeni Jo Kennedy (babai i presidentit të ardhshëm të Amerikës, John F. Kennedy). Aktualisht, autorja është duke punuar mbi një roman të ri, por është ende herët për të folur për të…
ERMIRA ISUFAJ