Rinisin opsionet për daljen e Greqisë nga Euro

Rinisin opsionet për daljen e Greqisë nga Euro:

Gjermanët deklarojnë se nuk do të tolerojnë vonesa në përmbushjen e kushteve të ndihmës financiare

Zyrtarë nga trojka e huadhënësve ndërkombëtarë janë rikthyer sërish në Athinë, ndërkohë që qeveria po përpiqet me të gjitha mënyrat për të ulur edhe më shumë shpenzimet, në mënyrë që të vazhdojë që të përfitojë ndihmën financiare të paketës së FMN-së, BE-së dhe Bankës Qendrore Europiane. Qeveria greke është disa muaj pas në realizimin e premtimeve të saj në këmbim të parave. Kjo sepse shkurtimet financiare dhe privatizimet e parashikuara nuk kanë ndodhur në kohën e duhur dhe kjo do të thotë që nuk janë përmbushur gjërat siç duhej. Auditët nga treshja e institucioneve financiare që i kanë dhënë Greqisë paketën e fundit të ndihmës financiare do të hartojnë në mbyllje të vizitës në Athinë një raport për avancimin e Greqisë dhe në lidhje me paktin nëse do ta marrë, apo jo, Greqia transhin e radhës prej 31.5 miliardësh i parashikuar në muajin shtator. Pa këto para, autoritetet greke nuk do të kenë mundësi që të paguajnë pjesën e borxhit të madh që i kanë Bankës Qendrore të Eurozonës, si dhe të paguajnë rrogat dhe pensionet e punonjësve shtetërorë në muajt në vijim.
Ministri grek i Zhvillimit paralajmëroi një ditë më parë se dy muajt e ardhshëm janë “më kritikët me të cilët është përballur Greqia dhe se vendi është në një situatë emergjence”. “Nëse qeveria aktuale do të dështojë, qeveria që do të vijë pas saj do të operojë nën monedhën e dhrahmisë”. Qeveria, që drejtohet nga lideri konservator, Antonis Samaras, u krijua pas një krize të thellë. Ajo ishte qeveria e parë që u formua në vendin e përfshirë nga kriza pas dy zgjedhjesh të njëpasnjëshme. Qëllimi i saj ishte ai i vazhdimit të reformave, në mënyrë që Greqia të qëndrojë në Eurozonë. Por ndërkohë, vetë Samaras është shtruar në spital për të operuar njërin sy. Edhe i zgjedhuri i tij për ta zëvendësuar në postin e Kryeministrit, ministri aktual i Financave nuk pranoi që të drejtonte vendin, për shkak të problemeve shëndetësore. Ky i fundit, një ekonomist i shkolluar në Oksford, nuk ka arritur që të përmbushë detyrimin për të kursyer deri në këtë periudhë 11 miliardë euro, por ka arritur që të mbledhë vetëm 8 miliardë. Fillimisht qeveria e Samaras kishte shpresuar që të negocionte me vendet që i dhanë paratë, një shtyrje të mundshme të afatit të realizimit të kursimeve. Madje, partitë që përbëjnë këtë qeveri, dhanë premtimin para popullit se, me të ardhur në pushtet, do të kërkonin rinegocimin e kushteve të marrëveshjes së ndihmës financiare. Por kjo nuk ndodhi dhe tani duket se, nëse Greqia nuk do të arrijë që të kursejë shumën e parashikuar, mund të mos marrë transhin e radhës. Ministri i Financave deklaroi se shpresonte në një raport tolerant të trojkës, por nuk dihet nëse do të ndodhë një gjë e tillë.
Ndërkaq, fundjavën e kaluar, tre ministra gjermanë kanë paralajmëruar se Greqia duhet që të realizojë premtimin brenda afatit që i është vënë. Greqia i ka kërkuar kushtet lehtësuese duke u nisur nga precedenti i Spanjës. Asaj i janë vënë kushte më lehtësuese, për shkak se rasti i saj është më pak i vështirë se ai i Greqisë. Madje, ministri gjerman i Ekonomisë, në paralajmërimin e tij, nuk hezitoi që të përmendë sërish dhe skenarin e daljes së Greqisë nga Eurozona. “Me sapo duket, Greqia nuk ka aftësi që të përmbushë kushtet e vëna në kohën e duhur dhe nëse Greqia nuk do ta bëjë këtë, atëherë nuk do të ketë më pagesa, ka deklaruar ai për televizionin ARD. Edhe ministri i Jashtëm gjerman, në një intervistë, tha se partia e tij nuk do ta toleronte kurrë një përmirësim të kushteve të kredisë me grekët. Edhe revista gjermane “Der Spiegel” deklaroi se ka mundësi që FMN të tërhiqet nga çdo pagesë tjetër ndaj Greqisë.
Rinisin opsionet për daljen e Greqisë nga Euro burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip