Tiranë, ish-mësuesja e sekseri, qytetarit: Zgjidh degën që do.
Një ish-mësuese dhe një i akuzuar si sekser i saj janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga Gjykata e Tiranës, pasi i kanë kërkuar një shtetasi 12 mijë euro për një diplomë të shkollës së lartë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, shpallur pak ditë më parë, shtetasja Hajrie Hanelli dhe Vani Nicka janë dënuar me nga 4 (katër) muaj burgim e 333.333 lekë gjobë për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Historia, e cila në vetvete duket se përmbledh fenomenin që ndodh me blerjen e diplomave të shkollës së lartë në vend, ka ndodhur në shkurt të 2011-s. I interesuari për diplomën pyetet nga sekserët se në cilën degë e kërkon diplomën, pasi mund t’ia sigurojnë atë sipas dëshirës, ndërsa kushti i vetëm që duhet të plotësojë, është që të sqarojë mirë datën kur ka mbaruar gjimnazin, në mënyrë që diploma e shkollës së lartë të mos jetë me një datë më para se ajo e shkollës së mesme! Hetimet për ngjarjen kanë nisur më 8 shkurt 2011 mbi bazën e denoncimit të qytetarit që nuk e ka marrë diplomën, pasi ka mësuar se sekserët nuk i kishin dhënë zyrtarëve një pjesë të parave që ai pagoi paraprakisht.
Denoncuesi ka mësuar se Hajrie Hanelli ka punuar si mësuese në një shkollë në periferi të Tiranës dhe i ka thënë se kishte njohje me një drejtor shkolle, tek i cili mund të siguronte diploma të rregullta të shkollës së mesme, megjithëse personi i interesuar nuk bënte asnjë ditë shkollë. Ajo i ka thënë që dhënia e diplomës realizohej kundrejt pagimit të shumës prej 6000 eurosh. Veç sa më lart, e pandehura Hajrie i ka thënë kallëzuesit që mund të siguronte edhe diploma të shkollës së lartë, kundrejt shumës prej 12.000 eurosh. Pasi regjistroi hetimin, Prokuroria autorizoi përgjimin e komunikimeve mes sekserëve dhe qytetarit të interesuar.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 14.02.2011 midis kallëzuesit Xh.G dhe Hajrie Hanellit, kjo i thotë personit: “Fola me atë (personi që do t’i bëjë diplomën), tani do iki në Greqi, por do ta bëj atë (diplomën) të lartën, nuk e di ku do ta nxjerr, në shtet apo privat”. Kur kallëzuesi e pyet për çmimin, shtetasja Hajrie i thotë “Aq sa të kam thënë 12 (dymbëdhjetë), por do mundohemi t’i bëjmë ulje, por personi i do lekët në gjendje dhe unë i thashë qe do m’i lërë mua t’i mbaj”. Kallëzuesi i thotë “Po t’u nevojit, deri në 50.000 lekë të rinj ia jap unë si një lloj garancie”. Më pas, kallëzuesi i thotë që unë 12.000 euro i kam gati, i ngrijmë në bankë me të drejtë tërheqjeje kur të jemi të dy, por bashkëbiseduesja Hajrie këmbëngul “I mbaj unë eurot pasi jam nga ana jote. Ai po e bëri e bën brenda javës, s’ka nevojë as për arkë, brenda javës e bëjnë këta”. Më pas, Hajria e pyet kallëzuesin “Të pëlqen Ekonomiku si degë?” dhe, kur ndahen, i thotë “Hidhmi lekët mua! …diploma në dorë, zëre se i ke lekët në xhep, se unë jam me ty jo me atë”.
-Nga transkriptimi i bisedës ambientale të zhvilluar në datë 21. 02.2011 midis kallëzuesit dhe Hajrie Hanellit, rezulton se
ajo i thotë kallëzuesit: “E takova personin që i kishte thënë vetëm në universitet privat, degën çfarë të dojë, ata janë të licencuar nga shteti dhe duhet që personi të jetë mbi 24 vjeç, që të përkojë koha e mbarimit të viteve. Emrin e shkollës nuk e tregon se e ka sekret, ky person është i saktë në veprime, është vetë zot vetë shkop. Se ata që punojnë në shtet duhet të korrigjojnë të tërë regjistrat e katër viteve qe të vësh një emër, të hedhësh notat, por me një person nuk del ajo, se duhen firma të shumë vetave. Ndërsa ky është privat, e firmos vetë emrin në katër regjistra, nuk e merr vesh kush se është”. Më pas, kallëzuesi e pyet nëse duhet të paguante kapar, por e pandehura Hajrie i thotë “Asnjë lek nuk i jap unë pa dhënë atë që duhet të japë (diploma). Fol me njerëzit e shtëpisë për lekët dhe më pas zgjidh profilin që të pëlqen ty, Juridik, Ekonomik, çfarë të duash”.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 28.02.2011 midis kallëzuesit dhe Hajrie Hanellit, rezulton se kallëzuesi i thotë të pandehurës Hajrie: “Kam folur me babanë për lekët dhe më ka thënë kujdes o djalë mos biesh viktimë”. Por ajo i përgjigjet: “Mos u mërzit se ke rënë në duar të sigurta. E shoqëroj unë atë, pa qenë lekët prezent ai nuk fillon punë. Lekët m’i jep mua, unë nuk t’i dorëzoj. Zëre se i ke ti, unë i dua për t’ia treguar atyre që ja ku janë leket qe ka dorëzuar. Ai vetë nuk del të të takojë, nuk do të dale fare në skenë. Do mundohem unë ta mbroj atë lek, se të kam dalë garant. Do flasim në telefon; Po të thashë unë, OK merri lekët me vete që ta mbyllim këtë punë, se është plak ky personi”. Në deklarimin e datës 28.02.2011 shtetasi Xhaferr Gixhari ka shpjeguar rrethanat që rezultojnë nga përgjimi ambiental i së njëjtës datë.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 22.04.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton se: E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit që ai person i ka thënë që, pa komunikuar bashkë, mos i thuaj gjë personit (kallëzuesit). Ai nuk është i pari në këtë drejtim, lidhen shok mbas shoku. Gjatë ndarjes, Hajria i thotë që këtë problem dua ta kryej sa më shpejt.
-Nga transkriptimi i bisedës ambientale të zhvilluar më datë 16. 06.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton: E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit “Kam biseduar me atë personin dhe më dha përgjigje pozitive. U gëzova shumë, sikur ta kisha për veten time, dy janë degët në Ekonomik, Financë dhe Administrim biznesi”. Më pas i tregon për dokumentet që nevojiten- kartë identiteti, foto, i jep një letër që i ka shkruar personi me shkrimin e tij. E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit “Ai personi më ka thënë se cilat janë degët, merri lekët dhe brenda javës bëhet ky muhabet”. Ndërsa për shumën e parave, ajo shprehet se ia ka ulur duke i thënë 14.000 euro. Më pas, e pandehura Hajrie i kërkon lekët kallëzuesit me pretekstin për t’ia treguar personit. Kallëzuesi i thotë “Shumë e ngriti pazarin”, por Hajria i përgjigjet: “Le të behet mbarë ty, se lekët shkojnë e vijnë. Në qoftë se nuk të korrespondon data me të mesmen, do t’i them që të nxjerrë një diplomë të shkollës së mesme”. Kallëzuesi thotë “Nuk fus më lekë të tjera”. Më pas, e pandehura Hajrie i thotë: “M’i jep leket t’ia tregoj unë atyre, nuk e lëshoj lekun e tjetrit. Ja ku e ke lekun, do t’i them personit po është gjë reale, hidhu”.
-Nga transkriptimi i dt.27.06.2011 i bisedës së zhvilluar më datë 24.06.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton se: E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit që takova personin dhe ai i kishte thënë “Muhabeti po nuk u mbyll deri të hënën, nuk bëhet më”. Më pas, kallëzuesi i thotë që, pasi është konsultuar me prindërit, i kanë sugjeruar që të mos i japë të gjitha paratë njëherësh. Por përsëri e pandehura Hajrie Hanelli këmbëngul që lekët duhen parapaguar patjetër, duke u shprehur se do t’i mbante ajo. E pandehura Hajrie Hanelli i thotë kallëzuesit që personi e ka një bazë dhe është shprehur që ai të shkoje vetë ta marrë diplomën në sekretari, e cila është për fakultet ekonomik. Kallëzuesi shprehet se familja nuk e lejon që paratë t’ia japë asaj të gjitha në dorë, insiston që t’i derdhë në bankë dhe pasi të “mbarojë puna” të shkojnë dhe t’i tërheqin. E pandehura Hajrie shprehet që “Banka ishte ajo dhe se ajo nuk do t’i lëshonte paratë pa mbaruar punë”.
-Nga transkriptimi i dt.28.06.2011, i bisedës së zhvilluar në datë 27.06.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli, rezulton se: E pandehura Hajrie Hanelli e ka pyetur kallëzuesin se ku ishte problemi. Ai i është përgjigjur që ditën e nesërme të shkonin në bankë dhe të “mbaronin punë”. E pandehura Hajrie është shprehur se nuk ishte nevoja të shkonin në bankë, pasi ajo do ta dërgonte për të “mbaruar punë”. Kallëzuesi i ka thënë të pandehurës Hanelli që nuk i jepte të gjitha paratë pa marrë diplomën, ndërsa bashkëbiseduesja i ka thënë që do të veprohej njëkohësisht: “Ai do të merrte diplomën dhe do të jepte paratë”. E pandehura Hajrie pyet se si ishte me gjendjen e lekëve dhe kallëzuesi i përgjigjet që kishte gjetur 12 mijë euro. E pandehura Hanelli i thotë që një mijë euro do t’ia jepte asaj, shumë të cilën ajo do t’ia jepte personit që i ofronte “këtë mirësi”. Kallëzuesi e pyet nëse kërkonte 1 mijë euro apo një milion lekë dhe e pandehura Hajrie i përgjigjet “1 mijë euro”. Hajria i kërkon kallëzuesit dhe një “kafe” për veten e saj. Kur kallëzuesi e pyet se sa ishte vlera që kërkonte, e pandehura Hajrie i përgjigjet qe e kishte në dorë ai, por do të ishte e kënaqur dhe me 1 mijë euro. E pandehura Hajrie i thotë kallëzuesit që te 12 mijë euro bën pjesë dhe “kafja” e saj dhe e personit që po i ndihmon. Kur shtetasi Xhaferr i thotë të pandehurës Hajrie që 1 mije euro do t’ia jepte ditën e nesërme bashkë me dokumentet, e pandehura Hajrie i kërkon 2 mijë euro me qëllim që 1 mijë euro t’i mbante ajo dhe 1 mijë euro t’ia jepte personit që po i ndihmonte.
-Në datën 29 qershor zhvillohet bisedë mes kallëzuesit dhe Hajrie Hanellit, ku ai i ka dhënë të pandehurës Hanelli shumën prej 1000 eurosh. Më konkretisht, nga biseda e zhvilluar rezulton: E pandehura Hajrie Hanelli sapo takon kallëzuesin dhe e shikon me zarf në dorë, i thotë: “Paske ardhur me zarf, a i ke marrë eee?”. Gjithashtu, e pandehura Hanelli shprehet që “Ai personi” e kishte telefonuar, i kishte thënë se çfarë po bëhej dhe e pandehura Hajrie i ishte përgjigjur që kallëzuesi nuk kishte përgatitur dokumentet. Shtetasi Xhaferr i thotë të pandehurës që “Prandaj kishte sjelle leket” dhe e pandehura Hanelli shprehet që në këtë mënyrë personi që po i ndihmon do të nxitet më shumë. E pandehura Hajrie shprehet që do t’i thotë personit që të caktojë datën dhe orën e takimit, pasi deri në këto momente ai nuk kishte qenë i sigurtë. E pandehura Hajrie i thotë shtetasit Xhaferr që nuk mund t’i merrte lekët kallëzuesit dhe që ky i fundit të mos merrte diplomën. Ajo shton se nuk mund ta bënte këtë veprim, pasi kishte dalë garant. E pandehura Hajrie i ka theksuar kallëzuesit se shtetasi që i ndihmon është një njeri korrekt, nuk kishte gjithçka në dorë, por ishin persona të tjerë që njiheshin prej tij. Bashkëbiseduesja Hajrie Hanelli i thotë kallëzuesit që vërtetë ky i fundit po paguante para, por do të siguronte një punë. Ajo pyet sa para kishte sjellë me vete dhe kallëzuesi i thotë “1 mijë euro, siç e kishin lënë”. Pasi kallëzuesi i numëron, ia jep të pandehurës Hajrie dhe i thotë që t’i numëronte edhe kjo e fundit. E pandehura Hanelli ka biseduar në telefon me një person, të cilit i ka thënë që kallëzuesi nuk kishte firmosur ca dokumente në Drejtorinë Arsimore. Gjithashtu ajo i ka thënë bashkëbiseduesit të thirrjes telefonike se duhej ta plotësonte sa më shpejt këtë punë dhe se do të takoheshin bashkë ditën e nesërme. Në procesverbalin e datës 29.06.2011 janë pasqyruar paratë në shumën 1000 (njëmijë) euro, që kallëzuesi Xhaferr Gixhari i ka dhënë së pandehurës Hajrie Hanelli.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 30.06.2011 midis kallëzuesit dhe të pandehurës Hajrie Hanelli e të pandehurit Vani Niçka, rezulton se: I pandehuri Vani i thotë kallëzuesit që ato ishin ingranuar me kohë, por “Ai shoku” kishte shkuar në Itali, nga ku tashmë ishte kthyer. I pandehuri Vani Niçka është shprehur se do ta bënin të rregullt diplomën dhe kallëzuesi mund të shkonte ku të donte në Amerikë, Kanada etj. Gjithashtu bashkëbiseduesi i ka thënë kallëzuesit se duhej të nxitonte, pasi ishte periudha që dilnin diplomat dhe po të mbaronte shkolla, procesi do të mbetej për në muajt dhjetor, janar. I pandehuri Niçka shprehet gjithashtu që do ta bënin të rregullt diplomën, pasi kallëzuesi po paguante paratë. Sipas bashkëbiseduesit, kallëzuesi do të firmoste në sekretari kur të tërhiqte diplomën dhe për tri vitet e shkollës, pasi do të veprohej sikur regjistrimi ishte bërë para dy vitesh në universitet.
-Nga transkriptimi i bisedës së zhvilluar më datë 07.07.2011 midis kallëzuesit dhe së pandehurës Hajrie Hanelli e të pandehurit Vani Niçka rezulton se: I pandehuri Vani i shprehet kallëzuesit që ishin gati ta ndihmonin dhe se ai kishte folur me një pedagog, i cili i kishte thënë që ishte gati që të bënte dhe dëftesën e shkollës së mesme dhe diplomën e shkollës së lartë. Gjithashtu, ai ka shtuar se për dëftesën e shkollës së mesme pedagogu ishte shprehur se mund ta prodhonte për 300 mijë, ndërsa kallëzuesi i përgjigjet që të shihej mundësia që kjo shumë të përfshihej brenda vlerës totale që ai do të paguante. I pandehuri Vani i thotë kallëzuesit që paratë e diplomës duhet të paguheshin në dorë, ndërsa shtetasi Xhaferr i përgjigjet që bisedat ishin bërë ndryshe me të pandehurën Hajrie. I pandehuri Vani shprehet se do të përfitonte edhe personalisht para, pasi ai vepronte në interes të kallëzuesit dhe se meritonte të fitonte diçka. Kallëzuesi propozon që të ngrinin paratë në bankë, pasi ishte shumë e madhe, por i pandehuri Vani nuk e pranon një gjë të tillë.
VendimiTRAZHGIM SOKOLAJ
Gjykata e Tiranës e ka dhënë vendimin e saj në lidhje me dënimin e dy të pandehurve të kësaj çështjeje më 19 qershor 2012. Sipas vendimit, qytetari që kërkonte diplomën nuk e mori atë pasi pagoi 1 mijë euro paraprakisht dhe më vonë mësoi së kjo shumë ishte mbajtur nga sekserët dhe nuk ishte dorëzuar te personat që mundësonin diplomën.





