LO: Britania dështon ndaj Senegalit

Britania e Madhe ka filluar garën për medaljen olimpike në futboll me barazim 1-1 kundër Senegalit në kuadër të grupit D.

Craig Bellamy shënoi golin e parë të ndeshjes në Old Trafford pas vetëm 20 minutash lojë, por ekipi i Stuart Pearce nuk arriti ta ruajë avantazhin.

Ishte Moussa Konate ai i cili shënoi golin e barazimit me tetë minuta të mbetura deri në fund të takimit.

Britania pati një kërkesë për penalti, kur Bellamy ishte faulluar në zonën e rreptësisë, ndërsa nikoqiri pati edhe një rast tjetër shënimi përmes zëvendësuesit Marvin Sordell, i cili goditi transversalen.

Ndeshja e ardhshme për Britaninë është ajo kundër Emirateve të bashkuara Arabe të dielën, skuadër që humbi 2-1 nga Uruguai në ndeshjen tjetër të grupit D.