Këshillat e mjekëve për ato nëna që kanë fëmijë në gji

Shumë nëna pas lindjes së fëmijës mund të kenë probleme me qumështin e gjirit. Prandaj fillojnë shqetësimet për ushqyerjen e fëmijës me qumësht gjiri apo qumësht artificial në mungesë të tij. Nëna e re e ka të nevojshme që të ndjekë një dietë të mirë ushqimore, po ashtu edhe të marrë sasinë e duhur të lëngjeve. Prandaj duhen ndjekur disa këshilla të mjekëve specialistë, për të siguruar qumështin e nevojshëm për fëmijën e porsalindur.

1- Nuk është e thënë që fëmija të ushqehet vetëm nga njëri gji. Nëse vogëlushi vazhdon të pijë dhe nuk është ngopur drejtojuni gjirit tjetër, për t’i dhënë fëmijës sasinë e nevojshme të qumështit.

2- Edhe të rriturit nuk ndjekin një orar të caktuar për të ngrënë. Fëmijët e vegjël akoma më tepër e kanë të justifikuar faktin që të hanë në çdo kohë. Të sapolindurit kanë nevojë për të pirë qumësht vazhdimisht, por edhe pa e tepruar.

3- Gjatë pirjes fëmija ka nevojë të bëjë pushime të vogla. Kjo nuk do të thotë se ai është ngopur, prandaj jepini mundësi fëmijës të pushojë nga pak dhe të vazhdojë të pijë në qetësi.

4- Nëna që i jep fëmijës qumësht gjiri ka nevojë për shumë lëngje për të plotësuar nevojat e organizmit për të prodhuar qumësht gjiri. Ajo duhet të pijë lëngje frutash, lëng perimesh e zarzavatesh, qumësht, ujë e supëra të ndryshme, për të mos e lejuar organizmin të krijojë mungesë lëngjesh. Urina me ngjyrë të verdhë të errët tregon për mungesë lëngjesh.

5- Kur ka fëmijën në gji, nëna ka nevojë për ushqime të përshtatshme. Nëse nuk ke shumë uri ha pak e shpesh. Mos ha ushqime të ëmbla sepse largojnë oreksin për ushqimet që janë më të rëndësishme, si: mishi, peshku, djathi, veza, frutat e zarzavatet e freskëta. Mos konsumimi i këtyre ushqimeve është jo vetëm në dëm të nënës, por edhe të fëmijës.

6- Është provuar shkencërisht se sa më shumë qumësht të pijë fëmija, aq më shumë qumësht prodhon gjiri. Ky është një proces i natyrshëm e i vazhdueshëm. Gjëndrat e qumështit sa herë që zbrazen prodhojnë qumësht të ri. Në rastet kur fëmija në vend që të zbrazë gjirin e nënës ha ushqim artificial, nuk stimulohet prodhimi i qumështit të gjirit.

7- Fëmija deri në gjashtë muaj nuk duhet të hajë ushqime jo të lëngshme. Është vërtetuar se ushqimet jo të lëngëta pengojnë që fëmija të thithë me fuqi gjirin e nënës dhe si rrjedhim kjo sjell një pakësim të prodhimit të qumështit të gjirit te nëna. Që fëmija të jetë i shëndetshëm duhet që t’i jepen ushqime të lëngshme.

8- Me fëmijët e gjirit ndodh shpesh që të duan të pijnë qumësht më shumë se zakonisht. Duke mos e lejuar fëmijën të pijë një sasi më të madhe qumështi ndërhyn në vetinë që ka organizmi për të rregulluar sasinë e ushqimit që i duhet për të përballuar nevojat e rritjes. Oreksi i fëmijës është i lidhur me rritjen dhe peshimi i tij përpara e pas dhënies së gjirit nuk është gjithmonë i domosdoshëm.

9- Gjithmonë ka ndryshime mes fëmijëve që pinë qumësht gjiri, krahasuar me ata që ushqehen me qumësht artificial. Këto dy tipa ushqimi janë të ndryshëm, sepse qumështi i gjirit përvetësohet e tretet shumë më mirë se ai artificial. Për këtë arsye fëmijëve që pinë qumështin e nënës i vjen më shpesh uria. Për fëmijën është më e vështirë të thithë qumështin nga gjiri i nënës se nga biberoni, kështu fëmija që pi qumështin e nënës mund të marrë më pak qumësht për çdo vakt. Kjo ndodh zakonisht te fëmijët prematurë.
Pasojat e lodhjes te qumështi i gjirit

Nënat që kanë fëmijën në gji e kanë të nevojshme të bëjnë një pushim të mjaftueshëm. Lodhja e shqetësimi ulin sasinë e qumështit të prodhuar nga nëna. Shpesh nëna e të porsalindurit nuk fle sa duhet dhe kjo ndikon negativisht në momentin që fëmija pi qumësht. Në këtë moment nëna duhet të jetë e qetë, të mos mendojë gjera të tjera të cilat e shpërqendrojnë dhe e shqetësojnë. Mund të përkëdhelë fëmijën, të luajë pak me të, të dëgjojë pak muzikë. Fëmija pasi ka pirë mund të flejë bashkë me nënën. Kjo është relaksuese për nënën. Dhënia për të pirë fëmijës është një moment i paharrueshëm. Nëna që i jep gji fëmijës nuk duhet të përdorë pilulën kundër shtatzënisë sepse kjo ul sasinë e qumështi, ka efekt dëmtues mbi fëmijën dhe provokon shqetësime e të vjella tek nëna.
Këshilla për të shmangur lindjen e parakohshme

Femrat që kanë lindur para 36 javëve të shtatzënisë duhet të tregojnë kujdes të veçantë kur të marrin pjesë në një aktivitet sportiv, sidomos gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë. Favorizoni ushtrime si Joga, Strecing, dhe ecje të lehta. Çdo ushtrim me pesha duhet evituar. Edhe rritja e vonuar e fëmijës në mitër gjendet duke matur rritjen e mitrës dhe duke parë sonogramin e fetusit. Nëse fëmija juaj ka rritje të vonuar kjo do të thotë që ai nuk ka furnizim të mjaftueshëm me oksigjen nga placenta. Pirja e duhanit, përdorimi i drogës, infeksionet dhe qarkullimi i varfër i gjakut janë shkaqe për fëmijën për të mos u rritur shpejt. Për faktin që stërvitja e largon qarkullimin e gjakut nga placenta, fëmija që nuk po rritet shpejt, nuk do e tolerojë dot stërvitjen tuaj.
Një dietë e shëndetshme gjatë shtatzënisë

Shtatzënia është një periudhë delikate jo vetëm për shëndetin e nënës, por dhe të fëmijës që do lindë. Prandaj mjekët këshillojnë një kujdes të veçantë dhe një dietë që duhet të zbatohet.  Është e këshillueshme që gruaja shtatzënë të pijë sa më shumë lëngje dhe ujë, sepse e ndihmojnë në pastrimin e veshkave dhe gjakut.

Këshilla e parë që vjen nga mjekët gjinekologë është një dietë e ekuilibruar, e shëndetshme dhe e larmishme. E për ta garantuar këtë, specialistët rekomandojnë që dieta e gruas shtatzënë duhet të përfshijë ushqime të pasura me fibra, kripëra minerale, vitamina, fruta-perime; proteina, mish, peshk, vezë, qumësht dhe bulmetra; dhe karbohidrate, makarona, oriz, dhe bukë. Të gjitha këto substanca që ndikojnë në ruajtjen e shëndetit të gruas dhe zhvillimin normal të fetusit.
Shqetësimet e para me fëmijët e vegjël

Pezmatimi i lëkurës në kokë është sëmundje e zakonshme pezmatuese e lëkurës, që mund të përfshin kokën dhe pjesët e tjera të trupit të foshnjës. Ndryshe nga ekzema fëmijërore (atopike), pezmatimi I lëkurës në kokë nuk shkakton kruarje. Te shumica e foshnjave të sapolindura, kjo gjendje qetësohet deri në moshën dy mujore. Kjo ndryshon prej ekzemës fëmijërore, që ka tendencë të zhvillimit te foshnjat në moshën pas dy mujore dhe vazhdon. Një formë shumë

e zakonshme dhe e butë e infektimit të lëkurës në kokë të foshnjave quhet “kapelë djepi” (luspat). Në foshnjëri, koka është pjesa më e zakonshme që infektohet me luspa të dendura të cilat janë dukshëm të yndyrshme, me ngjyrë të verdhë në të bardhë të ngjitura në flokë ose lëkurë të kokës. Infektimi mund të shpërndahet në fytyrën qendrore, prapa veshëve dhe në qafë.
Tabela
Këshilla për nënat që kanë fëmijën në gji:
- Jepini fëmijës sasinë e nevojshme të qumështit

- Jepini fëmijës qumësht nga të  dy gjiret

- Të vegjlit duhet të pinë shpesh por pa e tepruar

- Gjatë pirjes krijojini foshnjës mundësi të pushojë nga pak

- Nëna që ka fëmijën në gji duhet të marrë sa më shumë lëngje

- Ushqimi i nënës duhet të sigurojë elementet e nevojshme

- Sa më shumë të pijë fëmija, aq më tepër qumësht prodhon gjiri

- Fëmijës deri në gjashtë muaj nuk i jepen ushqime jo të lëngshme

- Nëna që ka fëmijën në gji duhet të shmangë stresin, shqetësimet