Shkrimtari e akuzon për përvetësimin e dorëshkrimit të romanit “Dimri i Vetmisë së Madhe”
Shkrimtari Ismail Kadare ka paditur në Gjykatën e Tiranës Nexhmije Hoxhën, të venë e diktatorit Enver Hoxha, për përvetësimin e dorëshkrimit të njërës prej veprave më të rëndësishme të tij,“Dimri i Vetmisë së Madhe”. Padia është regjistruar dje në sekretarinë e gjykatës dhe mban numrin 14897. Objekti i padisë është “rifitimi i të drejtës së autorit mbi veprën artistike, dorëshkrimi origjinal i librit ‘Dimri i Vetmisë së Madhe’”. Sipas padisë, shkrimtari kërkon që t’i rikthehet dorëshkrimi origjinal i kësaj vepre dhe marrja e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar inventarizimin dhe sekuestrimin e dorëshkrimit origjinal të veprës. Kadare pretendon se dorëshkrimi është mbajtur në mënyrë të paligjshme nga ana e të paditurës, Nexhmije Hoxha. “Dorëshkrimi është mbajtur në mënyrë të paligjshme nga familja Hoxha”, pretendon në padi shkrimtari, duke shtuar se kërkon që pas sekuestrimit ky dorëshkrim të lihet përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur të përcaktuar nga gjykata deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Burime nga gjykata pohuan se kanë hedhur në short këtë kërkesë dhe gjyqtari Bledar Abdullai do të gjykojë këtë gjyq civil. Pritet që në ditët e ardhshme të caktohet data e seancës së parë.
Dy muaj më parë, Ismail Kadare, pas gati 40 vitesh, riktheu romanin që shënjoi krijimtarinë e tij, “Dimri i Vetmisë së Madhe”. I shkruar në vitin 1971, e për t’u botuar një vit më pas, romani u prit keq nga kritika zyrtare komuniste dhe nuk u lejua të publikohej. Vetëm pas një rishikimi të autorit, nën titullin e ndryshuar “Dimri i Madh” romani pa dritën e botimit në vitin 1978. Kadare, në ribotim, i sjell lexuesit të dikurshëm, por edhe atij të ri që nuk e njeh këtë variant, versionin origjinal, pa ndryshime të natyrës politike, por vetëm me retushe artistike. Në libër, Kadare shpjegon historinë e këtij romani kult për letërsinë shqiptare, që duhej të bazohej në acarimet e Shqipërisë komuniste me ish-aleatet e saj. Në kopertinën e këtij botimi, ndodhen edhe pjesë nga dokumenti i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ku evidentohen arsyet se pse “Dimri” i Kadaresë nuk duhej të publikohej.
s.çobo





