Botuar më 1936
| Branko Merxhani |
Në polemikat politike të ditëve të fundit u përmendën shumë emëra dhe mbiemëra, u bë shum zhurmë mbi persona, mirë po na u çfaqën shum pak njohje e kuptime, nuk u bë po thua asnjë sqarim objektiv rreth gjendjes. Me gjithë që kaluan muaj të tërë dhe me gjithë se bisedimet muarën një zgjërim të madh dhe zhurmonjës, me gjith’atë nuk u tha po thua asgje deri sot n’ emrin e mendimit këtë herë. Sa u përmendën, kanë qenë kaq të kufizuara, të trubullta dhe të varfëra, që ësht krejt’ e pamundur për njerin të kuptoje se ç’bëhet dhe për ku shkojmë pikërisht. Nuk na pëlqen aspak të mbarim zhurmën e polemikës politike të gazetave të përditshme në shtyllate një reviste kulturore. Sepse na shohim dhe ndjekim nga një pikë-vëzhgimi shum të ndryshme gjith’atë skenë të pa-shijëshme të sharjeve personale dhe të retoris antopathike që nuk ka asnjë përmbajtje të sinqertë substance. Përkundrejt rrymës së shvillimit të jetës politike-shoqrore të vendit tonë, rëndësija e katër a pesë personave dhe jetëshkrimet e tyre është hiç.
Pika e vëzhgimit t’onë ësht e vendosur mbi një majë ndërmjet një dheu të rrënuar tej e për tej, i cili fillon të mbrunjë kallëpe të reja dhe kemi për kundruall gjat’ e gjerë një horizont të hapet me gjithë thellësinë e tij të pa njohur e me gjithë mysteret e veta. Për këtë shkak themi se ndjekim me një farë çqetësimi polemikën politike personale që zhvillohet nëpër shtyllat e shtypit të përditshëm, polemik’ e cila me tendencën që ka marrë sot nuk kontribuon aspak në ndriçimin e shenjavet t’ errta t’epokës, të cilat mundojnë ndërgjegjen t’ onë dhe kanë të bëjnë drejtë për drejtë me interesat më jetike të kombit. Dhe hidhërohemi sepse asaj polemike politike i mungojnë pikërisht kuptimet e thella, që çfaqin ndryshimet bazale në systemin e njohjes dhe se pse pjesa kryesore e zhurmës thëthitet prej një demonstrate të disa heroizmave dhe shërbimeve të kaluara, shpjegimi dhe vërtetimi i të cilavet nuk ësht punë e ditës së sotëshme, por ësht vepër e historis.
Duke menduar politikish, d.m.th. duke menduar si një njeri që merr fenomenin e jetës politike shqiptare të 1936-ës si një ngjarje shoqrore që zhvillohet gjallërisht dhe jo si një marrëdhënje e thjeshtë midis personit a të mirë e atij b të lig, nuk shohim të bëhet një gjë tjetër veçse një falsifikim i nxitur i disa parimeve të varfëra, që munden, mbase, të krijojnë një enthuziasëm të përciptë dhe pa themel në një vend ku fryma e zemërimit dhe e dëshpërimit ka arritur në kulm, por kurr nuk ësht në gjendje të ndihmojë në zbulimin e shkaqeve, në përcaktimin e qëllimeve dhe të na japë nji drejtim të ndritur dhe shpëtimtar që të dalim nga gjendja kaotike e gabimeve dhe e mëkateve të pa numërta që u bënë deri dje. Është nevoja për një përpjekje mendore, të sinqertë dhe të rëndësishme që të lindë më së fundi pakëz dritë dhe nji fare ndriçimi mbrënda në kët errësinë.
Epoka e jonë nuk ësht e vetë-kuptuarshme. Ka nevojë për analyzë dhe për ndriçim që të kuptohet”, shkruanim pak kohë përpara në këto shtylla. A jemi duke kaluar vallë një krizë? Dhe ç’lloj krize është kjo vallë? Që epoka e jonë nuk ësht e kuptuarshme, kjo mjafton të dëftojë gjendjen e një krize dhe bile të një krize shum të rëndë. Epokën në të cilën rrojmë, dhe gjendjen e re të silës i detyrohet veprimi i ynë ose mohimi i ynë ose edhe një trashëgim, e ndjejmë si një gjë të huaj dhe që ndodhet jashtë nesh, dhe ndërsa ajo ësht shprehja reale e jetës s’ onë, me gjith atë na jep përshtypjen e një parasiti.
N’ epokën t’ onë dhe eksistenca e ides akoma, quhet paradoks. Çdo gjë që nuk analyzohet, d.m.th. çdo gjë që nuk gjendet për mbi logjikën e ditës dhe që nuk përgjigjet në kërkimet e jetës së përditëshme, cilësohet jo vetëm si një gjë e tepërt, po edhe si një gjë që nuk eksiston fare. Është sikur t’a kemi bërë zakon të rrojmë mbrenda n’ errësirën dhe e lemë vehten t’ onë të tërhiqet verbërisht dhe pa vullnet, nga dallga e pa sigurimit, nga kaosi i marrëzis që mbytë mbrënda në labirynthin e anestezis dhe ushqen pa rreshtur krymbin e shqetësimevet t’ ona.
Dhe kështu nga njëra anë politika u shkëmbye në një letëraturë autobiografike banale dhe nga ana tjetër ideologjia rrezikohet të katandisë e të bëhet politikë!…
Epoka e jonë ka nevojë për analyzë dhe për ndriçim. Një epokë që nuk kuptohet vet-vetiu, një krizë që nuk kapet dot, po kalojmë pa dyshim. Dhe ka dy faza te veçanta, dy fronte të ndryshme kjo epokë. E para ësht faza që shpreh nevojat e një paraqitjeje shtëtrore më të drejtë dhe më përparimtare të tërësisë s’onë politike, është d.m.th. faza thjesht politik, nga e cila kthehen gjith energjit, gjithë pasionet, pikërisht sepse kërkojnë të japin një bazë, sidoqoftë, më normale dhe një përmbajtje, sidoqoftë më substancjale n’ organizimin t’onë si Shtet. Kërkojmë të kthehemi në normalitetin e marrëdhënjes midis pushtetit e popullit duke kapërcyer taktikën gjysmë-demokratike të përgjëgjësis së mbyllur që u zbatua deri tani. Kjo tendencë, në qoftë se ësht e sinqertë dhe në qoftë se buron me të vërtetë siç pandehim, nga dëshira të kontribuojë në shvillimin normal t’organizimit t’onë politik, atëherë mund të na shpjerë në dy lloj përfundimesh:
1) Ne stabilizimin e një Autokracije pa mbulesë, me kuptimin modern oksidental të kësaj fjale, si mbas së cilës Autoriteti drejtonjës vjen nga vullneti i çfaqur i popullit, me çdo mënyrë të përshtatshme.
Në këtë rast systemi i sundimit gjendet në hasje të drejtë përdrejtëshme e të përditëshme me popullin pa qënë në mes një trup ndërmjetës i ushqyer si parasit. Kjo zgjidhje kërkon një fare pregatitje është komplekse, por të paktën është e sinqertë.
2) Në afrimin dhe adaptimin, por të qëndrueshëm drejt sundimit të punës demokratike të vërtetë. Në rasë të tillë duhet të pranohet si bazë zbatimi i plotë i i Statutit që cilëson regjimin t’onë si një regjim Monarki kostitucjonale parlamentare dhe demokratike. Ky adaptim supozon natyrisht. Zgjedhje të lira dhe Qeveri që buron nga Parlamenti dhe që bazohet mbi të. Kjo zgjidhje është formalisht me normale, veç duhet liri shtypi serioze dhe e ndërgjegjshme, vullnet i plotë, guxim dhe drejtim me mënt Dhe përpara çdo gjëje tjetër duhet: Dritë!
Këto janë vijat e përgjithëshme të problemit politik që bisedohet natyrisht nëpër gazetat – dhe që duhet të marrë formë të prerë për së shpejti. Dhe mbrënda kornizës së një bisedimi të tillë nuk ka gjë kaq pa vend dhe pa mënd sa ësht dallimi që bëhet midis të “Rinjve” dhe “Pleqve’: Politika nuk do të thotë ideologji.
Politikë d.m.th thjesht pajtim me Realitetin. Politika nuk bën ideologji. Bën Psykologji. Dhe i përdorë ideologjirat simbas nevojave që ndjen për realizimin më të shpejtë e më të sigurtë të qëllimit të saj pajtimtar dhe praktik. Ata që në politikë skllavërohen në ideologjira dhe nuk zotërojnë spontanitetin që t’i përdorin lirisht, simbas rrethanave dhe bile në çaste të caktuara t’i shuajnë krejt nga radhori i veprimit të tyre, ata ngrehin kështjell n’erë, bëhen viktima të thjeshtësis së vet ose rrinë ndër ditët si të sotëshmet, të qetë në shtëpin e vet dhe këndojnë gazetat vetëm e vetëm që të kënaqin kureshten e vet
II. Gjendja Shoqërore
Faza e dytë e epokës që po kalojmë ësht’ ajo fazë që shprehë problemacitetin e një fenomeni krejt shoqëror, faktorët më kryesorë e së cilës janë konditat fysiko-teknike dhe socjologjike të jetës s’onë kolektive. Fenomeni shoqëror i Shqiptarizmës ësht një fenomen i ri që përpiqet të gjejë udhën e historizimit të tij, mbas dukjes së tij në formë Shteti, krejt të kundërt nga fenomenet shoqërore nacjonaliste t’origjinës perëndimore. U bëmë Shtet para se të mrrijmë të plotsojmë formimin t’onë si Shoqëri. Ky është shkaku që shteti ynë ka një shfaqje një-anëse paradoksale, dhe ky është kuptim i “Neo-s” që dhamë na në shprehjen shkencore “NeoShqiptarisma” këtu edhe tetë vjet përpara. Këtu gjendemi n’altarin e kulturës dhe jo në skenën e politikës. Deri në ç’pike mundet të stabilizohet një marrëdhënje midis këtyre dy kuptimevet? Kjo ësht një çështje tjetër. Ësht çështja e s’ardhëshmes dhe jo çështje e ditës së sotëshme, e cila mbushet po thua kryekëput nga nevoja e formimit politik, detyra e parë e të cilit ësht të krijojë një takim të sinqertë dhe reciprok midis Shteti dhe Shoqëris dhe pushon t’interesohet për shvillimin e një pike afrimi midis kulturës dhe politikes. E para (Shteti) ësht vepra e njerëzve të veprimit, e dyta (Shoqerija = kultura), ësht vepra e njerëzve të mendimit. Dhe pikërisht rreth kësaj del pyetja e madhe: Pa ndihmën dhe bashkëpunimin e njerëzvet të mendimit, a janë vallë në gjendje njerëzit e veprimit vetë të ngrehin jetën kombtare mbi themele të shëndosha? Jo! Duhet të gjendet mënyra për një bashkëpunim të lirë dhe për një shvillim të pa-pengimit midis këtyre dy funksioneve që të kryqzohen përfundimet e të dy lëvizjeve në një njësi praktike, dhe të gjallë, nga e cila duke filluar do t’ecim drejte formës së re shoqërore të jetës kombtare, do t’ecim d.m.th. drejt ndryshimit shoqëror. Nga formimi i Fisit në formimin e Popullit dhe këtej pastaj n’atë të Kombit. Duke u frymzuar nga këto parime siç kemi shkruar edhe tetë vjetë më parë në “Demokratin” neve nuk na intereson forma e regjimit, por na intereson systemi i sundimit. Le të jetë në fuqi çdo Qeveri që të dojë mjafton të jetë Qeveri idealistësh që kanë si program të ndihmojnë me gjithë fuqin e vet në veprimin dhe shvillimin e lirë të fenomenit nacjonalist të ri, d.m.th., të “Neo-Shqiptarismës” dhe të marrim aktivisht pjesë në kristalizimin e ides së Kombit.
Këtu ësht vendi ku dallimi i ‘ri” dhe i “vjetër” ka një kuptim. Këtu mbi lëmin e fenomenit shoqëror zotron tej e për tej, frym’ e kundërshtimit, e heterogjenejtetit dhe i objektivitetit. Këtu kanë ngrefur për kundruall llogoret e tyre antarët e traditës më njanë, dhe antarët e përparimit dhe të ndryshimit m’anë tjatër. Na s’kemi tradita nacjonaliste. Traditat t’ona janë tradita të Familjes, të Fisit dhe më socjale nga të gjitha janë traditat fetare. As njëra nga këto as dhe të gjitha bashkë në grumbullimin e tyre, nuk përfshijnë asnjë bazë synthetike që të kontribuojnë në realizimin e ides së Kombit. Këto vlera të përçarjes s’onë morale duhet të ndryshojnë formë dhe përmbajtje simbas nevojavet që çfaq Shoqërija e jonë kombtare që mund të themi deri në një pikë se gjindet sot në shpargënjt e vet.
Ky ësht qëllimi i përpjekjes s’onë. Puna, pra, ësht për një evolucjon dhe jo për një revolucjon. Përparimi i formimit t’onë shoqëror mvaret nga ndryshimi i koncepsionit, të systemit dhe jo nga shkëmbimi i thjeshtë personavet. Mvare’t nga reforma e institucjonevet t’ona politike si mbas nevojavet të reja të jetës. Nji person moralisht më i mirë shpesh here nuk ësht i tillë dhe politikisht. Dhe detyra e jonë nuk ësht të pohojmë gjitheçka që t’arrijmë në fund në një Nihilizm politik, por ësht të krijojmë një mekanismë transformonjëse midis Kaosit të shoqërive shqiptare të vogla dhe të shpërndara dhe të jetës së shoqëris shqiptare të madhe dhe të bashkuar midis të tanishmes dhe t’ ardhëshmes, midis të “vjetrit” e të ‘riut’: Njeriu vetëm mbi historin mundet të punojë, pa marrë parasysh në se historija ësht nji gërmadhë. Përmbi at themel historik, që ësht detyr’ e jonë t’a ndriçojmë nga gjith’anët, e tij dhe t’a lajmë moralisht dhe materjalisht, kemi brezat e djemve që jeta i sjellë në shoqëri, dhe këta do t’i transformojmë në gjeni të rea shoqërore ashtu siç kërkojmë parimet e rilindjes shoqërore neoshqiptare.
* * *
Burri i sotshëm ësht i lidhur ngusht me të shkuarën e vet. Dy vese themelore te temperamentit te tij, kryelartsija dhe pertacija, u bashkuan midis tyre dhe e skllaveruan ne vlerat e vjetra qe ka krijuar per personin e vet. Këto gjëra që kutërbojnë kalbësirë dhe që shpërndajnë mikrobin e prishjes e të përçarjes, duken si dëshmonjësit e vetëm të qënjes së tij. I gjenë të dukura, të qeta, t’ujdisura, dhe pandeh se vlen një botë të tërë. Dhe ashtu shikon punën e vet. Nuk çfaq asnjë dëshirë që të fitojë cilësira të reja, të krijoje vlera të reja. Kjo punë do nji përpjekje dhe fundi i fjalës, kjo përpjekje nuk beson se vlen mundimin. Rri i shtruar dhe i qetë mbrënda në burgun e së shkuarës së vet, dhe aspak s’i shkon nga mëndja mendimi për t’ardhëshmen. Për këtë vetëm e tanishmja ekziston. Por harron se për jashta atyre burgjevet t’ërrta lindin gjenerata të tëra djemsh, që një e vetme prej tyre ësht shum më e vlefshme edhe nga grumbullimi i gjithë brezave të kaluar.
Fuqia që do të drejtojë rrymën e ngjarjeve t’ona shoqërore është Rinija e tyre. Do të rrëmbejnë ata ndonjë ditë fuqin e kontrollimit të mjeteve të erës prej duarve të prindërve të tyre. Shumica e burrave që rrojnë sot janë pleq nga sa tregon mosha e tyre. Por djem janë edhe ata që lindin vonë për t’u rritur mbrënda në nji qark nacjonalist të thjeshtë. Këtu gjendet burimi i thellë i kaosit të sotshëm. Këtu gjendet fusha e vërtetë e luftës mbi të cilën na sot çajmë vijat mbrënda të cilavet do të luftojnë nesër brezat që vijnë pas nesh…





