Dy vjet pas Mendimit të GJND-së – si e ngadalësoi dialogu me Serbinë procesin e njohjeve

Dy vjet pas Mendimit të GJND-së – si e ngadalësoi dialogu me Serbinë procesin e njohjeve:
Nga Augustin Palokaj

U bënë plot dy vjet prej kur Gjykata botërore, siç njihet me gjuhën e thjeshtë “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë“, dha Mendimin historik se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk shkel as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ishte ky Mendim i dhënë pikërisht në pyetjen e Serbisë, e cila, duke kërkuar Mendimin e GJND-së për dy vjet kishte ngadalësuar procesin e njohjeve të Kosovës. Shumë shtete hezitonin ta njihnin Kosovën, duke thënë se „kjo tash është çështje e GJND-së dhe derisa të mos shprehet Gjykata nuk është mirë të njihet Kosova“, argument të cilin me sukses e kishte shitur Serbia. Këto ishin arsyet pse ishim aq të gëzuar kur ky Mendim ishte aq pozitiv për Kosovën. Në atë kohë, madje parashikonim (naivisht siç po shihet) se njohjet do të vinin si tsunami. Parashikohej se diku rreth 35 njohje do të vinin brenda disa ditësh, ndërsa deri në fund të vitit 2010 shumica e shteteve të botës do ta njihnin Kosovën po brenda disa javësh. Kaluan plot dy vjet pas këtij Mendimi, mezi rreth 20 shtete e njohën Kosovën prej atij momenti dhe tash askujt jashtë Kosovës as që i kujtohet ai Mendim. Madje përsëri „e drejta ndërkombëtare“ përmendet nga vendet si Spanja, Qiproja apo Sllovakia si arsyetim për qëndrimin e tyre kundër pavarësisë. Si  ndodhi që Kosova të ketë aq pak njohje pas një fitoreje të tillë historike juridike në Hagë. Arsye ka shumë, ndërsa Serbia ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm, duke e futur aq shpejt në harresë Mendimin që vetë e kërkoi. Problem ishte edhe banalizimi i njohjeve dhe gara e disa politikanëve në Kosovë se kush ka merita për cilat njohje, garë që ua ka prishur apetitin shteteve të fuqishme botërore, të cilat janë meritore për pothuajse të gjitha njohjet që të angazhohen më seriozisht.
Ka qenë një mjeshtëri edhe e Serbisë që pas Mendimit të GJND-së të devijohej debati nga ky Mendim dhe të bartej në një fushë tjetër, aty ku Kosovën e zunë të papërgatitur dhe naive. Pa kaluar shumë ditë nga Mendimi i GJND-së Serbia propozoi një Rezolutë në OKB, ndërsa BE-ja, në vend që të kërkonte nga Serbia njohjen e Kosovës, sepse vetë Serbia kishte kërkuar mendimin e GJND-së, u fut në dialog me Serbinë për ta ndryshuar përmbajtjen e propozim Rezolutës. Ajo Rezolutë doli e miratuar në atë mënyrë saqë askë nuk e obligon për asgjë dhe nuk prek as qëndrimet e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Politikisht Rezoluta në fjalë mbështeti një dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, me „lehtësimin“ e BE-së dhe ky dialog ndali në masë të madhe valën e njohjeve, sepse Serbia tash porosit se „sa të zgjatë dialogu nuk është mirë të ndërmerren hapa të ngutshëm për njohjen e Kosovës“. E gjithë kjo kulmoi me thënien e famshme të lehtësuesit të dialogut, Robert Cooper, se „duhet respektuar faktin se Kushtetuta e Serbisë e përmend Kosovën si pjesë të Serbisë“. Edhe pse këtë deklaratë, të dhënë në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti” të Beogradit, asnjëherë në BE nuk e kanë demantuar, ajo është aq tronditëse saqë disa diplomatë të BE-së edhe sot e kësaj dite nuk besojnë që Cooper ta këtë thënë.
Kur me kohë kishim tërhequr vërejtjen se pranimi i Kosovës për të hyrë në dialog me Serbinë pa përgatitje të duhura, pa një konsensus kombëtar dhe pa i sqaruar beneficionet eventuale dhe pasojat, do të ketë ndikim negativ në procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, përfaqësues të Qeverisë mundoheshin të na bindnin në të kundërtën, se dialogu „do të ndihmojë në shtimin e njohjeve“. Në BE kemi gjithnjë e më shumë dëshmi se prej kur ka nisur dialogu 5 shtetet anëtare që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës askush më nuk i ka vënë nën trysni që ta bëjnë këtë, me përjashtim të Parlamentit të pafuqishëm Evropian.
Nuk ka qenë ndonjë vështirësi të kuptohej se nisja e dialogut do të parandalonte një varg njohjesh. Këtë zyrtarët e BE-së madje e kishin paralajmëruar në një mënyrë indirekte duke shprehur kënaqësi për ndasitë që ekzistojnë brenda Bashkimit Evropian rreth pavarësisë së Kosovës. „është shumë mirë që kemi shumicën e vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën, por kemi edhe të tilla që nuk e kanë njohur. Kjo na bën që ne si BE të jemi edhe ndërmjetësit më të mirë të mundshëm në dialog“, pati thënë një zyrtar shumë i lartë i Bashkimit Evropian në vjeshtën  e vitit 2010. Madje, nga burimet diplomatike është mësuar se Serbisë nga ana e BE-së i është premtuar se gjatë dialogut nga ajo nuk do të kërkohet asgjë që do të vërë në pikëpyetje qëndrimin ndaj statusit të Kosovës. Njëlloj është bërë edhe me shtetet e BE-së, të cilat janë kundër pavarësisë së Kosovës. Madje, këtyre të fundit, në vend të kritikave që me mosnjohjen e Kosovës po e vështirësojnë politikën e jashtme të përbashkët të BE-së, këtyre shteteve u janë shprehur lëvdata se me mosnjohje kanë dhënë kontribut të madh pozitiv në politikën e Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit. Me këtë mendohet se BE-ja është „mirë me Beogradin e mirë edhe me Prishtinën“, duke qenë „neutrale ndaj statusit“. Por „neutrale ndaj statusit“ në praktikë do të thotë kundërshtare e statusit dhe si pasojë ka faktin se BE-ja nuk mund ta trajtojë Kosovën si shtet. Këtë ose nuk e kuptojnë pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës, nga naiviteti dhe injoranca e tyre, ose manipulojnë opinionin me kinse dobi nga dialogu.
Në BE është identifikuar dialogu si prioritet. Pastaj gjithçka që është mirë për dialogun ka qenë prioritet. Pra, shikohet se çka është mirë për dialogun e jo çka është mirë për Kosovën. Nëse njohjet nuk janë të  mira për dialogun (e BE-ja mendon se nuk janë) atëherë nuk ka trysni për njohje, edhe pse ato do të ishin të mira për Kosovën. Sa për sy e faqe gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, presidentja e Republikës së Kosovës (duhet ta quajmë të tillë, sepse u zgjodh me votat e shumicës së statistëve në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe ata të LDK-së) Atifete Jahjaga u bëri ftesë 5 vendeve të BE-së që të „ndjekin shembullin e shumicës dhe të njohin Kosovën“.
Serbia aq mirë e ka luajtur lojën, që asaj në fund i solli statusin e kandidatit, ndërsa Kosovës „njollën“ në emrin e saj përmes fusnotës së famshme, saqë disa diplomatë dyshojnë se dikush nga BE-ja ka mundur t’i ketë këshilluar mirë dhe ta ketë koordinuar gjithë këtë. Së pari, Serbia filloi lojën duke propozuar Rezolutë në OKB dhe duke kërkuar të mos ketë njohje derisa të vendoset për Rezolutën. Pastaj BE-ja hyri në dialog me Serbinë për ta ndryshuar këtë Rezolutë dhe së fundi Rezoluta ftoi për dialog dhe temë u bë dialogu. Njohjet u harruan dhe rasti i madh shkoi dhe nuk do të kthehet më, së paku jo derisa e dërguara e posaçme e kryeministrit Thaçi për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, të mos e bindë Beogradin që ta njohë pavarësinë e Kosovës, apo t’u japë leje shteteve të tjera që ta bëjnë një gjë të tillë. Pra ritmi i njohjeve pas GJND-së u ngadalësua në vend që të përshpejtohej.
Problem serioz me Kosovën është edhe politika e saj e jashtme ose, thënë më mirë, degradimi total i Ministrisë së Jashtme. Kjo ka bërë që të mos ketë fare politikë të koordinuar të jashtme dhe nuk mund të ketë në rrethana të tilla kur janë së paku gjashtë „Ministri paralele të jashtme“.  Vlora Citaku merret me BE-në, Edita Tahiri me Serbinë, Behxhet Pacolli me Afrikën, Hashim Thaçi me Turqinë, kemi ministër edhe për diasporë, me politikë të jashtme merret edhe Hajredin Kuçi (zëvendëskryeministër gjoker), rol tash ka edhe presidentja Jahjaga. Çka i mbetet atëherë ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, të bëjë.
Për mosnjohje duhet t’i fajësojmë edhe vendet mike të Kosovës, të cilat e humbën dëshirën për të ushtruar presion ndaj vendeve të tjera për njohje. Jo pse nuk kanë bërë më shumë për njohje, por për shkak se nuk kanë qenë të sinqerta kur kanë premtuar se do të „dyfishojnë përpjekjet“ për të shtuar numrin e njohjeve. Kaluan dy vjet që janë humbur për Kosovën dhe kështu kaloi një rast historik që Kosova nuk diti ta shfrytëzonte. Qeveria e Kosovës më shumë angazhohet në skenën ndërkombëtare për të siguruar mbështetje për vete sesa për Kosovën, më shumë humbin energji për t’i bindur „ndërkombëtarët“ në „rrezikun nga opozita, mediet dhe shoqëria civile“, sesa për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës. Edhe atyre duket sikur u intereson më shumë se çka është mirë për ta e jo çka është mirë për Kosovën.
E vetmja gjë pozitive, e cila mbetet është se Mendimi i GJND-së është i pashlyeshëm dhe, në afat të gjatë, Serbia e ka të humbur përpjekjen për të zhbërë pavarësinë e Kosovës. Qoftë edhe me shpejtësinë e breshkës numri i njohjeve mund vetëm të rritet e nuk mund të zvogëlohet. Prandaj, Kosova është ajo e cila më shumë duhet të insistojë në Mendimin e GJND-së, njohjet dhe trajtimin e Kosovës si shtet, sesa që zyrtarët e saj si fëmijët e vegjël t’u gëzohen premtimeve boshe dhe lëvdatave për „sjellje të mirë në dialog“. Kosova me kompromiset në dialog u ka dhënë shkas disa vendeve që të mos angazhohen shumë për njohje sepse, nëse vetë Kosova pranon që të mos trajtohet si shtet, duke pranuar fusnotën, pse të tjerët të angazhohen për të.