Njeriu në të shumtën e rasteve është rezultat i mendimeve të tij. Pas caktimit të Allahut, ne kemi arritur sot aty ku na kanë sjellë idetë tona dhe nesër do të mbërrijmë aty ku do të na çojnë ato. Për t’u rrënjosur një sjellje te njeriu duhet të zërë fill nga një mendim, e mendimi është bazë e të gjitha sjelljeve dhe arritjeve tona. Ato kanë ndikim në gjendjen tonë mendore dhe fizike, kanë lidhje të drejtpërdrejt me vetëbesimin, vetërespektin dhe mënyrën se si e vlerësojmë ne veten!
Njeriut sipas një studimi, gjatë ditës i lindin diku rreth gjashtëdhjetëmijë mendime, e gjithë çfarë nevojitet nga ky grumbull mendimesh është orientimi i drejtë i tyre, sepse nëse në të kundërtën do t’i krijojë atij në mendje një dosje të njëjtë të mendimeve negative. Sipas këtij hulumtimi ka rezultuar se 80 % e këtyre ideve zakonisht janë negative dhe veprojnë në dëm të njeriut. Kjo e fuqizon edhe më tej atë që besojnë muslimanët, fjala është për Nefsul Emareh, nefsi që nxit në vepra të këqija. Nëse kjo statistikë është e saktë, atëherë nëse marrim 80 përqindëshin e kësaj na rezulton, se diku rreth 48,000 mendime tonat janë negative dhe ndikojnë që ne të kemi sjellje e ndjesi të këqija, duke mos përjashtuar këtu edhe çrregullime të ndryshme psikike dhe trupore. Atëherë shtrohet pyetja: a thua nuk po ia vlen, që të jemi më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm para se të fusim çfarëdo botëkuptimi në mendjet tona?
Nëse ndjejmë uri dhe para vetes kemi tri alternativa për ta shuar atë, e para të hamë në shtëpi, në hotel me pesë yje dhe e treta nga koshi i plehrave? Të gjithë padyshim, se do të zgjidhnim të hanim, o në shtëpi, o në restorantin e hotelit me pesë yje, sepse të gjithë jemi të interesuar për shëndetin dhe jetën tonë. Mirë, atëherë meqë të gjithë jemi aq të preokupuar, që të mos fusim në trupin tonë ushqime të dëmshme, atëherë pse të lejojmë që të fusim mendime, që mund të ndikojnë në të gjithë mënyrën e jetesës sonë, bile edhe atë të shëndetit mendor e trupor?
Prandaj ka ardhur koha që të bëjmë përzgjedhjen e duhur të mendimeve, ashtu siç bëjmë përzgjedhjen e ushqimeve që hamë dhe rrobave që veshim. Për t’u realizuar një gjë e tillë, së pari duhet të mbështetemi tek Krijuesi ynë Allahu i Madhërishëm e paskëtaj të fillojmë të mësojmë rreth të menduarit, duke e njohur sa më shumë peshën dhe ndikimin e mendimeve, sepse dituria është forcë, ndërsa Allahu në librin e Tij Famëmadh bëri dallimin ndërmjet atyre që dinë dhe atyre që nuk dinë kur thotë: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mentarët i pranojnë këshillat!” (Zumer, 9)
Pa marrë parasysh kompleksin e një ideje ajo nuk merr kohë më shumë se disa sekonda për t’u formuar. Mendja programohet në saje të ndikimit të shtatë burimeve, e që janë:
1- Prindërit
Ndikimin e parë në jetë e pranojmë nga nëna dhe babai. Prej tyre mësojmë fjalët, domethëniet e tyre, vijëzimet e fytyrës, buzëqeshjen, mrrolet, sjelljet, parimet, standardet, normat, shëmbëlltyrat, besimin... etj. Pikërisht për këtë ata janë personat më të dashur për ne, ndërsa pasojat e formimit të tyre tek ne janë më të rrënjosurat dhe bëhen referencë kyçe në bashkëveprimin tonë me të tjerët dhe vetveten.
2- Rrethi familjar
Është vërtetuar se pas prindërve ekziston një botë tjetër me ndikim të hershëm e ajo është rrethi i ngushtë familjar, dhe këtu bëjnë pjesë: vëllai, motra, gjyshi, gjyshja, xhaxhai, daja, halla, etj. Mendja e individit lidhet ngushtë me njohuritë, që i ka pranuar nga familjarët e tij.
3- Ambienti
Qofshin ata fqinjët, shitësit, shoferi i autobusit të shkollës dhe të tjerët, që veprojnë në ambientin ku jetojmë luajnë po ashtu një rol të rëndësishëm në formimin e ideve tona.
4- Shkolla
Mënyra e sjelljes së mësuesve dhe edukatorëve, forma e komunikimit të tyre, sjelljet dhe morali i tyre janë po ashtu burim i rëndësishëm i formimit tonë mental. Nuk ka dyshim se shkolla është një ndikues jashtëzakonisht i rëndësishëm i ngritjes sonë intelektuale, prandaj edhe ndikimi ynë në këtë periudhë është shumë i shpejtë.
5- Shoqëria
Pas prindërve ky burim konsiderohet më i rëndësishmi. Për ne, shokët janë arritjet e para personale në jetë, sepse përzgjedhja është tërësisht e jona, jashtë ndikimit të prindërve, e bëjmë atë për t’u ndierë të pavarur, që ta realizojmë veten dhe të pranohemi nga të tjerët. Mundësia që ta marrim prej shoqërisë duhanin, drogën, alkoolin, ikjen nga klasa, shprehitë e këqija të të gjitha llojeve është tepër e madhe.
6- Mjetet e informimit
Shumica e të rinjve sot qëndrojnë para televizorit me orë të tëra, bile sipas disa statistikave ata shikojnë TV diku rreth pesëdhjetë orë në javë dhe në këtë mënyrë ata ndikohen drejtpërdrejtë nga ajo çfarë shikojnë, qoftë ajo e dobishme ose e dëmshme. Nëse aktori, sportisti apo këngëtari i preferuar i tyre, pi duhan mundësia që ata ta imitojnë atë është goxha e madhe. Sipas të dhënave sot një fëmijë i zakonshëm, i cili ka arritur moshën dymbëdhjetëvjeçare ka parë diku në emisione dhe filma që shfaqen në ekrane televizive rreth dymbëdhjetëmijë krime, prej tyre më shumë vrasje, gjë që ka rezultuar që sot edhe shumë nga të rinjtë të mbajnë armë.
Shumica e rasteve të depresionit origjinën e kanë te mjetet e informimit, që përqendrohen më shumë tek aspektet negative, krimi, luftërat, pornografia, realiti shou dhe gjërave tjera amorale. Kohëve të fundit jemi dëshmitarë i një numri shumë të madh kanalesh televizive, që skema e tyre programore përbëhet nga lajmet negative, muzika e shfrenuar, spotet provokuese, që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën dhe fenë tonë, e që fatkeqësisht janë duke ndikuar dukshëm tek rinia jonë.
7- Vetvetja
Pas gjithë këtyre burimeve që kanë ndikuar në formimin tonë mendor ato kanë prodhuar botëkuptime dhe parime të pakontestuara, duke krijuar gjithashtu mundësi të reja për të shtuar sjellje të tjera qofshin ato pozitive a negative. Përmes tyre te ne formohen shprehitë përmes të cilave ne komunikojmë me botën e jashtme dhe po ashtu ato janë jetike, qoftë për suksesin a dështimin tonë, si dhe në lumturinë a dëshpërimin tonë. Mendimi është fillesa e synimeve dhe vizionit për këtë botë. Ai është referencë për mendjen, e cila bazohet në përvojën, domethënien e gjërave dhe mënyrën se si e perceptojmë harenë dhe dhembjen në jetë.
Shpesh rezultatet e njeriut janë të lidhura drejtpërdrejt me mendimet e tij të ngulitura në psike dhe të cilat janë të lidhura me përjetimet e tij gjersa t’i shndërrojë ato në botëkuptime dhe shprehi, të cilat më pas do të veprojnë në mënyrë automatike.