Humbja Neto quhet “barrë e tepërt” e një takse, përderisa përfaqëson një humbje që përballon taksapaguesi përtej humbjes që lidhet me madhësinë e taksës.
Në praktikë, pothuajse të gjitha taksat shoqërohen me barrë të tepërt, pra me humbje neto. Për shembull, një taksë mbi të ardhurat personale do të shoqërohet me humbje neto, në masën që pakëson stimujt për pjesëmarrjen në punë të individëve të taksuar, duke kushtëzuar edhe humbje të produktit shoqëror (produkti i paprodhuar), për rrjedhojë edhe humbje në të ardhurat personale.
Duke u pakësuar pjesëmarrja në punë, produkti i prodhuar dhe të ardhurat personale, eventualisht do të pakësoheshin edhe të ardhurat nga taksat.
Në rastin e taksave indirekte, barra e tepërt e taksave lidhet, sikurse e pamë më sipër, me ndryshimin e çmimit të mallit që taksohet, pra dhe me ndryshimin e çmimeve relative të mallrave.
Ndryshimi i çmimeve relative, pra shtrembërimi i tyre, shoqërohet me ndryshimin e stimujve për konsum dhe për prodhim, pra edhe me një alokim joefiçent të burimeve, në qoftë se do të supozonim një alokim efiçent burimesh para vendosjes së taksës. Nga kjo pikëpamje, taksat direkte paraqesin një avantazh, meqenëse ato nuk i shtrembërojnë çmimet relative.
Një avantazh tjetër i këtyre taksave, i përmendur edhe më sipër, është mundësia e zbatimit të parimit të aftësisë paguese. Megjithatë, taksat direkte kanë disavantazhet e tyre, përfshirë këtu disavantazhin e pakësimit të stimujve për të punuar.