MIDIS DY KOHËSH


Fragment nga libri me kujtime, përshkrime udhëtime dhe esse për një periudhë "të përhirtë". 
 

 
Nga  Naum Prifti
 
Botim i Shtëpise Botuese "Buzuku", Prishtinë 2006
 
Të gjithë ata që e kaluan pjesën më të madhe të jetës nën diktaturë e kanë detyrë morale kundrejt shoqërisë së sotme të shkruajnë kujtimet e tyre për personat me të cilët kanë patur aq konfidencë, sa të shprehin pa ndrojtje mendimet e gjykimet që binin ndesh me propagandën e partisë.
Në Shqipëri, për arsye të diktaturës së ashpër, disidenca e hapur nuk mundi të zhvillohej, por disidenca e fshehtë dhe në rrethe të ngushta shoqërore nuk mund të mohohet. Disidenca ishte clirim i presionit të brendshëm psikologjik nga fyerjet, ishte shfyrje e dufeve për padrejtësitë dhe poshtërimet... Për tu habitur sesi sot pseudodemokratët e djathtë e të majtë, i akuzojnë intelektualët ‘en bloc’ se u konformuan me diktaturën, iu nënshtruan dhe i shërbyen asaj me zell. Kjo lloj njollosje dashakeqe nuk i përgjigjet të vërtetës.
Kalvari i intelektualëve filloi më 1944 dhe mbaroi kur u shemb diktatura. Dënimet me vdekje, pushkatimet me dhe pa gjyq, burgosjet e shumta dhe internimet që pësuan intelektualët nga regjimi komunist dëshmojnë të kundërtën. Udhëheqja e PPSH-së në bazë të një parimi të vjetëruar marksist i kundronte intelektualët me mosbesim, si kontigjent që prekej lehtë nga ndikimet e huaja, prandaj edhe i kamzhikoi vazhdimisht, me përjashtim të disa pak ‘të zgjedhurve’ që i shërbenin me vullnet. Ata intelektualë që e mbrojtën dinjitetin personal në kushte jashtëzakonisht të vështira meritojnë respekt.