Rikthimi i kombit-shtet

Nga Dani Rodrik


 

Një nga mitet e kohës sonë është se globalizimi e ka zhvlerësuar shtetin-komb. Dëgjojmë të thuhet se revolucioni në transport dhe komunikim ka bërë që kufijtë të “avullojnë” dhe bota të zvogëlohet. Mënyrat e reja të qeverisjes, duke filluar që nga rrjetet transnacionale të rregullatorëve, nga organizatat ndërkombëtare të shoqërisë civile e deri tek institucionet shumëpalëshe, po anashkalojnë dhe po zëvendësojnë ligjbërësit kombëtarë. Thuhet se politikëbërësit lokalë janë të pafuqishme përballë tregjeve globale.
Por kriza globale financiare e ka thyer këtë mit. Kush po i shpëton nga belaja bankat, duke i “mbushur” me likuiditet, duke i angazhuar në stimuj fiskal dhe duke mundësuar rrjete të sigurta sociale për të papunët për të zmbrapsur përshkallëzimin e një katastrofe? Kush po i ri-shkruan rregullat për mbikëqyrjen financiare të tregut dhe rregullat për të parandaluar një tjetër dukuri të ngjashme? Kush merr përsipër fajin për çdo gjë që shkon keq? Përgjigja është gjithmonë e njëjtë: qeveritë kombëtare. G-20, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komiteti i Bazelit mbi Mbikëqyrjen Bankare kanë qenë kryesisht dekor.
Edhe në Evropë, ku institucionet rajonale janë relativisht të forta, është interesi kombëtar dhe politikëbërësit kombëtarë, si kancelaria gjermane Angela Merkel, të cilët kanë dominuar politikëbërjen. Sikur Merkel të ishte më pak “e dashuruar” me masat shtrënguese për vendet e Evropës që kanë probleme me borxhet dhe sikur të kishte arritur ta bindte elektoratin e saj të brendshme për nevojën e një qasje tjetër, kriza e eurozonës do të kishte marrë një tjetër rrjedhë.
Edhe pse shteti komb arrin të dalë nga situata, reputacioni i tij bie. Sulmi intelektual mbi të merr dy forma. Së pari, kritika  vjen nga ekonomistët që i shohin qeveritë si një pengesë për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit dhe njerëzve në mbarë botën. Ata thonë, se duke ndaluar politikëbërësit vendas të ndërhyjnë në tregje me rregullorët e barrierat e tyre, tregjet globale do të jenë vetë rregulluese, duke krijuar një ekonomi botërore më të integruar dhe efikase.
Por kush do t’i vendosë rregullat dhe rregulloret e tregut, nëse nuk e bëjnë këtë gjë shtetet kombe? Laissez-faire është një recetë për krizat financiare më të mëdha dhe për reagime më të ashpra politike. Për më tepër, kjo do të kërkonte që politikat ekonomike t’u besoheshin teknokratëve ndërkombëtarë, të izoluar, siç janë, nga ulje ngritjet e këtyre politikave - një pozitë kjo që do të kufizonte mjaft llogaridhënien demokratike dhe politike.
Me pak fjalë, laissez-faire dhe teknokracia ndërkombëtare nuk ofron një alternativë të besueshme ndaj shtetit-komb. Në të vërtetë, erozioni i shtetit-komb në fund të fundit sjell pak të mira për tregjet globale, për aq kohë sa nuk kemi mekanizma praktikë të qeverisjes globale.
Së dyti, ka moralistë kozmopolitë që e qortojnë artificialitetin e kufijve kombëtarë. Siç është shprehur edhe filozofi Peter Singer, revolucioni i komunikimit ka pjellë një "audiencë globale", që krijon bazën për një "etikë globale". Nëse ne e identifikojmë veten me kombin, morali ynë mbetet kombëtar. Por, në qoftë se ne gjithnjë e më shumë  e lidhim veten me botën në përgjithësi, besnikëritë tona do të përhapen më tej, gjithashtu. Në mënyrë të ngjashme, ekonomisti laureat i Nobelit Amartya Sen flet për "identitetet e shumëfishta" tona - etnike, fetare, kombëtare, lokale, profesionale dhe politike - shumë nga të cilat i kalojnë kufijtë kombëtarë. Është e paqartë se sa nga ky mendim është një mendim që vjen si pasojë e një dëshire dhe se sa ky mendim është i bazuar në zhvendosjen e vërtetë të identiteteve dhe përkatësive. Evidencat e anketimeve tregojnë se lidhja me shtetin-komb mbetet mjaft e fortë.
Disa vjet më parë, Anketimi mbi Vlerat Botërore në një sërë vendesh përmbante pyetje rreth lidhjes së të anketuarve me komunitetin e tyre vendas, me kombin e tyre, dhe me botën si një e tërë. Jo çuditërisht, ata që e shikonin veten si qytetarë kombëtarë ishin në një masë të madhe më shumë se ata që e konsideronin veten si qytetarë të botës. Por, i habitshëm qe fakti se madje edhe identiteti vendas dominonte mbi atë rajonal në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Indi, Kinë dhe në shumicën e rajoneve të tjera.
Sondazhe të njëjtë tregojnë se të rinjtë, ata me arsim të lartë dhe ata që e identifikojnë veten si shtresa  e lartë e popullsisë, kanë më shumë gjasa ta identifikojnë veten me botën. Megjithatë, është e vështirë të gjesh ndonjë segment demografik në të cilin lidhja me komunitetin global të jetë më e madhe se me atë vendas.
Aq e madhe sa ka qenë rënia e shpenzimeve për transportin dhe komunikimin, prapë se prapë kjo rënie nuk e  ka fshirë dot gjeografinë. Aktiviteti ekonomik, social dhe politik mbetet i grupuar në bazë të preferencave, nevojave dhe trajektoreve historike që ndryshojnë rreth globit.
Distanca gjeografike është një përcaktues i shkëmbimit ekonomik po aq i fortë sa ishte edhe një gjysmë shekulli më parë. Rezulton se edhe interneti nuk është aq pa kufij sa duket: një studim zbuloi se amerikanët kanë më shumë gjasa që të vizitojnë një faqe Web-i nga vendet që janë fizikisht më afër se nga vendet që janë larg. Problemi është se ne jemi ende në fillimet e prekjes së mitit të rënies së shteteve-kombe. Udhëheqësit politikë janë vetë deklaruar të pafuqishëm, intelektualët i përfytyrojnë të papranueshme skemat e qeverisjes globale dhe humbësit fajësojnë gjithnjë emigrantët ose importet. Kur flitet për ri-fuqizim të shtetit-komb njerëz të respektuar shpejtojnë për ta mbuluar këtë, sikur të ishte propozuar ringjallja e murtajës.
Të jemi të sigurt se gjeografia e përkatësive dhe identiteteve nuk është fikse, në të vërtetë, ajo ka ndryshuar gjatë rrjedhës së historisë. Kjo do të thotë se ne nuk duhet të heqim dorë nga një  vetëdije e vërtetë globale që do të zhvillohet në të ardhmen, së bashku me komunitetet ndërkombëtare politike.
Por sfidat e sotme nuk mund të përmbushen nga institucione që nuk ekzistojnë (ende). Tani për tani, njerëzit ende duhet t’u kërkojnë zgjidhje qeverive të tyre kombëtare, të cilat mbeten shpresa më e mirë për veprim kolektiv. Shteti-komb për ne të Revolucionit Francez mund të jetë një relike e trashëguar, por është e gjitha çfarë kemi.


 

Dani-rodrik

Dani Rodrik është profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit dhe autor i “Paradoksi i globalizimit: Demokracia dhe e ardhmja e ekonomisë botërore”