Nga Ana Palacio
Një vit pas rënies së Hosni Mubarak dhe me trazirat popullore që vazhdojnë të turbullojnë botën arabe, është gjithnjë e më e qartë se Evropa nuk mund të rrijë duarkryq pa bërë asgjë. Protestat e vazhdueshme kanë nxjerrë në pah nevojën urgjente për një angazhim të ri të Bashkimi Evropian në lidhje me rajonin në përgjithësi - dhe, në veçanti, me vendet e Mesdheut jugor dhe lindor që janë fqinjët e Bashkimit Evropian.
Deri tani, Politika e Fqinjësisë Evropiane (ENP), e lindur si një rishqyrtim i politikës së suksesshme të BE-së të ndjekur me Europën Qendrore dhe Lindore pas rënies së Murit të Berlinit, ka udhëhequr veprimet e Bashkimit Evropian përkundrejt Mesdheut jugor e lindor. Me kalimin e kohës, megjithatë, ENP u përqendrua kryesisht tek emigracioni dhe faktori i sigurisë. Për më tepër, Politika e Fqinjësisë Evropiane u kujdes për të krijuar një litar shpëtimi ekonomik të regjimeve autokratike të rajonit.
Në bregun jugor të Mesdheut një seri ankesash, që nga korrupsioni e deri tek dëshira për liri, motivoi pakënaqësinë dhe trazirat. Por, temë themelore ka qenë mungesa e mundësive të qëndrueshme ekonomike, që ka çuar në rritjen e papunësisë, ose punësimit të përkohshëm, tek të rinjtë në rajon. Një vit pas shpërthimit të Pranverës Arabe, megjithatë, mundësitë ekonomike janë edhe më të pakta. Ekonomitë e Egjiptit, Libisë dhe Tunizisë, janë të gjitha mjaft të kontraktuara. Buxhetet kombëtare janë të tendosura dhe rezervat e shkëmbimit të huaj valutor janë pakësuar. Në vend të ardhjes së investitorëve të huaj brenda vendit, kapitali po shkon jashtë tij.
Duke pasur parasysh shkallën e sfidës, me të cilën po përballen fqinjët jugorë të Evropës, BE-ja duhet të krijojë një partneritet euro-mesdhetar shumë më efektiv se ç’është përpjekur të krijojë deri tani. Sfida e parë është të rivendosë besimin, gjë që kërkon që evropianët të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj "islamit politik", në përgjithësi dhe ndaj islamikëve në qeveri, në veçanti.
Një test prove i rëndësishëm është Maroku. Edhe pse nuk ndoqi rrugën revolucionare të rajonit, perceptimet dhe aspirata e marokenëve pasqyrojnë po ato të vendeve fqinje. BE-ja përshëndeti reformat e fundit kushtetuese të vendit, si dhe rezultatet e zgjedhjeve që sollën në pushtet një degë të Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit. Por BE-ja gjithashtu bëri thirrje për një angazhim më të madh për pluralizëm, për sundimin e ligjit dhe për të drejta të barabarta për pakicat dhe gratë - fusha kryesore këto, në të cilën islamistët kudo duhet të provojnë veten.
Ky kushtëzim – parimi "më shumë për më shumë" - tregon se BE-ja ka gjetur një mënyrë të vlefshme për të ndikuar në zhvillimet në rajon. Por, ka gjithashtu një nevojë për të larguar idenë se Evropa, e supozuar në rënie, nuk mund të jetë një bashkëbiseduese e dobishëm dhe partnere në nxitjen e prosperitetit rajonal. Përkundrazi, BE-ja mbetet partnerja kryesore tregtare e Maghreb-it, duke llogaritur 70 për qind të eksporteve të rajonit në vitin 2010, pa përfshirë naftën.
Evropa, edhe pse e dobësuar, gjithashtu mund të ndihmojë angazhimin e institucioneve shumëpalëshe, duke filluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, ku BE-ja është aksionerja më e madhe (rreth 37%, në krahasim me pjesën e Shteteve të Bashkuara 16%), deri tek Banka Evropiane e Investimeve, e cila kohët e fundit ngriti tavanin e kredive të rajonit me 1 bilion € (1.3 bilion $). Gjithashtu, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi kohët e fundit fillimin, në vitin 2012, të aktiviteteve të financuara nga donatorët në pjesë të ndryshme të rajonit, duke përfshirë edhe Marokun.
Një shembull i mirë për angazhimin e BE-së është Impianti i Energjisë Diellore prej 37.milion € në Ouarzazate dhe Programi i Efikasitetit të Ujit të Pijshëm, i sponsorizuar nga Fondi i Investimeve për Fqinjësinë e BE-së, i cili ishte një instrument i dobishëm në sigurimin e kredive që arrijnë në më shumë se 600 milion €. Këtë kapacitet mbështetës BE-je duhet ta përdorë në mënyrë më efikase.
Përtej sfidave të perceptimit, suksesi i partneritetit të ripërtërirë me Europën kërkon që rajoni të ndërmarrë reforma strukturore jetike. Së pari, vendet e rajonit duhet të konsolidojnë një kuadër të shëndoshë rregullator dhe institucional që do të nxiste efikasitetin dhe sigurinë ligjore për investitorët, si vendas dhe ata të huaj. Ky kuadër është i rëndësishëm për të tërhequr jo vetëm kompani të mëdha, por edhe për të rritur numrin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat në Evropë, për shembull, ishin ato që gjeneruan 85% të të gjitha vendeve të reja të punës në vitet 2002-2010.
Është po aq e rëndësishme që të hartohen politika të BE-së si bashkë-lokalizuese, jo si de-lokalizuese. Një ilustrim inkurajues i qasjes së bashkë-lokalizimit është fillimi i një projekti të Renault në Marok (i cili, për fat të keq, shkaktoi një reagim publik në kulmin e etheve para-zgjedhore në Francë).
Infrastruktura është një tjetër shqetësim jetik, jo vetëm për lidhjen mes BE-së dhe Mesdheut jugor, por edhe për nxitjen e integrimit rajonal shumë të nevojshëm. Sot, shumica e ekonomive të Maghreb janë enklava virtuale, të ndara nga njëra tjetra për arsye që janë shpesh me natyrë politike. Këtu, gjithashtu, Maroku është një shembull i mirë: Konflikti i Saharasë Perëndimore përvijohet akoma më shumë pas mbylljes së kufirit me Algjerinë, me një kosto vjetore për të dyja palët që vlerësohet minimalisht në 1-2 pikë përqindjeje të PBB-së.
Më tej, vendet e Maghreb-it kanë nivelin më të ulët të tregtisë ndër-rajonale në botë, që përbën më pak se 5 për qind të PBB-së, krahasuar me 70 për qind në BE dhe 50% në Amerikën e Veriut, për shkak, në një masë të madhe, të marrëveshjeve tregtare preferenciale dhe pa masa tarifore brenda rajonit. BE-ja duhet të përdori koleksionin e saj të marrëveshjeve dypalëshe me vendet e Mesdheut jugor për të promovuar një kuadër të qëndrueshëm të tregtisë rajonale.
Revolucionet arabe i kanë dhënë mundësinë të gjithëve për ta parë botën e Mesdheut me sy të freskët. Në vend të marrëdhënies së vjetër patron / klient, është i nevojshme një partneritet BE / Maghreb, si pjesë e Politikës së Fqinjësisë bazuar në besim. Vetëm ky partneritet mund të rrisë mundësitë ekonomike dhe prosperitetin - kërkesa këto që ndezën trazirat arabe. Nëse menaxhohet mirë, për më tepër, një partneritet i tillë mund të kontribuojë gjithashtu në “mbajtjen mbi ujë” të ekonomive evropiane në këtë kohë fatkeqësie për to.





