Milani apo Interi, kush ka lojtarët më të vlefshëm?

Sonte më mbrëmje Giuseppe Meazza do të jetë arena ku do të përballen gjigantët e mëdhenj të apenineve, ndërsa po aq i ngushtë sa është dueli mes rivalëve lokal, po aq është i ngushtë dhe krahasimi kur bëhet në nivelin financiar.
Është Transfermarkt.de që ka bërë krahasimin e madh në tregun e transferimeve për vlerën e lojtarëve të Interit dhe Milanit. Diferenca e madhe është te portierët, ku vetëm Julio Cesar kushton më shumë se dyfishi i tri portierëve të Milanit. Interi ngadhënjen në këtë pozitë me 19.5 milionë euro, përderisa Milani ka vlerë portierësh prej 8.2 milionë euro. Edhe në mbrojtje Nerazzurët qëndrojnë mirë. Maicon, Ranocchia dhe Nagatomo bëjnë diferencën, me mbrojtësit tjerë që nuk kushtojnë më pak se 4 milionë euro, teksa nga ana tjetër, Thiago Silva me një vlerë prej 31 milionë eurosh, i pasuar nga Abate me 11 milionë euro tenton të zbusë konkurrencën. Nerazzurët kanë një vlerë në mbrojtje prej 73.8 milionë eurosh, përderisa Milani ka vlerë prej 71 milionë eurosh.

Në mesfushë përsëri është Interi që e shkel Milanin. Me një Sneijder të jashtëzakonshëm prej 38 milionë eurosh, i pasuar nga Cambiasso (13 mil.), Motta (13 mil.) dhe Alvarez (11 mil.) bëjnë diferencën krahas Boateng (19 mil.), Aquilanit (14 mil.) dhe Nocerinos (9 mil.) pa përmendur të tjerët. Në total, vlera e Interit në mesfushë shkon deri në 109 milionë euro, përderisa Milani ka mesfushë të vlefshme prej 67.3 milionë eurosh. Por, në sulm Milani zbut ndjeshëm vlerën e madhe të Nerazzurëve në mesfushë. Me 107 milionë euro, është Zlatan Ibrahimovic (40 mil.), Pato (30 mil.) dhe Robinho (20 mil.) ata që mposhtin në këtë kategori Interin e vlefshëm vetëm 53.5 milionë euro në sulm.

Në total, Interi ka skuadër më të vlefshme se as Milani. Nerazzurët kanë vlerë prej 255.8 milionë eurosh, përderisa Rossonerët kanë skuadër në vlerë 253.5 milionë eurosh.