Nga Dani Rodrik
Tregjet janë thelbi i ekonomisë së tregut në të njëjtën mënyrë siç limonët janë thelbi i limonadës. Lëngu i pastër i limonit mezi pihet. Për ta bërë një limonadë të mirë duhet ta përzieni atë me ujë dhe sheqer. Natyrisht, nëse vëni shumë ujë në këtë përzierje, e prishni limonadën, mu ashtu siç përzierja e tepërt e qeverisë mund t’i bëjë tregjet jofunksionale Milton Friedman (31.7.1912-16.11.2006)Vitin e ardhshëm do të shënohet njëqindvjetori i lindjes së Milton Friedmanit. Friedman ishte njëri prej ekonomistëve më të shquar të shekullit njëzet, fitues i çmimit “Nobel”, i cili u kontribuoi dukshëm politikave monetare dhe teorisë së konsumit. Por, ai do të kujtohet pikë së pari si një vizionar që u dha shtysë intelektuale entuziastëve të tregut të lirë gjatë gjysmës së dytë të shekullit, dhe si njeriu që ndikoi nga prapaskena në ndryshimet dramatike të politikave ekonomike pas vitit 1980. Në kohërat kur skepticizmi rreth tregut ishte në kulm, Friedman shpjegoi me një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme se ndërmarrja private është themel i prosperitetit ekonomik. Të gjitha ekonomitë e suksesshme janë të ndërtuara falë kursimeve, punës së madhe dhe iniciativës individuale. Ai këmbënguli kundër rregullativave qeveritare, të cilat i rëndojnë sipërmarrjet dhe reduktojnë tregjet. Ajo që Adam Smith ishte për shekullin e tetëmbëdhjetë, Milton Friedman ishte për shekullin njëzet. Ndërkohë që serialet televizive të Friedmanit “Të lirë për të zgjedhur” po transmetoheshin në vitin 1980, ekonomia botërore ishte në fillimet e një transformimi. Të inspiruar nga idetë e Friedmanit, Ronald Reagan, Margaret Thatcher dhe shumë liderë të tjerë qeverish filluan të hiqnin dorë nga reduktimet dhe rregullimet qeveritare, të cilat ishin krijuar gjatë dekadave të mëparshme. Kina shkoi një hap tutje planifikimeve në qarqet qendrore dhe lejoi lulëzimin e tregjeve – së pari në prodhimet bujqësore, dhe, në fund, edhe në mallrat industriale. Amerika Latine i rrëzoi një nga një barrierat tregtare dhe privatizoi kompanitë shtetërore. Kur Muri i Berlinit u rrëzua në vitin 1990, nuk kishte asnjë dyshim rreth asaj se në cilin drejtim ekonomitë e dikurshme të komanduara do të niseshin: drejt tregjeve të lira.
Mirëpo Friedman po ashtu prodhoi edhe në një trashëgimi më pak të lumtur. Në synimin për të promovuar fuqinë e tregjeve, ai e theksoi shumë fort vijën ndërmjet tregjeve dhe shtetit. Në fakt, ai e prezantoi qeverinë si një armik të tregut. Ai për më tepër na verboi me realitetin evident se të gjitha ekonomitë e suksesshme, në fakt, janë të përziera. Fatkeqësisht, ekonomia botërore ende po shfaq atë verbëri, pas krizës financiare që rezultoi, as më pak e as më shumë, nga liria e tepruar e tregjeve financiare. Perspektiva fridmaniane me të madhe nënvlerëson parakushtet institucionale të tregjeve. Qeveria le të sforcojë thjesht të drejtat prosperuese dhe kontratat, dhe tregjet mund të prodhojnë magji. Në të vërtetë, llojet e tregjeve për të cilat ekonomitë moderne kanë nevojë nuk janë vetëkrijuese, vetërregulluese, vetëstabilizuese apo vetëlegjitimuese. Qeveritë duhet të investojnë në transport dhe në rrjetet e komunikimit; të luftojnë informatat asimetrike dhe pushtetin jo të barabartë të pazarllëkut; duhet t’i moderojnë paniket dhe recesionet financiare dhe t’u përgjigjen kërkesave popullore për rrjete të sigurisë dhe sigurime sociale. Tregjet janë thelbi i ekonomisë së tregut në të njëjtën mënyrë siç limonët janë thelbi i limonadës. Lëngu i pastër limoni mezi pihet. Për ta bërë një limonadë të mirë, duhet ta përzieni atë me ujë dhe sheqer. Natyrisht, nëse vëni shumë ujë në këtë përzierje, e prishni limonadën, mu ashtu siç përzierja e tepërt e qeverisë mund t’i bëjë tregjet jofunksionale. Hilja nuk është eliminimi i ujit dhe i sheqerit, por përcaktimi i proporcioneve ashtu si duhet. Hong-Kongu, të cilin Friedman na e përcaktoi si shembull për shoqërinë e tregtisë së lirë, vazhdon të jetë përjashtim i rendit të ekonomisë së përzier – por edhe atje qeveria ka luajtur një rol të madh.
Fotografia që shumica e njerëzve do ta mbajnë mend nga Friedmani është ajo e një profesori të buzëqeshur, të vogël dhe të thjeshtë, që mban një laps para kamerave të “Të lirë për të zgjedhur”, me qëllim që të ilustrojë fuqinë e tregjeve. U deshën me mijëra njerëz nëpër të gjithë botën për ta bërë lapsin e tij, tha Friedman – për të gdhendur grafitin, prerë dru, mbledhur komponentë dhe për të nxjerrë prodhimin përfundimtar. Asnjë autoritet i vetëm qendror nuk i ka koordinuar veprimet e tyre; ky akt është përmbushur nga magjia e tregjeve të lira dhe sistemit të çmimit. Më shumë se 30 vjet më vonë, ekziston një përmbyllje interesante për rrëfimin e lapsit (i cili në fakt bazohet në një artikull të ekonomistit Leonard E. Read). Sot, shumica e lapsave në botë prodhohen në Kinë – ekonomi kjo që paraqet përzierjen karakteristike të sipërmarrjeve private dhe direktivës shtetërore). Friedmani modern ndoshta do të donte ta shtronte pyetjen se si Kina është bërë kaq dominuese në industrinë e lapsave, ndërsa ka edhe aq shumë të tjera nëpër botë. Ka shumë burime të mëdha të grafitit në Meksikë dhe Korenë Jugore. Rezervat e drurit janë më të mëdha në Indonezi dhe Brazil. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë teknologji më të mirë. Kina ka një fuqi të madhe të punës së lirë, por po aq ka edhe Bangladeshi, Etiopia dhe shumë shtete të tjera të stërpopulluara me të ardhura të vogla.
Pa dyshim, pjesa më e madhe e meritës i takon iniciativës dhe punës së zellshme të sipërmarrësve dhe punëtorëve kinezë. Por rrëfimi i sotëm i lapsit do të ishte i paplotë pa theksuar faktin se kompanitë shtetërore të Kinës, të cilat paraqesin investimet fillestare në teknologji dhe trajnimin e fuqisë punëtore; politikat toleruese të menaxhimit të pyjeve, të cilat e mbajnë çmimin e drurit të ulët në mënyrë artificiale; subvencionet zemërgjera të eksportit; dhe intervenimi i qeverisë në tregjet valutore, të cilat u ofrojnë prodhuesve kinezë një avantazh të madh kostoje. Qeveria kineze ka subvencionuar, mbrojtur dhe nxitur kompanitë e saj për të siguruar një industrializim të shpejtë, duke e kthyer në këtë mënyrë ndarjen globale të forcës së punës në favor të vet. Vetë Friedman do t’i kishte kritikuar këto politika qeveritare. Sidoqoftë, me dhjetëra mija punëtorë që fabrikat e lapsave në Kinë i punësojnë, sipas të gjitha gjasave, do të mbeteshin bujq të varfër në rast se Qeveria nuk do t’u kishte dhënë tregjeve një shtytje të lehtë për t’u industrializuar. Bazuar në suksesin e ekonomisë kineze, është i vështirë për t’u mohuar kontributi i politikave industrializuese të qeverive. Vendi i entuziastëve të tregut të lirë në histori të mendimit ekonomik do të mbetet i sigurt. Por, ata që menduan sikurse Friedmani lënë një trashëgimi të paqartë dhe të mistershme, sepse ishin intervistuesit ata që shënuan të arritura në historinë ekonomike, atëherë kur vërtet duhej.Dani Rodrik, profesor i politikave ekonomike në Universitetin e Harvardit, është autor i librit “Paradoksi i globalizimit: Demokracia dhe e ardhmja e ekonomisë botërore”. Shkrimi u botua së pari në rrjetin “Project Syndicate”