Nga Josef Kirchengast ("Der Standard")
Nuk është se Julia Timoshenko do ishte një shenjtore, edhe nëse “kurora” e saj simbol mbi kokë do ja sugjeronte këtë. Kush e ka futur atë në ekonominë dhe politiken e Ukrainës nuk mund ta ketë ndërgjegjen e qetë. “Princesha e gazit” ishte pseudonimi i zakonshëm i menaxheres së dikurshme të kompanisë që kishte monopolin e gazit (1995-97) në Ukrainë, para se ajo tok me Viktor Jushçenkon të zinin vend në krye të Revolucionit Portokalli në vjeshtën e vitit 2004. Timoshenko dështoi të merrte presidencën. Viktor Janukoviç, edhe pse me një diferencë të vogël, arriti të triumfonte në garën për president kundrejt Julias në vitin 2010. Në mars 2006, në një intervistë për “Der Standard”, Timoshenko e quante rikthimin politik të Janukoviç (asokohe u bë kryeministër) si “fundin e reformave të vërteta”. Julia nuk do të bashkëpunonte kurrë me Janukoviçin sepse për të ai përfaqësonte “kampin e hakmarrjes politike”. Tashmë, me sa duket ka ardhur koha e hakmarrjes politike. Ironia qëndron tek fakti se: në vitin 2006, pas largimit të saj të parë nga posti i kryeministres, Timoshenko e quajti kontratën e mëparshme të gazit të nënshkruar me Rusinë si “tradhti ndaj interesave kombëtare”. Ndërkohë që tani, për të njëjtën akuzë, ajo u dënua me 7 vjet burg. Me kontratën e re të gazit (2009) që Timoshenko nënshkroi me Moskën, i ka shkaktuar rreth 100 milion euro dëme shtetit të Ukrainës. Timoshenko dhe përkrahësit e saj flasin për një proces politik, në të cilin që në krye të herës është vendosur: kryetarja e opozitës të bëhej dalje të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në dijeni të këtij mendimi para se të jepej gjykimi. Brukseli tashmë kërkon që ta analizojë me themel politiken ukrainase. Por çfarë do të thotë kjo praktikisht? Që nga ardhja në pushtet e Janukoviçit, situata e brendshme politike e Ukrainës është një kopje besnike e situatës në Rusinë e Putinit. Gjyqi ndaj Timoshenkos të kujton procesin e dikurshëm fatal të Jukoshef Mikail Kodorkovskit: Ai u eliminua politikisht dhe kaloi vite të tëra në burg, pasi kërcënonte Kremlinin me ambiciet e tij politike. Dëshiron vërtet Bashkimi Evropian t’ia kthejë krahët Kievit, duke lënë në heshtje marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe atë të asociimit? Me këtë ajo (BE-ja) mund t’i japë kampit prorus një pretekst te përshtatshëm, për t’i hapur krahët Moskës përfundimisht. Instrumentalizimi politik i kontratave të gazit do të thotë: kushdo që të jetë në pushtet në Kiev, duhet të mësohet me rusët. Varësia ndaj gazit rus (gjë e cila vlen gjithashtu edhe për Evropën) nuk pranon asnjë mundësi tjetër. Evropa mund të ndikojë edhe me Realpolitikë në rrjedhën e ngjarjeve në Ukrainë; si p.sh. nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë dhe liberalizimit të vizave, ose më konkretisht nëpërmjet përparimeve të kontrollueshme gjyqësore, me anë të luftës ndaj korrupsionit dhe transparencës së proceseve vendim-marrëse politike edhe në shumë fusha të tjera. Duhen disa momente historike të rrokshme, të cilat mund t?ia bëjnë më të lehtë elitës ukrainase rrugën për në Evropë. Kështu Bashkimi Evropian mund ta kursejë për një kohë të gjatë vendimin mbi perspektiven e anëtarësimit në union - edhe pse jo për gjithmonë.