Putin, gati të rikthehet

 Nga Amanda Paul (Zaman)


 

0128-russia-putin-medvedev

Qëkurse Vladimir Putin dorëzoi presidencën e Rusisë tek Dmitri Medvedev në vitin 2008, Perëndimi ka nisur të spekulojë nëse Putin planifikon të rikthehet apo jo. Tanimë pritja mori fund dhe ne e dimë që Mevedev nuk do të luftojë për të qëndruar në Kremlin. Më saktë, Putin arriti ta bënte atë që për shumë njerëz dukej e pamundur - gjeti një aleat që t’ia mbante ngrohtë krevatin dhe jo të përpiqej t’ia vidhte. Mandati i Medvedevit në zyrë ishte thjeshtë një mundësi që të lejonte Putinin të qëndronte në pushtet pa dhunuar kushtetutën e Rusisë. Medvedev e ka kryer detyrën e tij në mënyrë të përkryer, madje edhe duke iniciuar një ndryshim në kushtetutë, i cili zgjat mandatin presidencial nga katër në gjashtë vjet. Medvedev nuk ishte kurrë rival i Putinit. Ai erdhi në pushtet si një mik i besuar e besnik, dhe i ka qëndruar fjalës. Në fakt, dy burrave u ka shkuar fjala me njëri-tjetrin. Si pasojë, askush nuk duhet të jetë surprizuar kur të shtunën e kaluar Putin njoftoi se do të kandidonte për një mandat të tretë për President në “zgjedhjet” që do mbahen marsin që vjen. 600 deputetët brohoritën teksa dy burrat përqafoheshin. Të flasim shkoqur, Putin nuk e la kurrë me të vërtetë presidencën po të kemi parasysh se ka qenë i përfshirë në çdo vendim, tek për tek, që Medvedev ka marrë - duke u ndalur në takime me helikopter ose duke e këshilluar mënjanë. Teksa Medvedev ecte në Kopshtin e Trëndafilave me Barak Obamën, me siguri në portofolin e tij kishte “udhëzimet” e Putinit. Putin ishte personi kyç në vendimet lidhur me Rezolutën e OKB-së për Libinë, Traktatin e Ri të Kontrollit të Armëve me SHBA-në (START), sanksionet mbi Iranin dhe luftën me Gjeorgjinë. Teksa Rusia lëviz përtej mocioneve të një zgjedhjeje, nuk do të ketë asgjë demokratike. S’ka dyshim se Putin do t’i fitojë zgjedhjet me shumicë dërrmuese dhe do të rikthehet në zyrën ku do të qëndrojë me shumë gjasa deri në vitin 2024. Medvedev pritet të marrë postin e lënë bosh nga Putin. Kështu dyshja Putin-Medvedev do vijojë të funksionojë me rikthimin e Putinit, çka përfaqëson vijimësisë e status quo-së. Në politikën e jashtme të Rusisë nuk pritet të ndryshojë ndonjë gjë e madhe. Moska do të përpiqet të balancojë anëtarësinë e saj në organizatat e forta perëndimore si OKB, G8 dhe OSBE së bashku me të sapoformuarat si Këshilli i Bashkëpunimit i Shangait dhe BRICS (Brazil-Rusi-Indi-Kinë-Afrikë e Jugut), teksa vijon të mbetet forcë dominuese në CIS (Komonuelthin e Shteteve të Pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik). Megjithëse Rusia do vijojë të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-të në çështje të tilla si Afganistani dhe lufta kundër terrorit, me shumë mundësi Putin do të ketë qasje më të ashpër ndaj disa prej shteteve në rajon, të cilat Rusia pretendon se janë pjesë e “sferës së saj të influencës”, përfshirë Bjellorusinë dhe Ukrainën. Tensionet me Gjeorgjinë do të mbesin, të paktën deri kur Presidenti Mikhail Sakashvili të dorëzojë postin në vitin 2013, dhe Rusia të mbajë në agjendë mundësinë e krijimit të një Traktati të ri të Sigurisë për të gjithë rajonin. Putin rikthehet ndërkohë që ekonomia ruse përballet me probleme. Biznesmenët po nxjerrin paratë jashtë vendi teksa personat më të arsimuar dhe të aftë ikin nga puna në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim. Rusia ka nevojë të përshpejtojë rritjen ekonomike në mënyrë urgjente, të luftojë korrupsionin dhe të ndajë ekonominë nga sektori i naftës dhe i gazit. Ka pak gjasa që rikthimi i Putinit të dëmtojë marrëdhëniet e vëna në vend me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse, nëse Obama dështon të rizgjidhet në nëntor 2012 mund të ketë implikime në marrëdhëniet e tyre. Për sa i përket Bashkimit Evropian, Rusia do të mbetet partner i rëndësishëm dhe furnizuesi kryesor me gaz. Teksa BE-ja gjëmon në vendet e Evropës Lindore se duhet t’i përmbahen vlerave të unionit, të tilla si respekti për demokracinë dhe liritë e të drejtat e njeriut, nëse duan të përparojnë në çështjet e prekshme si liberalizimi i vizave dhe marrëveshjet për tregtinë e lirë, nuk do të ruhet e njëjta qasje me rusët. Ndërkohë që BE-ja negocion heqjen e vizave me Rusinë, çështje të tilla si të drejtat e njeriut dhe demokracia përmenden rrallë. Sa për rusët e zakonshëm, ata duket se nuk kanë shumë për të thënë. Teksa erërat e ndryshimit fryjnë në të gjithë botën arabe, Rusia mbetet në botën ku demokracia është interpretuar disi ndryshe. Duke qenë si një figurë kulti, Putin ka aftësi unike për të balancuar interesat e klaneve financiare, ekonomike dhe politike konkurruese që sundojnë Rusinë në një anë, dhe të mbledhë 80% të mbështetjes popullore në anën tjetër. Megjithatë, kur është fjala për udhëheqjen e Rusisë si një e tërë, në veçanti për qeverinë, është vështirë të thuhen fjalë të mira. E vërteta është se Rusia mbetet më shumë një shtet pa ligje, ku ata që janë në pushtet vendosin rregullat e lojës teksa vazhdojnë. Putin mbetet njeriu më i pushtetshëm në Rusi që prej vitit 1998 dhe duket se kështu do të vazhdojë edhe për disa kohë. Kjo do të thotë se ai mund të dominojë skenën politike ruse për mbi 20 vite, duke e bërë Rusinë dinasti të një personi dhe ndoshta përfundimisht edhe të sfidojë rekordin e Stalinit me pothuajse 30 vjet në pushtet.