A janë “Të indinjuarit” amerikanë kundërpeshë e “Tea Party”-t?

 Nga Charlotte Chabas


Wall-street-protest

 

Ndërkohë që “Lëvizja e të Indinjuarve” amerikanë karshi “Wall Street”-it po merr gjithnjë e më tepër revan, shtypi amerikan po ngre mjaft pikëpyetje në lidhje me të ardhmen dhe sfidat e kësaj lëvizjeje rastësore. Disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, “Shtëpia e Bardhë” ka lëshuar një sinjal të fortë ndaj protestuesve. Në një konferencë për shtyp, presidenti amerikan Barack Obama e ka vlerësuar këtë lloj manifestimi - që ai e ka ndjekur “përmes ekranit të televizorit” - si shprehje të pakënaqësisë së amerikanëve. Një përzgjedhje fjalësh që dëshmon se lëvizja ka marrë shkas nga “heshtja mediatike” e denoncuar nga gazetari Keith Olbermann, i njohur për afërsinë e tij me kampin e demokratëve. Por, nëse kampi i Obamës ngjan se po merr masa paraprake ndaj kësaj lëvizjeje, shpërfaqja e militantizmit të saj ka ngjallur jo pak shqetësime edhe brenda radhëve të demokratëve. I pyetur për ngjashmëritë e kësaj lëvizjeje “Anti-Wall Street” me lëvizjen e “Tea Party”, presidenti amerikan ka parapëlqyer t’i bjerë anash e anash. Por zëvendësi i tij, Joe Biden, është treguar më pak i rezervuar, duke pohuar se të dyja lëvizjet “kanë shumë të përbashkëta”, nënvizon “Los Angeles Times”. Të bashkuara në një pikë, në kundërshtinë e shprehur ndaj sistemit politik, të dyja lëvizjet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Që nga dalja e tyre publike në vitin 2009, formacioni politik “Tea Party” është shfaqur deri më tani si ortak me peshë në radhët e republikanëve, dukë dhënë kontributin e spikatur në fitoren e zgjedhjeve legjislative të vitit 2010. Por fatkeqësisht, kjo lëvizje po i tërheq republikanët gjithnjë e më shumë drejt cepit të djathtë, çka është e dëmshme në rastin e fushatave zgjedhore?, vëren më tej Los Angeles Times. Një lëvizje kjo e “kundër-dobishme” që kësaj radhe do të çonte ujë në mullirin e demokratëve. Pa pritur e pa kujtuar, të dyja kampet përkatëse të protestuesve mund të jenë përcaktuese të fatit të zgjedhjeve presidenciale, kur deri më tani pritshmëritë lidheshin me radhët e shtrënguara të palës republikane nga njëra anë dhe përballjet me jo pak situata të vështira të demokratëve, nga ana tjetër, analizon më tej “Los Angeles Times”. Duke cituar një ekspert të strategjive liberale, e përditshmja amerikane pohon se lëvizja e protestuesve kundër Wall Street-it mund të shërbejë si nxitëse dhe mobilizuese e bazës elektorale të demokratëve. Një rigjallërim i lëvizjes, që sipas gazetarëve të “Politico”-s përputhet me dy standardet që po përdor Barack Obama kohëve të fundit, “herë i përkorë, e herë populist”. Ndërkohë, një numër i madh demokratësh parapëlqejnë ta ndjekin në heshtje lëvizjen që po hedh shtat rrugëve, “duke shprehur drojën për t’u përfshirë drejtpërsëdrejti në një lëvizje ku shtimi i radhëve dhe synimi mbeten ende të paqarta”, vëren “Wall Street Journal”. Në këtë mënyrë, demokratët mund të humbasin zgjedhësit e moderuar, ata që i përkasin shtresës së mesme apo edhe donatorët “e kënaqur”, nëse e ndajnë mendjen të mbështesin hapur protestuesit “më radikalë”, pohon kjo e përditshme. Duke e krahasuar politikën e kampit të Obamës me një “gjëagjëzë populiste”, “Wall Street Journal” vëren se Partia Demokrate “po orvatet të përthithë energjitë e lëvizjes kundër “Wall Street”-it pa rrezikuar ngjalljen e debateve në lidhje me luftën e klasave”. Nga ana tjetër, republikanët po përpiqen të nxjerrin përfitime nga kursi “radikal” i protestuesve, për të mbledhur të moderuarit në gjirin e tyre. Kanali “FOX News”, i njohur për qëndrimet e tij të spikatura në mbështetje të republikanëve, ofron fjalët e republikanit Peter King, tri herë i zgjedhur në distriktin njujorkez, që i shquan si “të turpshme” deklaratat e Obamës. “Duhej që ai të akuzonte protestat, ato janë të paligjshme dhe nuk i shërbejnë asnjë kauze të vërtetë. Apo edhe fakti që presidenti apo ndokush tjetër që bie në një mendje me të duan të përfitojnë nga këto protesta, është papërgjegjshmëria vetë”, shfryn zemëratën e tij i zgjedhuri i trihershëm njujorkez. Me një gjuhë më të moderuar, disa republikanë po orvaten në të njëjtën kohë që t’i tërheqin protestuesit nga kampi i tyre. “Ne i kuptojmë arsyet e acarimit të qytetarëve përballë masave ekonomike që ka ndërmarrë Obama, por ne nuk besojmë se protestat do të prodhojnë vende pune” shpjegohet në këtë mënyrë një zëdhënës i kandidatit paraprak republikan Rick Perry, në faqet e gazetës Wall Street Journal. Nëse amerikanët kanë shpenzuar kaq kohë për t’u mobilizuar në protesta, tashmë ata po shfaqin mjaft interes ndaj së ardhmes së këtyre protestave. “Protestat kanë pësuar një rritje të konsiderueshme brenda pak javëve, ndërsa deklarimet e presidentit mund të përbëjnë një provë të gjallë se këto manifestime po shndërrohen pak nga pak në një lëvizje politike”, thekson Chicago Tribune. Megjithatë, e ardhmja e kësaj lëvizje mbetet një ekuacion me shumë të panjohura. Lëvizja kundër qendrës financiare më të fuqishme në botë mbetet ende e mjegullt, që gjithsesi do të dëmtojë imazhin e politikës aktuale amerikane. Megjithatë, edhe brenda lëvizjes vërehen jo pak amulli. Pa e kursyer ironinë, “Christian Science Monitor” vëren se protestuesit “fshikullojnë pronarët e mëdhenj, por nuk i kanë kursyer lotët për Stive Jobs”, themeluesin e “Apple” që ndërroi jetë të mërkurën e 6 tetorit. Në rrjetin social Twittter, mjeti kryesor në dobi të protestuesve, në një deklaratë të lëshuar në emër të protestuesve thuhet se “shumë anëtarë të lëvizjes që gëzonin respekt për Steve Jobs, do ta ndjejnë mungesën e tij”. Më tutje, në po këtë faqe, njeri nga protestuesit shkruante kështu: “U prehtë në paqe gjeniu krijues që ka dhënë kontributin e tij për të na e mundësuar ne Të Gjithëve mbajtjen e lëtyre protestave”.