pyetje që shtrohet për ngjarjet revolucionare që po ndodhin në botën
arabe është: beteja në Libi dhe në shtete të tjera është përplasja mes
një diktatori brutal dhe opozitës demokratike, apo një luftë mes tribuve
të ndryshme? Në fakt, në Lindjen e Mesme, ekzistojnë dy shtete të
ndryshme: “shtetet e vërteta” që ishin një identitet kombëtar (Egjipti,
Tunizia, Maroku, Irani) dhe “shtetet–tribu” që janë bërë bashkë nën një
flamur të përbashkët. Kombe të cilëve u janë vënë kufij në mënyrë
artificiale dhe nga fuqitë koloniale brenda të cilëve ndodhen si “në
kurth” dhjetëra fise dhe tribu të ndryshme dhe sekte që nuk kanë mundur
kurrsesi që të shkrihen në një familje të përbashkët. Në këto shtete
mund të përmendim Irakun, Libinë Jordaninë, Arabinë Saudite. Tributë dhe
sektet janë mbajtur bashkë nga një dorë e hekurt, nga dora e fuqive
koloniale, mbretërve, apo diktatorëve që kanë sunduar me gjak. Ndryshimi
demokratik në pushtet është i pamundur, sepse çdo tribu jeton me moton:
“Ose ne në pushtet, ose vdesim të gjithë”.
Nuk është rastësi që revoltat për demokraci në Lindjen e Mesme kanë
nisur në tre “shtete të vërteta”: Irani, Egjipti, Tunizia, që kanë
popullsi moderne, shumica homogjene dhe kanë aftësi të mjaftueshme dhe
besim që të krijojnë koalicione edhe mes fiseve dhe familjeve të
ndryshme. Në këto vende edhe suksesi ka qenë më i madh. Por në momentin
që këto revolucione janë shpërndarë në shoqëri më tribale, më sektare
është e vështirë që të kuptosh se ku mbaron kërkesa për demokraci dhe ku
fillon motoja: “Tribuja ime, ose u bëftë vendi shkrumb e hi”.
Në Bahrejn, pakica sunite e barabartë me 30% të popullatës, qeveris
shumicën shiite që përbën pjesën më të madhe të popullsisë. Falë
martesave të përziera, shumë shiitë dhe sunitë janë shkrirë bashkë nga
sjellësit e identiteteve politike moderne dhe janë gati që të pranojnë
edhe mënyrat demokratike të qeverisjes së shtetit. Por kjo vlen për një
pjesë të popullsisë, sepse për shumë banorë të shtetit të Bahrejnit,
jeta është një luftë e vazhdueshme dhe nuk mund të kuptohet ndryshe, pra
një luftë mes sekteve dhe tribuve për pushtet. Ajo është një lojë që
nuk fitohet kurrë dhe asnjëherë nga askush në mënyrë përfundimtare. Dhe
kjo vlen si për familjen Al Khalifa, e cila është aktualisht në qeveri
dhe që nuk ka ndërmend që të vërë në rrezik të ardhmen e sunitëve në
këtë vend, ashtu edhe për pjesën tjetër. Iraku është një shembull i mirë
për të kuptuar se çfarë ngjet dhe se sa sforco duhen për të
demokratizuar një vend të madh arab, të ndarë në sekte dhe tribu, pasi
nuk ndodhet më në poste një lider që qeveris me grusht të hekurt (në
këtë rast i referohemi si Sadam Huseinit, ashtu edhe Shteteve të
Bashkuara që nuk janë më në pushtet). Duhen miliarda dollarë, qindra
mijëra ushtarë vetëm nga Shtetet e Bashkuara për të arbitruar këtë vend,
për të mos përmendur koston e madhe njerëzore që kanë paguar vendasit
në gjithë këto vite. Është një konflikt civil i përhershëm, në të cilin
të dyja palët duhet që të masin forcat e tyre. Kjo duket edhe në
Kushtetutë, e cila është shkruar dhe parë nga të gjitha sektet dhe
tributë, që vendos rregulla bashkëjetese pa qenë nevoja e liderëve me
grusht të hekurt.
Të bësh irakianët që të ulen për të shkruar me qetësi dhe
gjakftohtësi kontratën e tyre sociale është gjëja më e rëndësishme që ka
bërë Amerika. Është fakt se edhe vendet me dasi të mëdha tribale dhe
fetare, pas një trazire të madhe dhe sakrificash, mund të kalojnë nga
një shtet sektar në një shtet me tipare demokratike. Megjithatë, për
Irakun, nuk mund të themi se është ende një mision i kryer. Ai është më
tepër një shpresë që ndoshta mund të përfundojë mirë dhe me sukses, por
për këtë do të duhet ende shumë kohë dhe përpjekje të tjera nga
irakianët dhe ndoshta edhe komuniteti ndërkombëtar. Meqenëse jemi tek
irakianët, ata nuk e kanë zgjidhur ende mes tyre dilemën: Iraku është
kështu sepse Sadami ishte ai që ishte, apo Sadami ishte ai që ishte,
sepse Iraku është një vend i tillë sektar dhe me probleme të mëdha
dasish?
Të gjitha shtetet e tjera që sot janë shndërruar në terrene revoltash
si Jemeni, Siria, Bahrejni dhe Libia janë “fabrika” të luftërave civile
të tipit irakian. Disa mund të kenë fatin që ushtria të mund t’i çojë
drejt një forme demokracie, por nuk është për të vënë bast mbi një fat
të tillë për të gjithë. Me fjalë të tjera, Libia është vetëm një
shembull i parë i shumë dilemave morale dhe strategjike, para të cilave
do të asistojmë hap pas hapi që revoltat bëjnë përmasa mes tribuve, që
janë bërë bashkë nën një flamur dhe i thonë vetes shtet. Për sa i përket
Egjiptit, forca e lëvizjes demokratike në këtë vend e kishte bazën tek
autonomia. Të rinjtë egjiptianë ishin shumë më të avancuar dhe më të
përgatitur në luftën për liri. Por kjo nuk ndodh në vende të tjera, ku
forma të tjera qeverisjeje e kanë lënë popullsinë në një stad jo aq të
ndërgjegjshëm dhe mbi të gjitha, pa një rrugëdalje edhe në rastin e
përmbysjes së pushteteve aktuale despotike. Ka shtete, situata në të
cilat mund të shembet dhe shkërmoqet dhe në vend që “të vihen vetulla,
dalin edhe sytë”. I tillë ishte rasti i Irakut dhe mund të jetë edhe ai i
Libisë, mbi të gjitha nëse nuk e dimë mirë se cilat janë realisht
grupet që sot po bëjnë luftë me njëri-tjetrin në këtë vend mes qyteteve
të tij. Fare mirë mund të jetë një luftë mes tribuve që kërkojnë pushtet
dhe që në këtë rast përdorin gjuhën “demokraci”, për të mbuluar gjurmët
e synimeve të vërteta e të vjetra. Kjo do të thotë që të gjithë liderët
ndërkombëtarë dhe fuqitë duhet që të jenë shumë të kujdesshëm kur bëhet
fjalë për mbështetje të palëve të ndryshme apo njohje qeverish të reja
të sapodala nga protestat. Një blof në këtë rast nuk do t’i shërbente
askujt. Për më tepër që tani, edhe vendet që kanë ndërmarrë sulmin në
Libi kanë problemet e tyre financiare dhe sociale dhe nuk mund të
humbasin kohë, para dhe energji me një problem që ose nuk ekziston, ose
është ndryshe nga sa “shitet”. Vende të tilla, në radhë të parë, duhet
që të zhvillojnë një politikë ndryshe, që të mund të “shfuqizojë”
Gedafët nëpër botë, të cilët sundojnë me grusht të hekurt mbi toka të
stërpasura dhe si pasojë, kërkojnë ruajtjen e përjetshme të status-kuosë
së sundimit të tyre.





