Fergie i pakënaqur me lojtarët

Sir Alex Ferguson i ka quajtur lojtarët e tij ‘të pakujdesshëm’ pasi ata lejuan Baselin të rikthehen nga disavantazhi 2-0 për të kaluar madje në avantazh 3-2, në barazimin e mbrëmshëm në Old Trafford.
Danny Welbeck kaloi vendasit në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë, por zviceranët arritën të rikthehen dhe ta përmbysin atë me dy gola të Alex Frei dhe një të Fabian Frei, para se Ashley Young të shënojë golin e barazimit për Djajtë e Kuq.

“Mendoj se kishte pakujdesi te ne gjatë ndeshjes. Pjesa sulmuese ishte shumë e mirë – ne bëmë një futboll shumë të mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Por kishte pakujdesi te ne dhe vërtet, ata mund të kishin shënuar tre gola në pjesë të parë”.

“Mendoj se në shumë aspekte kjo ishte një ‘mirë se erdhe në futbollin evropian’ pasi ata ishin shumë tolerant në disa momente të ndeshjes. Ne ishim të pakujdesshëm. Është një thirrje për zgjim në shumë aspekte. Mungesa e përqendrimit na bëri që ne ta dorëzojmë ndeshjen, por ne e shpëtuam”, ka thënë Fergie.