Dzeko i kërkon falje Mancinit

Sulmuesi i Manchester Cityt, Edin Dzeko, ka konfirmuar se kërkim falja e tij është pranuar nga Roberto Mancini, pas reagimit të papranueshëm gjatë zëvendësimit në takimin e Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munich.
"E di se reagimi im [kur u zëvendësova] ishte i keq dhe kam folur me djelmoshat dhe trajnerin. I kam kërkuar falje për reagimin dhe Roberto e ka pranuar atë dhe ka thënë se gjithçka është okej dhe se ne duhet të jemi pozitiv për ndeshjen e ardhshme".

"Isha i pakënaqur sepse ne ishim në disavantazh 2-0 dhe unë doja ta fitoj ndeshjen. Ishte diçka e veçantë. Ishte e veçantë për mua të kthehem në Gjermani, ku kam luajtur për aq gjatë dhe doja të luaj mirë dhe doja që ekipi t'ia dalë mirë. Gjërat nuk shkuan mirë për ne. Kjo është arsyeja se pse isha shumë i shqetësuar", ka zbuluar Dzeko.

Megjithatë ndeshja u karakterizua nga një skandal tjetër, refuzimi i Carlos Tevez për t'u inkuadruar si zëvendësues, që rezultoi me suspendimin e tij për dy javë nga klubi.