Nga Ilirian Dahri
Ex oriente lux – shkruanin latinët. Drita vjen nga Orienti, por tani prej vendeve tashmë të fuqishme nga ana ekonomike të Orientit, sidomos nga Kina drejt Europës, po vërshon edhe valuta. Parë nga ky këndvështrim edhe përpjekjet e qeverisë shqiptare për marrëdhënie sa më të mira me Kinën shprehin largpamësinë e kësaj qeverie për të thithur investimet kineze. Në vizitat që kohët e fundit delegacionet kineze kanë bërë në vendin tonë Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i ka cilësuar këto vizita si shumë të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Edhe përfaqësuesit kineze janë shprehur se vlerësojnë vullnetin e qeverisë shqiptare për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimin e shpejtë dhe të jashtëzakonshëm, veçanërisht në fushën ekonomike të Shqipërisë, në një kohë të krizës globale. Shumë projekte të përbashkëta kanë nisur të tjerë akoma janë në fazën e studimit. Ndërkaq kinezët po përpiqen që investimet e tyre të përqëndrohen gjithmonë dhe më shumë drejt Europës qëndrore dhe asaj lindore duke ndihmuar gjithashtu edhe vendet e Bashkimit Europian të prekura nga kriza globale. “Kemi ardhur për Italinë dhe Spanjën, vende ku në ndryshim nga Greqia ja vlen të investohet”- kështu janë shprehur disa të deleguar kinezë të China Investment Corp që po kryenin disa takime me ministri të ndryshme italiane ku interesoheshin më së shumti për infrastrukturën dhe industrinë italiane. Kinezët padyshim kërkojnë firma të vogla por edhe ato të mëdha në të cilat mund të investojnë por kanë edhe projekte të mëdha siç është edhe ura e Mesinës që do të lidhë ishullin e Siçilisë me gadishullin. Por pikërisht në Siçili interesi i kinezëve duket se është rritur. Nëntorin e vitit të kaluar Banka kineze ka firmosur një memorandum për financimin e tetë projekteve infrastrukturore në ishull pa harruar edhe 90 milionë euro që duket se po mbërrijnë në Siçili për zgjerimin e disa porteve siçiliane të cilët do të shërbejnë për të pritur anije të mëdha dhe kontenierët e tyre. Por Kina është e interesuar edhe për veriun e Italisë, siç e vërteton edhe interesimi i tyre për Adriatikun e veriut një projekt ky që arrin në shifrën e 700 milionë eurove. Që Kina po interesohet për vendet europiane kjo është shumë e qartë, pasi ka ndihmuar edhe buxhetin e Hungarisë, në qershor të këtij viti me një hua prej 1 miliardë eurosh në mënyrë që të ulte presionin e borxhit publik hungarez, Jiabao do të shprehej nga Budapesti se: “Tregtia e Kinës me vendet e Europës qëndrore dhe lindore ishte vetëm 3 miliardë dollarë në vitin 2000. Ndërsa në 2010 ka kërcyer në 40 duke dëshmuar një rritje prej 38,7% në vit”. Madje Kina ka ndihmuar edhe një shtet si Moldavia, në vitin 2009 duke dëshmuar kështu se kinezët janë të interesuar edhe për vendet e jugut të europës. Në fakt, kinezët firmosën me autoritetet moldave për një hua që kapte vlerën e 1 miliardë dollarëve, një shumë kjo që ishte sa 10% e Gdp të këtij shteti nga më të varfërit e Europës por me kushte shumë të favorshme. Në këtë mënyrë Kina kërkonte që në fillim të merrte pjesë në tregun europian me vendet periferike të Europës shpeshherë të lënë në harresë nga vetë Europa. Por edhe me Londrën, Kina kërkon që të arrijë në një projekt sipas të cilit në vitin 2015 shkëmbimet mes Kinës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të arrijnë në 100 miliardë dollarë. Kinezët po blejnë Europën? –kështu shkruhej në një raport të Këshillit europian i cili vinte në dukje volumin e investimeve kineze sidomos në Europën qëndrore dhe atë lindore, që aktualisht kap shifrën e 10% të totalit në Europë. Vlen për t’u përmendur se kinezët kanë blerë kolosin hungarez të sektorit kimik, kërkojnë të investojnë 1 miliardë euro në Rumani në projekte infrastrukturore, kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e aeroportit të ri të Zagrebit ndërsa me Bullgarinë kanë një projekt të përbashkët për një park industrial. Në të vërtetë nisur edhe nga rezervat e shumta të valutës të cilat arrijnë në 3.200 miliardë dollar, këto dy vitet e fundit Pekini ka dëshmuar edhe një interes për vendet e Bashkimit Europian. Në vitin 2009 arriti të blinte dy terminalët tregtarë në portin e Pireut, pastaj filluan të shikonin me interes edhe fazat e krizës që po kalonte Portugalia, dhe pastaj Spanja. Por shpeshherë është vënë rë se, edhe pse Kina ka ndërhyrë në borxhet e vendeve europiane për një shifër që kap vlerën e 600 milardë eurove, jo gjithçka që është premtuar është realizuar, sepse interesi kryesor i kinezëve janë projektet e mëdha infrastrukturore që në të njëjtën kohë janë edhe objektivi kryesor i politikës së saj ekonomike me jashtë.





