“Corriere della Sera”
Turqia dhe censura e kanë dashur gjithnjë njëra-tjetrën dhe pse kanë falur tradhti të shumta reciproke. “Tropiku i Bricjapit” i Henry Miller u ndalua për gjëra të turpshme në vitin 1985 nga qeveria e Turgut Ozalit, ministri i parë laik pas grushtit të fundit ushtarak të shtetit. Që prej asaj kohe, me një sertësi fleksibёl dhe me intensitet të ndryshueshëm, iu shpall luftë kategorive të ndryshme librash, autorësh dhe botuesish. Neni famëkeq 301 i Kodit Penal, në fakt, i trondiste të akuzuarit, që rrezikonin një arrestim të gjatë, por që në fakt nuk u aplikua kurrë. Në kuptimin që askush për krimin e “fyerjes ndaj identitetit turk”, nuk përfundoi në burg.
Ndalimet, nga ana tjetër, u kanë interesuar botimeve politike, si psiko-biografia e të “pavdekshmit Ataturk”, e shkruar nga amerikanët Vamik D. Volkan dhe Norman Itzkowitz, pjesërisht hetim për përdhosjen e fëmijërisë dhe për kthesat e fshehta të karakterit të themeluesit të Republikës. Kjo ngjalli skandal dhe prodhoi censurën e “Aphrodite” të Pierre Louys, e shkruar në vitin 1933 dhe që u cilësua një botim pornografik. Në këtë periudhë u ndaluan edhe botimet komike, pikërisht siç ndodhi në Itali në vitet 60, kur dy deputetë frikësuan autorët e materialeve rreth manastirit, por nën aromën e dhunës, si Tex Willer, Bleku i Madh dhe Kapiten Miki. Botimet komike shpëtuan, por u censuruan dhe iu vu shenja GM, që do të thoshte “garanci morale”, por kryeministri dhe më pas president turk, Turgut Ozal, nuk pranoi kurrë të dëbonte Tex, sepse vetë ai e lexonte me vëmendje.
Sot, me qeverinë e moderuar islamike të Recep Tayyip Erdogan, censura po përjeton një rritje të frikshme të intensitetit. Aq shumë, saqë presidenti i Asociacionit dhe i botuesve, Metin Celal, nuk hezitoi të fliste për një “annus horribilis”. Problemi është se sëpata e censurave nuk goditi vetëm veprat që u konsideruan të turpshme, por edhe ato që sfidojnë ortodoksinë islamike të kryeministrit. Sigurisht, në Shtetet e Bashkuara bën efekt lufta e shpallur nga Ankaraja, prillin e shkuar, karshi “Soft Machine”, e shkruar nga shkrimtari i famshëm amerikan, William S. Burroughs, librat e të cilit ishin shpërndarë edhe në gjuhën turke. Komiteti Presidencial (i kryeministrit) për mbrojtjen e fëmijërisë e cilësoi punën “jo letrare”. Akoma më i ashpër ishte gjykimi mbi romanin “Snuff”, nga një shkrimtar tjetër i famshëm amerikan, Chuck Palahniuk, i përcaktuar si një botim monstruoz, shumë i turpshëm. Komiteti, i përbërë nga 10 anëtarë, midis të cilëve vetëm një grua, akuzon tekstin se është fyes ndaj grave dhe moralit turk: “Në libër një grua bën seks me 600 burra që hyjnë në dhomën e saj dhe këta përshkruajnë me detaje marrëdhëniet dhe fantazitë”.
Ashpërsia e linjës së censurës duket se ndjek karakterin e lëkundur të kryeministrit Erdogan, i cili është i ashpër dhe jo tolerant, siç po tregohet në lidhje me Izraelin, por i gatshëm të përdorë “rrugën e dyfishtë”, mbi të gjitha në politikën e jashtme. Mjaft i ashpër kur ndjek strategjinë e ministrit të Jashtëm, Ahmet Davutoglu, që mban flamurin e linjës së neo-Otomanizmit, më i kujdesshëm kur bashkohet me zëvendëskryeministrin Egemen Bagis, europian i bindur, njeriu të cilit Erdogan i ka besuar dosjet më delikate, negociatat për anëtarësimin në BE.
Një vend që dëshiron të bëjë pjesë në grupin e Brukselit si Turqia, e bekuar me një rritje për t’u pasur zili, me një klimë të favorshme ekonomike dhe një peshë në rritjen ndërkombëtare, nuk mund të rrëshqasë çdo muaj në kënetat e censurës. Siç ndodhi me regjisorin e madh Emir Kusturica, i ftuar si anëtar jurie në festivalin kinematografik të Antalyas, por që u akuzua se “nuk kishte marrë pozicion kundër krimeve të serbëve karshi myslimanëve të Bosnjës”. Megjithatë, Kusturica shkoi në Antalya, por e detyruan të kthehej në shtëpi. Përvojë e turpshme dhe eksperienca e çmimit Nobёl, Vidiadhar Naipaul, i ftuar nëntorin e kaluar në Stamboll, me kërkesë të parlamentit të shkrimtarëve europianë. I kontestuar me ashpërsi nga disa kolegë se “kishte fyer Islamin dhe myslimanët”, nuk zbriti në Turqi sepse takimi ishte “i paragjykuar në mënyrë të qartë”. Naipaul, mbërriti në Bosfor korrikun e kaluar, pa vërejtje. Gjithashtu dhe një Nobёl tjetër, një lavdi e Republikës, Orhan Pamuk, u dënua disa muaj më parë që t’i paguante 6.000 lira turke, rreth 3.000 euro gjashtë personave që kundërshtonin intervistën e famshme në një gazetë zvicerane kur Pamuk tha se: “kemi vrarë 30.000 kurdë dhe 1.000.000 armenë”.
Për ta mbyllur: në Turqi nuk ekziston një listë zyrtare e autorëve të ndaluar, por ka një listë librash që nuk mund të publikohen. Lista e gati rreth 100 autorëve turq tek “indeksi” ka në krye, me tre vëllime, kreun gueril të turqve, Abdullah Ocalan, i dënuar me burgim të përjetshëm, por kjo ngjarje nuk përbën lajm.





