Rreziku që vjen prej vegimeve apokaliptike

Nga Joost Lagendijk (Zaman)


 

Edhe pse kanë kaluar më se dy javë pas sulmeve terroriste të kryera në Norvegji, shumë evropianë po vrasin ende mendjen për të nxjerrë mësimet e duhura nga këto zhvillime rrëqethëse. Optimistët shpresojnë se pjesa dërrmuese e qytetarëve të tronditur do të dalin në përfundimin se Evropa duhet të pranojë rolin e shoqërisë multikulturore dhe që orvatjet e ekstremistëve për të mohuar apo çrrënjosur këtë realitet do të shpien gjithnjë e më shumë drejt veprimeve të dhunshme. Të tjerë shprehin drojë se Islamofobia tek e cila ishte mbështetur masakra e Oslos i ka rrënjët thellë në shoqërinë evropiane, ndërsa populistët e ekstremit të djathtë që ushqejnë ndjesitë antimyslimane e antimultikulturore do të jenë të aftë t’i mbijetojnë stuhive të ditëve të sotme, duke u kapur fort te argumenti se Brejviku ishte thjesht një “ujk i ndërkryer, por i vetmuar”. Në këtë kuptim, e gjej me vend të sjell në vëmendjen e lexuesit zhvillimet politike në Holandë (kolumnisti është holandez origjinar dhe ish-parlamentar evropian) ku ka një koalicion qeverisës disi të çuditshëm ndërmjet ekstremit të djathtë të udhëhequr prej Geert Wilders-it dhe disa prej kundërshtarëve të tij më të zjarrtë, që nuk do të kishin pikë dëshirë të ndanin fatin me retorikën agresive të tij dhe me përshkrimet e fundit që Brejviku ka bërë për kryetarin e “Partij voor de Vrijheid” (PVV, Partia e Lirisë). Si populistët ashtu edhe mbrojtësit liberalë të lirisë së pakufishme të shprehjes, kundërshtojnë kryekëput çdo lloj gjase se politikanët islamofobë dhe blogerët mund të kenë krijuar një klimë në të cilën ekstremistët ideologjikë si Brejviku të dalin në përfundimin se tashmë fjala nuk ka më vlerë dhe se sot e tutje duhen ndërmarrë veprime radikale e të dhunshme. Lajmi i mirë qëndron në faktin se në debatin që zhvillohet në Holandë, vetë Geert Wilders-i që admirohet ng Brejviku si politikani më me sqimë i linjës konservatore, ndodhet nën trysninë e fortë të publikut të gjerë vendas për të qartësuar pozicionin e tij. Në disa prej gazetave holandeze nuk kanë qenë të pakët editorialistët dhe kolumnistët që i kanë bërë thirrje liderit të “Partisë së Lirisë” për të kthjelluar kuptimet e shprehjeve të tij: “të luftojmë për lirinë tonë”, “për të pastruar rrugët tona”, apo edhe “t’i dëbojmë myslimanët”. Sipas kritikëve të tij, nuk do të ishte aspak befasuese për Wilders-in që disa prej ndjekësve të tij të mos e interpretonin foljen “të luftojmë” si ftesë për pjesëmarrje në procesin e gjatë e të mundimshëm demokratik. Me qëllim që të parandalojë çdo lloj keqkuptimi të mëtejshëm të ideve të tij, Wilders-i duhet të theksojë në mënyrë të qartë se përdorimi i dhunës nuk përligjet në demokraci. Të tjerë, kanë kërkuar me ngut që kryetari i “Partisë së Lirisë” të ndalë përdorimin e metaforave luftënxitëse. Lajmi i keq në këtë rast është se të gjitha përpjekjet për ta shtrënguar Wilders-in për të hequr dorë nga retorika e tij provokuese vijnë prej një kahje: nga mediat e politikanët liberalë, si dhe ata të qendrës së majtë. Dy partitë konservatore në pushtet që varen nga mbështetja që u ofron Wilders-i për të qeverisur vendin, po bëjnë qindin për të depolitizuar situatën. Mediat pranë tyre nuk i kanë kërkuar kreut të populistëve të marrë përgjegjësitë e veta në lidhje me gjuhën e dhunshme dhe ekstremiste që është përdorur si opium për yshtur përkrahësit e tij apo dhe atë vetë. Në këtë klimë thuajse të polarizuar, ka edhe një përjashtim interesant. Bart Jan Spruyt është një intelektual konservator e kolumnist që më parë ka qenë i afërt me Wilders-in. Ai është shprehur shkoqur se Geert Wilders-i është tërthorazi përgjegjës për çka ndodhi në Oslo. Argumenti i tij kryesor është se Wilders-i krijoi “vizionin apokaliptik” siç e shquan ai. Sipas Spruyt-it, populisti holandez është fajtor për shprehjet i tij të stërpërsëritja se shoqëria perëndimore është në buzë të theqafjes, se politikat demokratike janë zhvleftësuar nga ?tradhtarët liberalë e social-demokratë?, duke lënë të kuptohet se vetëm masat drastike mund të parandalojnë rrëmetin. Analiza që i bën Sruyt-i kësaj dukurie është në të njëjtën gjatësi vale me konstatimet e akademikut amerikan Juan Cole, i cili është autori i librit “Përfshirja e Botës Myslimane”
, ku argumentohet se shoqërinë perëndimore e ka kapluar paniku ndaj Islamit si pasojë e keqinformimit dhe përçimit të frikës. Në librin e tij, autori amerikan përpiqet të zhbjerrë mitet që lidhen me Islamin. Kur flet për mizoritë e Oslos, Juan Cole e krahason frikën që ka zaptuar Brejvikun se “Evropa po humbet identitetin e saj si pasojë emigracionit masiv e të pakontrolluar të myslimanëve”, me një tjetër kohë; asokohe kur njerëzit patën përshtypjen se ndryshimet e padëshiruara si pasojë e emigracionit do të vinin sa hap e mbyll sytë. Më lejoni t’ju bëj me dije disa nga përfundimet e tij, pasi jam i mendimit se në to janë të përmbledhura mjaft mirë rreziqet që vijnë prej gjuhës së urrejtjes së përdorur nga Wildersi e të tjerë: “Të shqetësohesh për ndikimin e emigracionit, nuk ka asgjë të keqe. Të kundërshtosh idetë politike të së majtës është e drejta e gjithkujt në demokraci”. “Të kundërshtosh besimet fetare është diçka e natyrshme”. Por, kur dëgjon njerëz që kur bisedojnë i tollovisin të gjitha së bashku; kur të zë veshi ndasi zvetënuese dhe përdorim të retorikës bardhezi; kur dëgjon se e kanë marrë seriozisht kërcënimin, dhe për gjithçka tjetër shprehin bindjen e patundur se “veprimtaritë e papërfillshme” që ata urrejnë ka shumë gjasa të kenë ndikim revolucionarizues, atëherë vërtet duhet të frikësohesh, madje të të ngjethet mishi. Ngaqë, kur ekstremistët japin leksione urrejtjeje, dhuna është në prag.