Real Madridi mposht LA Galaxy

Nostalgjia nuk ishte përvojë edhe aq e këndshme për David Beckham të shtunën mbrëma në Los Angeles Coliseum, pasi që e pa të mposhtur ekipin e tij, L.A. Galaxy nga ish-ekipi i tij Real Madrid me rezultat 4-1.


Ishte transferimi i kësaj vere i Realit José María Callejón ai i cili e zhbllokoi rezultatin (31'). Nëntë minuta pas këtij goli i riu Joselu arriti që ta dyfishojë epërsinë. Rezultati i pjesës së parë ishte 2-0.


Në pjesën e dytë, në listën e golashënuesve futet edhe golashënuesi më i mirë i Realit sezonën e kaluar, Cristiano Ronaldo (53'). Golin e fundit të Realit në këtë ndeshje e shënoi Karim Benzema (58').


Adam Cristman shënoi golin e nderit për L.A. Galaxy në minutën e 67.


Ishte ky takimi i parë parasezonal i Realit, ndërsa takimin e radhës e zhvillon më 20 korrik ndaj Chivas de Guadalajara.