Adios Argjentina!

Argjentina është eliminuar nga Copa America pasi u mposht në çerekfinale pas penaltive nga Uruguai në ndeshjen e zhvilluar në Santa Fe, në Argjentinë, ku dhe po mbahet kompeticioni.
Ndeshja filloi në mënyrë tejet dinamike, pasi skuadrat kërkuan portën e njëra-tjetrës.

Ishte Diego Perez ai që pas gjashtë minuash lojë arrin që të përvidhet në zonë dhe të shënojë për 1-0 dhe shokun në Santa Fe ndër mijëra argjentinasit.Mirëpo, kur ke në ekip një jashtëtokësor si Lionel Messi, ndodh që ta barazoni shpejtë rezultatin. Një pasim hyjnor, i jashtëzakonshëm, ai pasim prej Zoti të futbollit e nxori para porte Gonzalo Higuain (18’), i cili shënoi për 1-1. Nuk munguan ovacionet, e as përqafimet ndër Madrilenë e Blaugranë.Në vazhdim loja ishte tejet e baraspeshuar, para se Diego Perez (39’) të largohej me karton të kuq nga loja, për t’u freskuar në zhveshtoret e stadiumit.
Në pjesën e dytë përsëri lojë monotone dhe tensione të shumta. Rasti më i mirë i takoi Higuainit, i cili pas një pasimi nga Messi me një kthim nuk arriti të shënonte në portën e Musleras.
Në fund të takimit Tevez tentoi që të shmangte vazhdimet, por gjuajtja e tij e lirë përfundoi në këmbët e Musleras. Në ato momente u largua nga loja edhe Mascherano me kartonin e dytë të verdhë, duke bërë që ndeshja në vazhdime të shkonte me rezultat 1-1 dhe me 10-10 në lojtarë.
Uruguai në vazhdime shpresoi duke menduar se ka gjasa për ta bërë çudinë, por nuk arriti të rrezikojë. Messi vazhdoi me tentimet, por më kot kishte probleme me mbrojtësit e Uruguait.
Ndeshja u desh që të vendosej pas penaltive dhe ashtu si gjatë gjithë takimit, fantastik u tregua Fernando Muslera i cili ndali penaltinë e Carlos Tevez, për ta kualifikuar kështu Uruguain në çerekfinale të garës, ku do të takohet me Perun.
Argjentina kështu eliminohet nga Copa America përkundër faktit se ishte nikoqire dhe kishte pranë vetes tifozët. Së pari Bolivia, më pas Kolumbia dhe vuajtjet vazhduan edhe ndaj Uruguait, kurse Lionel Messi mund të vazhdojë ëndrrat e tij për trofe me kombëtaren.