Doli nga shtypi dhe u publikua libri i dytë i Magjistër Ardian Ramadanit, me titull “Shpalosja e Labirinthit ”- Studime, Artikuj dhe analiza.
Libri përfshin shkrime, artikuj dhe analiza të cilat janë të botuara më parë nga autori në gazetat e përditshme, revistat dhe portale të ndryshme në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
Botues i librit është Akademia Diplomatike Shqiptare, qendra rajonale e ADSH-së në Maqedoni me presidentin gjeneral, Ambasador Lisen Bashkurtin dhe Arsim Sinanin.
Në fjalën e tij recensuese, ambasadori, Prof. Asoc. Dr. Lisen Bashkurti thekson: “në të vërtetë, Ardian Ramadani me këtë libër shpalos vlerat e tija të pamohueshme intelektuale dhe shpresojmë se shumë shpejt do të bëjë edhe botime tjera me hulumtime dhe studime të rëndësishme mbi tema të caktuara, por ajo që shihet është se ai pëlqen të studiojë dhe flas me shumë zell për Francën dhe Risheljenë, për Ballkanin dhe popujt e tij, për problemet dhe vizionin për një të ardhme, si një i ri që kërkon të kalojë përtej mureve të Evropës dhe të bëhet pjesë e këtij civilizimi dhe qytetërimi. Më duhet të them se Libri “Shpalosja e Labirinthit- Studime, Artikuj dhe Analiza”, paraqet një botim shumë të veçantë që në vete ngërthen tema nga fusha e politologjisë, sociologjisë, historisë, diplomacisë. Poashtu, në këtë libër do të mund të gjeni edhe tema nga kultura, nga jeta shoqërore dhe edukativo-arsimore. Ajo që vlen të thuhet është se kolegu Ardian Ramadani është i pasionuar pas gjuhës frënge dhe problematikave evropiane, ku me shumë kujdes na sjell tema që për botën shqiptare janë të veçanta dhe shumë domethënëse”.
Recensenti tjetër Arsim Sinani në fjalën e tij recensuese shprehet: “Kolegu i nderuar Ardian Ramadani në këtë libër shprehet dhe vë në pah shumë gjëra interesante dhe rikapitullon një periudhë kohore që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne. E përgëzoj për pasionin që ka dhe për angazhimin e tij si intelektual i ri dhe me perspektivë”.
Ndërsa recensenti i tretë z. Qerim Pllana nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë të Kosovës- Prishtinë, në fjalën e tij recensuese thekson: ” Është rast i veçantë dhe njëherazi mjaft i gëzueshëm, kur një studiues mjaft i ri, rritet së bashku me rritjen e demokracisë në këtë pjesë të globit, merr pjesë aktive në procese të ndryshme shoqërore-politike dhe kulturore-edukative, si dhe me një portret të mprehtë, me një qëndrim serioz, me një disiplinë, dëshirë, kurajë dhe zell të pazakontë, i përqaset gjërave që duhet qasur me shumë vëmendje dhe guxim ”.
Përndryshe Mr. Ardian Ramadani është i lindur më 1983 në Kumanovë. Studimet deridiplomike i ka mbaruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ku ka mbaruar Fakultetin e Trajnimit Pedagogjik e Metodologjik, Dega e gjuhës dhe letërsisë frënge duke u zgjedhur Student i dalluar. Ka mbaruar studimet postdiplomike me sukses të shkëlqyer, në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në UEJL, Drejtimi i studimeve të diplomacisë. Ka qenë deputet i Maqedonisë në Parlamentin Frankofon të të Rinjve në Bruksel. Ardiani ka punuar për tre vite me radhë profesor i gjuhës frënge në gjimnazin e Kumanovës si dhe për tre vite të tjera profesor i gjuhës frënge në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Është ligjërues edhe në Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tetovë. Aktualisht është sekretar i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Mr. Ardian Ramadani është autor i rregullt i shumë shkrimeve, artikujve dhe analizave nëpër ueb portale të ndryshme, revista dhe gazeta të përditshme shqiptare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.
Deri më tani ka botuar librin “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, doktrina Raison d`État dhe Shteti-Komb”. Libri i posadalur nga botimi “Shpalosja e labirinthit- Studime , artikuj dhe analiza” është libri i tij i dytë.





