Për “kërcënimet pa dhunë” ndaj lirisë




GËZIM TUSHI



(Pse janë të rrezikshme “kërcënimet pa dhunë” ndaj lirisë?) Nuk e mbaj mend se ku e kam lexuar dhe cili autori që ka thënë shprehjen e bukur, se raportet e njeriut me sistemin politik nuk janë kurrë raporte idilike, të qeta, indiferente. Sepse sipas këtij autori në se diktatura komuniste na “dërmoi trupi”n edhe demokracia me sa duket nuk e lë të qetë njeriun. Veçse me një ndryshim nga diktatura. Ajo nuk i “prek trupin” por e “kërcënon pa dhunë” dhe në të njëjtën kohë i “dërmon shpirtin”. Sigurisht kjo mund të mos duket, madje mund edhe të mos ndihet nga shumë njerëz që shikojnë vetën anën e jashtme, dukjen material të gjërave dhe që nuk kanë dëshirë të depërtojnë përtej asaj që duket, por që ndihet.Sepse me sa duket nuk është e lehtë të dallosh shfaqjen e fortë të “kërcënimeve pa dhunë” ndaj lirisë së individit apo treguesit e “paternalizmit të butë” të komponentëve të jashtëm të demokracisë,të cilat jo vetëm nuk janë domosdoshmërisht të lidhura me forcën imponuese,por nuk janë edhe aq të dukshëm, sa të shfaqet në formën imponuese të “tiranisë sociale”.Por megjithatë edhe pse mund të mos duket ai tashmë ndihet në formën e presionit masiv mbi njeriun të opinionit publik, të imponimit të shijeve dhe mënyrës së jetesës përmes modës, medias, televizionit apo shenjtërimit të traditës dhe zakoneve, si mjet perfekt për të ndaluar shijen e lirë dhe mënyrën origjinale të të jetuarit të njeriut. Në mënyrë sociale natyrisht, por të lirë dhe pa kornizat e hekurta dhe tiranike të çdo gjëje që ne e konsiderojmë traditë, që e shenjtërojmë pse është modern dhe për pasojë e bëjmë forcë imponuese dhe tiranike në mënyrën tonë të jetesës. Ne jetojmë në kohë të reja dhe nuk mund të pranojmë që të dhunohet liria në çdo formë që të shfaqet. Padyshim nuk mund të jemi të kënaqur në se biem dakord që dhuna e totalitarizmit që na “shkatërroi trupin” të zëvendësohet me kërcënimet pa dhunë të lirisë si dhunë që synon t’i “vërsulet shpirtit” të njeriut.Ky nuk është rrezik që shoqërisë i është shfaqur kërcënues në ditët tona. Jo, ai ka qenë gjithnjë i pranishëm dhe kërcënues për identitetin moral dhe integritetin estetik dhe social të njeriut. Por në kohën tonë presionet e modës, thashethemeve, ndikimet deformuese të tiranisë së opinionit, janë akoma më prezente. Kjo dukuri sociale e “presionit të butë” mbi individin është konstatuar që në fillimet epokës së ndërtimit të qytetërimit modern. Është Rusoi i pari që me mprehtësi filozofike e dalloi këtë rrezik dhe e paralajmëroi shoqërinë dhe njerëzit, se në epokën modern do të shfaqej një rrezik i ri, i panjohur më pare, që do të ndikonte në tjetërsimin e njeriut, pikërisht për shkak të ndikimeve mbi njeriun të modës, forcës së opinionit të përbashkët dhe veçanërisht nga tirania e thashethemeve banale qytetare. Natyrisht bashkë me atë që quhet dhe është “fryma e kohës”, dhe ato që janë ndikimet deterministe të mjedisit në zhvillimin e parametrave të qytetërimit social.
Koha moderne i ka më të dukshme kërcënimet pa dhunë mbi lirinë e individit. Gjysëm shekulli më parë ithtarët e lirisë dhe liberalizmit, kanë parashikuar mundësinë e spekulimit me larine e individit, dëmtimin e kontureve të saj, përmes ndërhyrjeve me anë të mjeteve të buta të dhunës së padukshme të modës, medias, propagandës, kujdesit të tepërt për disiplinimin dhe edukimin e njeriut me mjetet e paternalizmit, që në kohën e tanishme kanë marrë edhe formën e rrezikut të tiranisë vërtetë jo të dhunshme, por me efekte të forta degraduese ndaj lirisë. Duke parë këtë dukuri në mesin e shekullit të kaluar filozofi ndoshta më i madhi i shekullit të 20-të Martin Hajdeger ndjeu kontradiktat e shfaqura në deformimin e personalitetit të njeriut, për shkak të luftës që do të zhvillohej midis “ekzistencës private” dhe “diktaturës karakteristike të sferës publike”.Sipas tij megjithëse kjo ekzistencë private që sipas tij është qenia njerëzore, por që nuk është tërësisht e barabartë me “njeriun e lirë”. Sepse “Një ekzistencë e tillë dëshmon kështu kundër dëshirës së saj, përuljen ndaj sferës publike”. (M. Heidegger, “Letër mbi humanizmin”, faqe 27-28) Ndërkaq është prekursori i madh i liberalizmit modern F. A Hajek, që këto rreziqe të lirisë së njeriut, i ka parashikuar në veprën e vet të mrekullueshme “Ligji, legjislacioni dhe liria”. Ai e quan shumë të dëmshme dhe deformim të lirisë së individit të gjithë nomenklaturën e “kërcënimeve të buta” të shfaqura në formën e paternalizimit apo të tiranisë, të shfaqura si bindje e verbër ndaj normave konvencionale morale, apo detyrimit për të përvetësuar dhe zbatuar në jetën moderne, tërë format e jetës së trashëguar nga e kaluara. Natyrisht qëndrimi ndaj lirisë individuale, vlerësimi i sovranitetit të tij, sidomos përballimi i kërcënimeve moderne të paternalizmit, modës, propagandës, presioneve mediatike, etj, kanë nevojë për një kuptim të ri të konceptit të lirisë si pavarësi e njeriut nga rregullat dhe normat sociale, apo ndaj asaj që filozofi Izaiah Berlin e konsideronte “autonomi e mbyllur”, si një nga kushtet për ta mbrojtur lirinë e individit nga paternalizmat dhe tiranitë sociale që vijnë nga presionet e jashtme që burojnë nga shoqëria, tradita, zakonet, konceptet supersociale dhe hiperkolektiviste, të cilat janë forma të buta të padukshme të dhunës. Ato janë në thelbin e tyre janë forma të “tiranisë së fshehtë”, presione të sheqerosura në formën e shëmtuar të “pilulës së kujdesit” dhe përgjegjësisë sociale për individin, duke i cënuar atij atë që është më e shtrenjtë: lirinë.Debati që është bërë dhe që duhet të ndihet edhe në jetën tonë, kërkon të gjejmë zgjidhjet e duhura dhe të pranojmë një autonomi të pacënuar të individit, si kusht për lirinë dhe mundësi e vetme e tij për të marrë vendime personale të papërsëritshme. Por nga ana tjetër duhet trajtuar çështja në se kjo autonomi individuale e njeriut, është ndjenjë e mbyllur apo e hapur ndaj shoqërisë, traditës dhe vlerave sociale të pranuara si të tilla. Padyshim kur flasim për të mbrojtur lirinë nga rreziqet e paternalizmit apo për autonominë si ndjenjë bazë për njeriun e lirë që të marrë vendime sipas dëshirës dhe në mënyrë racionale sipas qëllimeve që i ka vënë vetes, kjo nuk do të thotë se bëjmë thirrje për anarki sociale, për nëpërkëmbje të rregullave të përbashkëta apo për mbyllje të njeriut në guackën e ngushtë të lirisë. Kjo nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse një iluzion social, një utopi personale, që është pa asnjë vlerë.Unë mendoj se fenomeni i “kërcënimit pa dhunë” apo presioneve të buta që kërcënojnë lirinë e individit në shoqërinë tonë, është zgjeruar nga pikëpamja sociale dhe si dukuri është bërë më e sofistikuar por dhe më intensive. Presionet që vijnë nga jashtë mbi njeriun, që ndikojnë mbi të, që e tjetërsojnë apo e deformojnë në esencën e vet njerëzore, sot janë bërë më të mëdha se kurrë. Kjo sindromë sociale është bërë me e forte. Pasojat e saj në jetën e njeriut janë më evidente dhe me efekte më masive. Fenomeni është me përmbajtje dhe pamje më komplekse, sepse në ditët tona në shoqërinë tonë po shtohen dukuritë sociale të shpërpjesëtuara nga “presioni i butë” dhe “kërcënimet pa dhunë” të lirisë së njeriut, i cili është i detyruar që të llogaritë lirinë e vet në kushtet e përshtatshmërisë qytetare. Kjo do të thotë se jo gjithnjë ai vepron siç mendon ai dhe ashtu sic e mendon ai, por përpiqet që nën presionin e faktorëve social të modës, televizionit dhe opinionit publik të gjejë jo atë që “do ai të bëjë” por “atë që i kërkojnë të tjerët të bëjë”.Koha e tanishme është e tillë që ka sjellë një tipologji jete dhe një format social të shoqërisë, e cila ka determinuar tek njeriu detyrën që të ndërtojë atë mënyrë të jetuari dhe komportimi social, që realizohet edhe në kushtet e lirisë politike që ka sjellë demokracia tek ne, por duke qënë në të njëjtën kohë nën kërcënimet e buta të këtyre “faktorëve të jashtëm”, që e rrezikojnë lirinë e tij dhe që e detyrojnë në shumë raste të tjetërsohet, të detyrohet, të përshtatet me to. Në mënyrë fare të saktë këtë situatë sociale dhe këtë prirje të “detyruar të njeriut e karakterizon filozofi bullgar Todorov, i cili ka shkruar se nën presionin e këtyre faktorëve, njeriu është i detyruar të jetojë jo aq shumë sic mendon dhe dëshiron ai vetë, por “vetëm si e shohin të tjerët…duke braktisur qenien kujdesen vetëm për pamjen e tyre. Paraqitja në publik bëhet qëllimi i tyre i vetëm”. (T. Todorov, “Fryma e iluminizmit”, faqe 37)Natyrisht të mbrosh lirinë personale është e pamundur, pa pranuar dhe respektuar një varg të vërtetash morale që shoqëria jonë i ka si kusht ekszistencial për funksionimin e saj, dhe të cilat duhet të bëhen pjesë integrale e disiplinimit të lirisë së njeriut, të autonomisë së tij. Sepse nuk janë ata që sjellin tirani dhe paternalizëm social në shoqëri. Nuk është fjala për të ndërtuar dhe pranuar konvencione morale të ngurta, të cilat bëhen ushqyese të imponimit social, ndikuese të paternalizmit dhe tiranisë së shoqërisë mbi individin Por ajo që duket qartë në jetën tonë të përditshme, është e vërteta se lufta për të mbrojtur dhe garantuar larine, duhet bërë jo vetëm nga njëri krah por nga të dy anët. Kjo do të thotë se së pari duhet të bëjmë çdo gjë, për të mbrojtur lirinë nga deformimet jo liberale dhe kërcënimet moderne që i bëhen asaj nga jashtë, përmes gjithë formave kufizuese e tiranizuese. Sepse ne kemi filluar të adoptohemi me këto kërcënime pa dhunë të lirisë. Madje, të reflektojmë jo duke i kundërshtuar, por gjithnjë e më shumë duke u konformuar me to. Konformizmi me kërkesat që vijnë nga “liria e kërcënuar” e individit nga moda, stilet e jetës modern, tirania e zgjeruar e thashethemeve dhe pesha e akoma e rëndë në shoqërinë tonë e opinionit publik.Njerëzit po bëhen qënie që nuk jetojnë dot në se nuk flitet për ta, në se ata nuk arrijnë që me mjetet e jashtme të bëhen patjetër të dalluar. Kjo tendencë konformiste e njeriut për t’u përshtatur jo me atë që do, apo që duhet por me ato që i bëjnë presion të butë të tjerët, është arsyeja pse konformizmi dhe hipokrizia sociale janë bërë “ideologji” e kohës sonë, mënyrë e organizimit të “suksesshëm” të jetës individuale, “çimento e përbashkët” që mban të lidhur qytetërimin e kohës sonë me njeriun e adoptueshëm në mënyrë pasive. Kjo është ana kryesore e ekuacionit social, për të mbrojtur dhe garantuar lirinë nga cdo cënim dhe kërcënim. Nga ana tjetër, duhet bërë po aq kujdes që njerëzit tanë me arsye dhe inteligjencë të kuptojnë, se megjithatë edhe në një shoqëri të lirë ka një “grup të vërtetash” të pranuara dhe të respektuara bashkërisht nga shoqëria, ka ca tradita të qëndrueshme morale, pse jo edhe konvencione shoqërore, që janë kusht edhe për lirinë e individit dhe për organizimin e shëndetshëm të jetës sociale në vendin tonë. Ky është një nga raportet më të vështira dhe shumë kontradiktor për kohën e sotme. Ndërkaq ne duhet të krijojmë sensin e masës midis të drejtës thelbësore të njeriut për ti marrë vetë vendimet e jetës së tij, pa qënë i kërcënuar nga instrumentet e dhunës së butë. Por në të njëjtën kohë edhe duke njohur dhe pranuar disa kufizime minimale për jetën martesore, familjare, për trajtimin e fëmijëve, çështjet e seksualitetit, etj.Siç thotë profesori i Mendimit Europian në London Scool of economics, John Gray, “Asnjë shoqëri e lirë nuk mund të mbijetojë për një kohë shumë të gjatë pa tradita të qëndrueshme morale dhe konvencione shoqërore”. (J. Gray, “Liberalizmi”, faqe 89) Kjo do të thotë se autonomia e njeriut nuk është vetëm “alternativë e mbyllur” ndaj shoqërisë. Kjo do të thotë se nuk mund të jemi të njëanshëm, sepse duke qënë kundërshtarë të paternalizmit dhe kërcënimeve moderne të lirisë së individit, nuk do të thotë ta konceptojmë lirinë si ndjenjë dhe realitet të mbyllur brenda individit dhe se jeta e njeriut mund të jetë tërësisht në kundërshtim me traditën, konvencionet morale dhe të “vërtetat e përbashkëta” të shoqërisë shqiptare…