Prej 11 vjetësh arkeologë shqiptarë dhe italianë kryejnë ekspedita të përbashkëta në sitin arkeologjik të Finiqit, në jug të vendit, falë të cilave ka dalë tërësisht në dritë teatri antik.
Prej 11 vjetësh arkeologë shqiptarë dhe italianë kryejnë ekspedita të përbashkëta në sitin arkeologjik të Finiqit, në jug të vendit, falë të cilave ka dalë tërësisht në dritë teatri antik.
Eksperienca e këtij bashkëpunimi, që nisi një dekadë më parë, në një projekt të përbashkët arkeologësh dhe studiuesish shqiptarë dhe italianë, u promovua në një takim të mbajtur sot në mjediset e Hotel "Butrintit", në Sarandë.
Shpresa Gjongecaj, drejtore për palën shqiptare e kësaj ekspedite, njëherësh dhe drejtore e Institutit të Arkeologjisë, thotë se gërmimet kanë nxjerrë në dritë një bilanc të pasur objektesh dhe monumentesh të shumta si në akropol edhe në nekropolin e qytetit.
Duke folur për historikun e gërmimeve në Finiq, Gjongecaj vuri në dukje vështirësitë që janë hasur gjatë punimeve në këtë sit, nga fakti se terreni për një kohë të gjatë ishte në përdorim të ushtrisë, në periudhën para viteve '90.
Sipas saj, arritjet e punës 10-vjeçare kulmojnë me daljen në dritë tërësisht të teatrit antik.
Në simpoziumin kushtuar 10 vjetëve gërmime në Finiq, foli edhe akademiku italian, Prof. Sandro de Maria, zëvëndëskryetar i Akademisë italiane të Shkencave dhe pedagog në Universitetin e Bolonjës, dega e arkeologjisë.
Prof. Muzafer Korkuti, veteran i arkeologjisë shqiptare, solli përjetime nga fillimet e këtij bashkëpunimi, ndërkohë që Enriko Xhorxhi prezantoi rezultatet e gërmimeve më të fundit, si dhe për gjurmët e zhvillimeve kulturore në Foinike.
Një ndër gërmuesit e parë në këtë sit arkeologjik, As. Prof. Dr. Dhimitër Çondi, solli detaje nga bashkëpunimi i frytshëm italo-shqiptar në Finiq.
Finiqi, me emrin e lashtë Foinikia, njihej në lashtësi si kryeqendër e Kaonëve, ndërsa në shekullin III-të u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit.
Sipas studiuesve, Foinikia ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Vendbanimi i lashtë ngrihej në një kodër, në formën e një anijeje të përmbysur, ndërsa fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre.
Në zonën e Akropolit, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister, kohë më parë u zbulua një thesar i vogël. Po ashtu, në Finiq u zbulua një teatër me kapacitet të madh si dhe janë gjendur tri cisterna që i përkasin periudhës midis shekujve të V-të dhe të III-të para Isaut.a.s





