
Ky kompleks paraqet një kompleks unikat jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë rajonin.
Oaza e gërmimeve në Kalanë e Harilaqit ka shenjëzuar gërmimet e saj, për herë të parë në këtë Kala, që nga viti 2005, e cila ka vazhduar praktikat e saj arkeologjike deri në ditët e sotme. Këto praktika arkeologjike të cilat kanë filluar me iniciativën e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, janë kryer nga Muzeu i Kosovës nën udhëheqjen e arkeologut Fatmir Peja, shef i sektorit të arkeologjisë në Muzeun e Kosovës dhe njëkohësisht përgjegjës i gërmimeve, si dhe arkeologut Arben Hajdari, pjesë e ekipit të gërmimeve. Peja flet qartas se para fillimit të gërmimeve Kalaja e Harilaqit e cila daton që nga shek IV-VI pas Krishtit, mund të thuhet se ka qenë e mbuluar me një vegjetacion të dendur dhe nuk është parë asnjë gjurmë apo asnjë strukturë arkitektonike.
Ai ka thënë se gërmimet arkeologjike në Kalanë e Harilaqit që nga viti 2005 e deri në vitin 2009 janë financuar nga Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës, ndërkaq që gërmimet e fundit, që tashmë kanë përfunduar para një muaji, janë financuar nga Ministria e Kulturës.
Spektri i gërmimeve që nga viti 2005 e deri më sot ka dhënë rezultate të rëndësishme dhe e kanë pasuruar arkeologjinë kosovare. Ndërkaq, arkeologu Arben Hajdari ka shpjeguar me detaje rreth specifikave të gërmimeve që prej fillesave të saj e deri në gërmimet e fundit. “Rëndësia e këtyre gërmimeve konsiston në atë që në fakt është arrite me u nxjerr komplet faqja e jashtme e murit rrethues, që nga fillimet e saj, e cila ka një sipërfaqe prej një hektar e 30 ari”, ka thënë Hajdari. Sipas tij, muri rrethues është kryesisht i ruajtur mirë, i cili është i ndërtuar me përzierjen e gurëve dhe të tullave, ndërkaq në mure janë të vendosura 4 porta, ku dy prej të cilave janë ndihmëse, që do të thotë se u ka shërbyer përvojave praktike.
“Ndërkaq porta kryesore që ndodhet në pjesën juglindore të Kalasë është e përforcuar me dy kulla këndë drejtë, që është karakteristikë për shekullin e VI, dhe një kullë tjetër e cila ndodhet në pjesën më të lartë të Kalasë, e cila ka formë trekëndëshi dhe del në formë sqepi nga jashtë dhe ka shërbyer për nevoja praktike për amortizimin e goditjeve”, ka thënë Hajdari.
Karshi këtij mozaiku të rëndësisë së kalasë, Hajdari ka treguar se në brendinë e Kalasë janë zbuluar edhe dy monumente me strukturë unazore, të cilat kanë dimensione dhe përmasa simetrike ku madje edhe distanca në mes dy monumenteve është e barabartë me gjerësinë e tyre.
Ai ka shtuar se duke marrë parasysh strukturën e ndërtimit dhe destinimit të tyre, ky kompleks paraqet një kompleks unikat jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë rajonin, ku siç ka thënë ai, të tilla nuk janë gjetur as në Shqipëri, në Mal të zi, në Maqedoni, në Serbi, madje as në Bullgari.
“Ndonëse janë unikate dhe nga mungesa e origjinës së tyre, mendohet se bëhet fjalë për një kompleks pelegrinazhi, ku mund të thuhet se fjala është për ndërtime shumë cilësore”, ka thënë Hajdari.
Në këtë vazhdë të punimeve gjithashtu edhe Peja ka treguar se janë gjetur edhe tulla me monograme të ndryshme, ku në fakt është gjetur edhe figura e njeriut, ku siç ka thënë ai, është një dëshmi e mirë e ndërtimit luksoz të kohës, ku është fjala për një ndërtim shumë luksoz dhe të kushtueshëm të kohës.
Ai ka shtuar se përveç këtij materiali, objekteve, dhe strukturave arkitektonike është gjetur edhe një material i pasur, i lëvizshëm arkeologjik ku bëhet fjalë për monedhat e ndryshme, si vegla pune, stoli dhe qeramikë të cilat kryesisht i takojnë shek. IV-VI.
“Megjithatë, vitet e fundit që përfshijnë gërmimet e vitit 2009 dhe 2010, përveç këtyre strukturave, objekteve me strukturë unazore me dimensione simetrike dhe kishës, që së bashku paraqesin një kompleks kulti kanë dalë në pah edhe objekte të tjera. Në fakt bëhet fjalë për dy objekte, ku e para ndodhet në afërsi të portës kryesore në pjesën juglindore të kalasë, ku me gjasë është një objekt banimi, pra është një ndërtim jo shumë cilësor, dhe është i punuar kryesisht me gurë ku si material kanë përdorur baltën. Dhe objekti i radhës është një objekt me përmasa të mëdha i vendosur në afërsi të kullës këndë drejtë atë që del në formë të sqepit, në pjesën veriore të bazilikës, ku funksioni i së cilës, nuk mund të definohet për momentin, mirëpo vërehet prezenca e një pitosi, i cili ka dimensione të mëdha, ka një diametër prej 3m e 65 cm, me lartësi 1m e 10 cm, ku len të kuptohet që ky objekt mbase mund të quhet si objekt banimi në të cilën janë ruajtur edhe rezervat e ndryshme ushqimore”, është thënë nga Peja.
Peja ka treguar rëndësinë e monumentit të Kalasë së Harilaqit duke u shprehur se gjatë këtyre viteve të gërmimeve në Kalanë e Harilaqit, me rastin e vizitës nga shumë vizitorë nga vendi, rajoni dhe më gjerë, edhe nga shumë arkeologë ndërkombëtar, ku disa prej tyre edhe kanë marrë pjesë në gërmime, të gjithë këta janë habitur me zbulimet në Kalanë e Harilaqit.
Më pas nga arkeologët është thënë se gërmimet arkeologjike të mëhershme por edhe këto të vitit 2010, kanë rezultuar se përpos materialit i cili i takon shek IV-VI është gjetur edhe qeramikë parahistorike e cila i takon bronzit të vonë, respektivisht hekurit, d.m.th fazës transitore nga periudha e bronzit në hekur.
“Këto gjetje të bëjnë të kuptosh që Kalaja e Harilaqit ka qenë e banueshme që nga kjo periudhë, që nga bronzi i vonë respektivisht hekuri përafërsisht vitet 1200-1000 para Krishtit”, është përfunduar nga arekologët.