Degdisja e Betimit në plogështimin enigmatik, që prodhonte vetëm amulli në ditët vijuese, vetëm pas përmendjes së fjalës luftë prej shokut të tij, Suejbit, qe e mundur të shihen shkëndijat e para, që sadopak mund të shihej e vërteta e atij plogështimi spontan. Kjo njëherësh ishte edhe fillimi i ndërgjegjësimit të shqiptarëve, fillim i cili shërbente si një skalitje për ditët që do të karakterizoheshin me kërcëllime dhëmbësh për gjendjen e rënduar shqiptare, ku llava përvëluese sigurisht se do të aktivizohej, duke i përshkuar gjithë zemrat shqiptare me dhembje, por dhembje që tregonte se pas kësaj “skëterre” po vjen diçka e re dhe shpresuese për qenien e pastër shqiptare, veprim i cili ngjasonte me dhembjen e nënave në momentin e lindjes, porse për pak çaste ajo do t’i harroj ato dhimbje, sepse atë dhimbje do ta zëvendësojë e qara dhe e qeshurave e fëmijës, ku vatra që e pret atë fëmijë, do të blerojë e tëra prej kësaj hareje. S’do mend se fëmija që i përshkoi vatrat tona me gëzim, ishte liria dhe faktorizimi i qenies shqiptare, porse për këtë liri u vranë dhe u masakruan shumë shqiptarë prej qenies monstruoze sllave, pra prej atyre që donin t’i çnderojnë shqiptarët, por ata harruan se përmes atyre akteve barbare, nuk bën gjë tjetër pos që përmes gjakut të të masakruarve dhe të vrarëve, ujitën me krenari krijesën shqiptare. Reflektimi i kësaj ujitjeje nuk u lokalizua vetëm në mejdanin ku ballafaqohej e vërteta me të pavërtetën, porse qysh në fillim të atyre kryengritjeve shqiptare dhe asaj barbarie, Betimi me shokët e tij, që në fillim të aktivizimit të atij vullkani përvëlues i kishin vetëm nga katërmbëdhjetë vjet, mbase të gjithë moshatarët e tij, ajo katrahurë i shqetësonte shumë, shqetësim i cili lindi solidarizimin e paparë të këtyre adoleshentëve me vëllezërit shqiptar që gjendeshin andej gardhit artificial.
Se si këta shokë me emra imagjinar, i pranuan këto tri luftëra çlirimtare, se si u gjenden përball librit shkollorë në vazhdën e atyre krizave, dhe se si iu deshtë që ta arrijnë moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare për t’u përballur edhe vetë ato me luftën e fundit që rrodhi në Maqedoni, si dhe shumë sfida të tjera, do të mund t’i mësoni në romanin, “Mëngjesi i hershëm” të autorit, Iljasa Salihut, mbase vetë titulli i këtij romani na bën me dije se gjërat e mëdha kryhen herët në mëngjes.





