Kiço Mustaqi: Kur futesha te zyra e Ramiz Alisë, më kontrollonin me minakërkues


Në fillim të korrikut 1990 nisi vërshimi i madh nëpër ambasadat e huaja. Policia nuk mundi t’i ndalonte me gjithë përpjekjet dhe masat e marra. Në atë situatë të vështirë u kërkua ndërhyrja e ushtrisë, e cila e ndaloi me sukses dhe pa gjakderdhje këtë dhunim të rezidencave të ambasadave të huaja në Tiranë, duke u krijuar mundësi lëvizje dhe veprimi personelit të ambasadave që ishin bllokuar. Them me bindje se në atë kohë, po të mos kishte ndërhyrë ushtria, ambasadat e huaja do të ishin shkatërruar plotësisht, pasi masa e njerëzve të verbuar nga dëshira për t’u larguar në drejtim të Perëndimit, nuk përmbaheshin. Tirana, Shkodra, Durrësi, Kavaja, etj., ishin mbushur me qytetarë të egërsuar, të cilët vetëquheshin atëherë “forca anarkiste”. Pak nga pak këto forca anarkiste u shtrinë në të gjithë vendin, duke shkaktuar edhe krime. Në këto kushte, ndërsa forcat anarkiste vetëm grabisnin, digjnin dhe përdhunonin, frika dhe paniku kishin arritur kulmin. Njerëzit, që nga anëtarët e qeverisë e deri tek qytetarët e thjeshtë e ndjenin veten të sigurt vetëm pas patrullave ushtarake që mundoheshin të ruanin rendin. Megjithatë, këto forca anarkiste ishin ende të paorganizuara. Hapja e ambasadave në 2 korrik 1990 solli shumë pështjellim. Si kundërveprim u bë  mitingu i madh në sheshin “Skënderbej” ku foli Xhelil Gjoni. Në këtë miting ata që u futën në ambasada u konsideruan fundërrinat e kombit. Ende nuk mendohej për ndryshime politike. Ndryshimi i sistemeve nuk u paraqit as  nga Ramiz Alia si një nevojë,  për të marrë masat e duhura  dhe të vepronin me organet dhe me njerëzit, që ndryshimi pastaj të vinte gradualisht e më i zbutur. . Mirëpo ajo ashpërsi me të cilën u fol në miting, për mendimin tim, tregon se ishte vendosur që gjendja duhej përballuar me masa më të ashpra. Në mbrojtje të ambasadave  doli Shkolla e Bashkuar dhe shkolla e oficerëve rezervistë e Zall Herit, pastaj edhe ajo e Vaut të Dejës.
Ushtria në ditët e vështira 
Pas ngjarjeve të 2 korrikut, ushtria mori urdhër që të ruante TVSH, ministritë, Bankën dhe disa objekte të tjera të rëndësishme. Ajo ishte ngarkuar ndërkaq të furnizonte me ushqim zonat Veri-Lindore për shkak të kushteve të vështira që ishin krijuar dhe të mbronte ç’kishte mbetur ende pa u shkatërruar. Po kështu ushtrisë, ju dha për ruajtje porti i Durrësit. Kjo u bë me qëllim që të sigurohej ardhja e ndihmave nga Evropa. Portet e tjera pothuajse nuk ekzistonin fare. Kështu u sigurua ndihma e dhënë nga Italia dhe shtetet e tjerë evropianë. Duhet theksuar, se po të kishte ndenjur ushtria duarkryq, atëherë populli do të mbetej pa bukë për arsye se në Shqipëri në atë kohë s’prodhohej asgjë dhe gjithçka vinte nga jashtë.
Urdhëri i mistershëm i Ramiz Alisë
Ramiz alia ne komanden e flotes luftarake detare
Situata e viteve 1990-91 ishte shumë e tensionuar. Pas shpërthimit të eksodit të madh, Ramiz Alia na urdhëroi për të sjellë disa brigada rezervistësh drejt Tiranës. Ndoshta donte të bënte presion për të qetësuar gjendjen e tensionuar. Sidoqoftë, unë prisja urdhërin me shkrim nga Ramiz Alia, si Komandant i Përgjithshëm, por ai nuk e bëri një gjë të tillë. Në atë kohë, shumica e komandantëve të divizioneve me të cilët komunikova për këtë punë, ishin skeptikë dhe e kundërshtuan ardhjen e këtyre brigadave në Tiranë. Po kështu edhe sekretarët e parë të rretheve. Një nga ata që e kundërshtuan ishte edhe sekretari i parë i komitetit të partisë të Tepelenës, Gramoz Ruçi. Unë, i telefonova Gramozit nisur nga shoqëria që kishim, por ai ma ktheu: Ne nuk i dërgojmë rezervistët në Tiranë, pse i kemi për të luftuar kundër armikut në kufi. Për çudi, të nesërmen Gramoz Ruçi u emërua ministër i brendshëm në qeverinë e Fatos Nanos. Disa komandantë divizionesh si në Shkodër e në Vlorë shprehën shqetësimin se këto njësi rezervistësh mund t’i kthenin armët kundër nesh, prandaj aty për aty e anulova urdhrin për mobilizimin e atyre brigadave. Përfundimisht këto brigada nuk u dërguan në Tiranë, për arsye se urdhri nuk u ligjërua me shkrim nga Komandanti i Përgjithshëm. Me kalimin e orëve, ky urdhër sikur u harrua prej Ramiz Alisë, i cili ndofta ndërroi mendje. Ndoshta edhe sepse shumica e rezervistëve nuk prisnin të mbushnin radhët e ushtrisë, ndërkohë që ata “marshonin” si refugjatë drejt Greqisë e Italisë. Mbase këtë urdhër R.A. e dha për të thënë më vonë se e shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile. Urdhër pa asnjë objektiv e synim.
Depolitizimi i ushtrisë
Me ndryshimin e sistemeve dhe vendosjen e pluralizmt politik, lindi nevoja që të depolitizohej e departizohej edhe ushtria. Në mars të vitit 1991 bëmë studimin në të gjithë ushtrinë, përfshi edhe MMP-në e Shtabin e Përgjithshëm dhe ramë në përfundim që ushtria të depolitizohej e departizohej. Këtë studim ia dërguam KQ-së e Ramiz Alisë, i cili çuditërisht nuk e përkrahu. Them çuditërisht, sepse ai më shumë se çdokush e dinte se nuk mund të kishte ushtri të politizuar në një sistem pluralist. Në fund të marsit 1991, Ramiz Alia mblodhi gjithë komisarët e divizioneve në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe që në fillim e hapi takimin duke iu thënë: “E shikoni, shokë komisarë, Kiçua nuk e do PPSH-në ushtri (me një zë si për të testuar pulsin e tyre dhe pasi të sigurohej për shumicën, ndoshta-ndoshta do të isha përgjegjës i konkluzioneve përfundimtare). Por ndodhi ajo që nuk pritej. Vetëm dy komisarë i thanë: “Si urdhëron shoku Ramiz. Ne e duam PPSH në ushtri”.
Ruajtja e portit të Durrësit
Ishte një nga detyrat më të vështira. Më bënte përshtypje se, para se portin ta merrte ushtria, Ministri i Brendshëm i thoshte shoku Ramiz: “Nuk mbrohet porti me katër policë”. Dhe unë mendoja se kjo ishte e vërtetë . Mirëpo, kur shkuam ne atje, pamë se porti i Durrësit kishte rreth  200 ushtarë të kufirit dhe 57 policë, pa llogaritur forcat e sigurimit. Askush s’mund ta shkojë ndërmend atë periudhë. Sot gjërat janë të qeta dhe ato momente vijnë si ëndrra të harruara. Ishte një kohë me mjaft probleme. Në port ishin pleksur  forcat  kundërshtare  të partive të ndryshme. Por ne vendosëm  rregulla të forta, vendosëm shumë  efektiva  e oficerë, vendosëm tanke, më tepër  për efekte psikologjik. Në port mund të futeshe vetëm me leje e firmë  të zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm. Pati ndërhyrje  për të kompromentuar njerëz nga efektivi, me qëllim që t’u mundësohej kalimi i refugjatëve, por ata u çuan në gjyq. U informova  shumë herë  se civilët i afroheshin portit vetëm për të pyetur nëse ishte e vërtetë,  se do të qëlloheshin nga ushtarët nëse tentonin të kalonin. Dhe, kur merrnin përgjigje se me kalimin e vijës së bardhë dhe pas paralajmërimit, ushtarët kishin urdhër t’i asgjësonin, ata ktheheshin të mërzitur e duke sharë. Bashkë me ne vepronin edhe forcat e policisë, që e ruanin më parë portin. Ato më tepër  pengonin se punonin. E mbanin edhe hundën përpjetë, a thua se nuk ishin ata që e lëshuan portin në anarki të plotë. Kjo ndofta vinte edhe nga fakti se komandanti i policisë ishte i afërm i një udhëheqësi të lartë. Pyeta njëherë kryetarin e degës së brendshme të Durrësit (Adriatik e quanin) se si e lëshuat portin aq lehtë, pa u gërvishtur makar një ushtar apo polic dhe ai m’u përgjigj: Kemi urdhër nga ministria që të mos qëllojmë. Në këto kushte, duke marrë parasysh edhe rrethanat e kohës, i bëra një informacion Ramiz Alis). Ku midis të tjerash  i shkruaja se konstatimi i oficerëve është se aty ku nuk e kryen mirë detyrën policia, dërgohet ushtria, ç’ka nënkuptonte se atje ku nuk e përdor armën policia, dërgohet ta përdorë ushtria. Kjo (e informoja presidentin), nuk tingëllon mirë tek oficerët e ushtrisë. Pa kaluar një orë nga marrja e informacionit, Ramiz Alia na thirri në zyrë, mua, zëvendësministrat (Halil Hyseni, Kujtim Çako e Halim Abazi) zëvëndësshefat e Shtabit Ismail Shulku, Ndriçim Karakashi, Ramadan Kamberi e Adem Dino dhe drejtorin politik, Jovan Themeli. Para se të hynim në zyrën e Ramiz Alisë, një oficer i sigurimit na kontrolloi me aparatin minakërkues mos kishim fshehur ndonjë armë! Unë isha mësuar me këtë lloj  kontrolli, pse ma kishin bërë edhe herë të tjera ato ditë, por zëvendësit dhe shefat e Ministrisë u habitën. Shefi i Shtabit më tha se të njëjtën gjë i kishim bërë edhe në kryeministri kur ka shkuar për të takuar Fatosin. Natyrisht, situatat e asaj kohe e bënin imediat forcimin e rregullave të sigurimit, por të zbatoheshin këto rregulla edhe për anëtarët  e qeverisë, dukej pak si absurde. Tani, nuk e di se përse e bënin ose për t’i dhënë rëndësi vetes, ose nga frika…
Projektligji për gjendjen e jashtëzakonshme
Nga dhjetori i vitit 1990-të, na u kërkua të përgatitnim një ligj për gjendjen  e jashtëzakonshme. Ne u përpoqëm dhe bëmë një projektligj me nja dhjetë faqe të daktilografuara. Ky ligj nuk u aprovua asnjëherë. Ia dërguam Ramiz Alisë  dhe Adil Çarcanit. Adili më mori në telefon dhe më tha “Unë jam dakord” Ndërsa Ramizi nuk na ktheu asnjë përgjigje. Dhe tani, si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura po thoshte “gjendje e jashtëzakonshme”..Mirëpo Ushtria pa patur ligj, nuk mund ta zbatojë urdhrin  për kalimin në gjendje të jashtëzakonshme. Në gjendjen e jashtëzakonshme çdo gjë bëhet sipas ligjeve  ushtarake ku, Ministria e brendshme kalon në varësi të ushtrisë, madje edhe furnizimi me ushqim  bëhet nga repartet e ushtrisë. Ramiz Alia që e tundte atë fletën (nuk e di pse e bënte por, le ta thotë vetë), pa menduar se nuk ishte e justifikueshme gjendja e jashtëzakonshme jo vetëm nga ana ligjore. Unë kam përshtypjen se, nëse Ramiz Alia do të ishte treguar i hapur, domethënë ta diskutonte çdo problem  me Byronë Politike, me ato kuadro të partisë e të pushtetit që ishin vërtetë të pjekur në atë kohë, gjendja do të ishte shumë, shumë e zbutur dhe pa asnjë problem. Në kongresin e 10-të, kur u tha se ushtria dhe Kiçoja  mbanin përgjegjësi për situatën, unë u ngrita dhe ua hodha  poshtë, bile salla duartrokiti. Ato që shtrova ishin: A ndodhi gjë në objektet që mbronte ushtria ? Jo. Atëherë  ç’keni me mua, domethënë me ushtrinë, se pjesë e ushtrisë jam edhe unë. Më bënte përshtypje ajo kërkesa  për ta vendosur çdo gjë me anën ushtarake. Momentet nuk kërkonin masa ushtarake, por kërkonin masa politike për zbutjen e problemeve.
Plenumi në “rrethim”
Në kulmin e protestave të studentëve në Tiranë, Ramiz Alia vendosi të mblidhte  Byronë Politike e t’u parashtronte  nevojën imediate të lejimit të pluripartizmit. Fiks një orë pas pas miratimit në Byro u thirr urgjentisht mbledhja e plenumit të 13-të të KQ të PPSH.  Në plenum e mori fjalën i pari kirurgu i njohur Petrit Gaçe, i cili duke iu referuar pozicionimit të Mehmet Elezit në plenumin e 12-të, vërejti; “…tani do ta vendosim që do ta vendosim pluralizmin, atë që kundërshtuam atëherë, por tashmë nën presionin e studentëve!”.. Në mbledhje vetëm Spiro Koleka ishte kundër, i cili demonstruesit i cilësoi “rrugaçë”. Ramiz Alia na vuri para presioneve. Ai kishte caktuar sekretarin e vet Vaskë Çifligun, i cili thuajse luante rolin  e ndërlidhësit ndërmjet Ramiz Alisë  dhe demonstruesve. Kur studentët  përparonin dhe i jepnin Vaskës një pusullë, ky vinte ia dorëzonte  Ramizit dhe Ramizi e hapte  në sy të plenumit dhe thoshte: “Ja, ata po përparojnë”. Në fund ai i tha Hekuran Isait të dilte prej mbledhjes për të marrë masat e duhura për ngjarjet që po zhvilloheshin. Pastaj më tha dhe mua. “Dil edhe ti, Kiço, merrni masa”. Për mendimin tim, e gjithë kjo ishte e inskenuar, që të shtrëngohej  plenumi dhe të pranonte pluralizmin. Më bënte përshtypje puna e Vaskë Çifligut dhe Ramizi dukej  sikur thoshte: “Ta marrim vendimin tani, se nuk pret situata”. Dhe u vendos lejimi i pluralizmit. Po atë natë Ramiz Alia prêt përsëri  një përfaqësi të studentëve dhe i njohu ata, sipas buletinit të asaj date  të ATSH-së, me zhvillimin e punimeve të plenumit të 13-të  të KQ të PPSH, i cili shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi masat përkatëse për përmirësimin e saj. Studentë i pritën  me entuziazëm vendimet e këtij plenumi”.
Krijimi i Këshillit Presidencial 
Duket se pas rrëzimit të monumentit  të Enver Hoxhës, Ramiz Alia e kuptoi  se ishte i izoluar, prandaj vendosi që edhe formalisht  ta merrte në duart  e veta  drejtimin e pushtetit  dhe u vu në krye të një këshilli presidencial që përbëhej prej 9 vetash. Në këshillin presidencial, me përjashtim të Fatos Nanos, emri i të cilit sapo kishte nisur të shkëlqente, gjithë të tjerët, ose qenë konservatorë  të betuar, ose nuk kishin realisht asnjë lloj peshe në marrjen e vendimeve. Këshilli përbëhej, (veç Nanos) nga: Haxhi Lleshi- ish Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kleanthi Koçi-Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kiço Blushi shkrimtar, Lufter Xhuveli- pedagog kryetar i Partisë Agrare, Rexhep Meidani-pedagog, Minella Dalani, gazetar në pension, Xhenet Muço, ushtarak. Menjëherë pas krijimit të tij, Këshilli Presidencial lëshoi një deklaratë, ku kërcënonte se do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, nëse nuk vendosej rendi dhe qetësia publike. Të nesërmen e rrëzimit të monumentit u hapën fjalë se efektiva të shkollës së Bashkuar do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e diktatorit që ndodhej në oborrin e shkollës. Duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një iniciativë  spontane, aq më tepër në një shkollë  të tillë ushtarake, ku nuk diskutohej  disiplina e hekurt. Në një thirrje të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës drejtuar presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, thuhej në fund se me përmbajtjen e thirrjes u njohën komandat e shkollave ushtarake dhe janë plotësisht dakord. Kërkesa e parë e kësaj thirrje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të cilit  kërkohej  që të përcaktohej  me anë të një referendumi  mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum, dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar, se vendi po kërcënohej  realisht me puç ushtarak.                     
“Ju rrëfej urdhrin për të goditur anijen që u arratis nga Sazani”
Ishte pranvera e trazuar e vitit 1991. Bashkë me eksodin e ambasadave, në ushtri bëri bujë të madhe një ngjarje tronditëse, që na alarmoi së tepërmi. Disa nga efektivat e bazës së Vlorës rrëmbyen një anije dhe u nisën drejt Italisë. Ishte një tronditje e madhe për ministrinë e Mbrojtjes. Kur na njoftuan, anija nuk e kishte kaluar akoma ngushticën e Sazanit. Pyeta menjëherë komandantin e Flotës se çfarë mund të bënim dhe më tha se dy janë mundësitë: ose të përmbyset, ose të asgjësohet, kur të kalojë nëpër ngushticë. Se për t’u kthyer as që behej fjalë. Mundësia më e mirë ishte  të goditej me një mjet tjetër e të përmbysej. I vetmi urdhër që kam dhënë ishte të përmbysej. Komanda e bazës së Vlorës e donte me shkrim urdhrin. Ua dërguam urgjent me telegram, por nuk e zbatuan. Komisar i Bazës ishte Halil Leli, anëtar i Komitetit Qendror, ndërsa komandant një me mbiemrin Kuçana, nga Tropoja. Dikush më tha më vonë se në anije qenë edhe të afërmit e Halil Lelit. Ata pra, nuk e zbatuan urdhrin dhe anija iku në Itali. Nëpërmjet  ministrisë së jashtme i kërkuam qeverisë italiane që të kthente edhe njerëzit, edhe anijen. Shumë më vonë u kthye vetëm anija. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, nënshkrova urdhrin për çmobilizimin e dy ushtarakëve të lartë të Flotës Luftarake. Por ky vendim shkaktoi ngarkesa negative në gjithë opinionin e qytetit të Vlorës. Për të mos u acaruar më shumë marrëdhëniet, e revizionova vendimin, megjithëse ata e kishin hak çmobilizimin. Në fund të fundit ishin ushtarakë. Më pas i thirrëm, me mendimin që të shkarkoheshin, por të mbeteshin në Marinë. Shtabi i Përgjithshëm reagoi fort dhe më shumë më kritikuan mua, pse tregohesha liberal dhe nuk pranuan që të rishikohej vendimi. Por këtë nuk e pranoi as Halil Leli, i cili sërishmi kërkonte që të mbetej komisar. Kuçana ishte më i ashpër, duket i kishte rakorduar telat me PD-në, sepse pas 1992-shit, u bë komandant i Flotës.