Lokaliteti është shkatërruar në masë të madhe dhe se gjetjet në këtë lokalitet janë rrafshuar nga ekskavatorët e kompanisë ‘Bechtel&Enka’.
“Moteli” romak dhe i gjithë lokaliteti arkeologjik në Postlishtë të Prizrenit u shkatërrua, duke u mbuluar me zhavorr dhe duke u shtypur nga ekskavatorët e kompanisë “Bechtel&Enka”, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sporteve dhe asaj të Transportit dhe të Postë- Telekomunikacionit.
Kërkesa të cilën e ka siguruar gazeta, është nënshkruar të martën nga kryetarja e Këshillit, Edi Shukriu.
Ndërprerja e përkohshme e punimeve në autostradë në lokacionin kontestues, vlerësimi i gjetjeve arkeologjike dhe identifikimi i shkallës së dëmtimeve, zbatimi i masave stabilizuese të strukturave arkeologjike të zbuluara, përnjohja e trasesë së autostradës në gjithë shtrirjen e saj, prezenca e ekipit mbikëqyrës arkeologjik gjatë ndërtimit të saj dhe plani i mbrojtjes afatgjate, janë gjashtë kërkesat e këtij Këshilli.
“Këta hapa duhet të zbatohen detyrimisht, duke formuar komision punues me përfaqësim të autoriteteve, institucioneve dhe ekspertëve të disiplinave relevante”, thuhet letrën e KKTK-së.
Në kërkesën drejtuar këtyre dy ministrive, KKTK-ja shpreh shqetësimin për dëmtimin e trashëgimisë arkeologjike gjatë ndërtimit të autostradës Vërmicë - Merdar.
“Sipas kuadrit ligjor të Kosovës, ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore është detyrim ligjor”, thuhet në letër. Zyrtarë të MTTP-së, të martën, nuk kanë pranuar të flisnin për kërkesën e KKTK-së.
Por Këshilli, për t’i zgjidhur këtë çështje më 19 të këtij muaji ka thirrur në takim Ministrinë e Kulturës dhe atë të Transporteve. Kjo e fundit thotë se do të japë një përgjigje brenda ditës së sotme (e mërkurë), ndërsa në MKRS-ja, thonë se përgjigjja e tyre është pozitive.
“Po, do të marrim pjesë”, ka thënë Shkëmb Manaj, ushtrues detyre i sekretarit të përhershëm në MKRS.
Sipas tij, Ministria e Kulturës është duke pritur që brenda kësaj jave të marrë raportin zyrtar të ekspertëve të Institutit Arkeologjik të Kosovës, i cili është caktuar të hartojë një raport ku do të shpërfaqet e gjithë gjendja në lokalitetin arkeologjik.
“Ne do të shkojmë me raport të IAK-ut. Kemi caktuar arkeologët më të mirë dhe do të flasim me letra”, ka thënë Manaj. “Ne do të marrim të gjitha informatat zyrtare edhe nga IAK-u, edhe nga MTPT-ja dhe në bazë të tyre ne do të marrim veprimet tona”, ka shtuar Manaj, duke qëndruar prapa pohimit të tij të para disa ditëve kur kishte thënë se nëse është shkelur ligji, MKRS-ja do të padisë shkelësin.
Gazeta më katër janar ka raportuar se lokaliteti i Poslishtit - i zbuluar pjesërisht në gusht në trasenë e autostradës – me lejen e MTTP-së është mbuluar me zhavorr. Sipas arkeologëve, aty qenë zbuluar themelet e një objekti i përbërë nga një stacion rrugor, i cili ka shërbyer për qëndrim të karvanëve tregtarë, apo të luftëtarëve. Ai përbëhej nga disa vende të ndejës për njerëz dhe një stalle për kafshët udhëtuese, si dhe nga një termë apo banjë romake. Monumenti i takon periudhës romake, përkatësisht shekujve II-IV dhe ka qenë në shërbim të rrugës Naisum - Lissus (Nish - Lezhë), nga kanë kaluar karvanë të ndryshëm. Pas veprimit të MTTP-së tashti ka mbetur pak nga ky monument, të cilin arkeologët që e zbuluan e “pagëzuan” si motel romak. Madje arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Shafi Gashi, kishte thënë se “lokaliteti është shkatërruar në masë të madhe dhe se gjetjet në këtë lokalitet janë rrafshuar nga ekskavatorët e kompanisë ‘Bechtel&Enka’”.





