Matt Ridley-n e ndjek prej vitesh. I edukuar në biologji, më saktë në zoologji, Ridley nuk është vetëm një njohës i mirë i evolucionit, por edhe një autor i talentuar i pop-shkencës. Me sa e ndjek, në shqip është përkthyer libri i tij “Genome” – "Gjenomi, një autobiografi e species në 23 kapituj". Përpara këtij libri, Ridley kishte tërhequr vëmendjen, sidomos të komunitetit të biologëve, me librin tjetër: “The Red Queen – Sex and the Evolution of Human Nature”. Të dy librat janë kënaqësi leximi.
“The rational optimist” - "Optimisti racional" (2010), në dallim nga dy të mësipërmit, nuk është libër me temë biologjike. Eshtë një libër që përpiqet të ballafaqohet me një fenomen dominues jo vetëm të së tashmes sonë, por edhe të së tashmeve që tashmë janë bërë e kaluar: me negativitetin për të tashmen dhe të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Pyetja që Ridley përpiqet t’i përgjigjet dhe që ai e vjedh (referon) nga Thomas Babington Macaulay, është: On what principle is it, that when we see nothing but improvement behind us, we are to expect nothing but deterioration bedore us?
Ridley është kurioz dhe kurioziteti e shtyn të kërkojë, të zbulojë, të krahasojë. Qoftë edhe vetëm për informacionet që sjell ky libër, ia vlen të lexohet. Dhe Ridley na tregon se bota nuk ka qenë kurrë më mirë sesa sot. Dhe Ridley shpjegon se nuk ka asnjë arsye që të sygjerojë se bota nuk do të jetë më e mirë nesër. Ridley është optimist, por racional. Në fakt, të jesh optimist sot do të thotë të luash me një lloj risku, me riskun për t’u quajtur naiv. Në rrethe të caktuara intelektuale, të jesh optimist është gati një damkë, është një lloj stigme që insinuon mungese intelektualiteti. Ridley nuk ka frikë nga establishmenti dhe ndjek kureshtjen, e duke ndjekur atë na ka dhuruar një libër që jo vetëm informon për rrugën që ka ndjekur shoqëria njerëzore deri më sot, por edhe që përpiqet të shpjegojë se përse ka ndodhur që shoqëria njerëzore e ka pasur të ardhmen gjithnjë e më të mire.
“Ajo që dallon shoqërinë njerëzore nga gjithë speciet e tjera, është se në një moment të historisë njerëzore idetë filluan të kryqezohen me njëra-tjetrën, filluan të kishin seks me njëra-tjetrën – argumenton Ridley, - ... në një moment të caktuar të prehistorisë njerëzore, njerëzit filluan të shkëmbejnë gjëra me njëri-tjetrin dhe kur filluan ta bëjnë këtë kultura filloi të bëhej kumulative, dhe me këtë filloi udha e pashmangshme e rritjes ekonomike. Shkëmbimi është për evolucionin kulturor sic është seksi për evolucionin biologjik.”





