Kampionët e nëntëfishtë evropianë mposhtën Barcelonën me rezultat 1-0 në finalen e Kupës së Mbretit në Valencia, që ishte triumfi i parë që nga viti 1993 në këtë garë dhe i pari pas dy dështimeve në finale (2002 dhe 2004) i Florentino Perez.
“Jam pjesërisht i ngazëllyer pasi ishte kupa e vetme të cilën nuk e kisha fituar. Kam fituar Ligën e Kampionëve, Superkupën dhe Kupën Interkontinentale. Më mungonte vetëm Kupa e Mbretit dhe kjo është hera e tretë dhe me fat për mua”, ka thënë Perez.
“Tash duhet të arrijmë në finalen e Ligës së Kampionëve dhe ta fitojmë atë – kjo do të shënonte një sezon të mirë”, ka shtuar spanjolli.
Ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve mes dy rivalëve spanjollë zhvillohet javën e ardhshme në Bernabeu.





