Opozita turke e ka hallin tjetërkund

 “Zaman”


 

Plani për të rritur numrin e drejtorive dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të Apelit dhe të Këshillit të Shtetit ka shkaktuar panik në Partinë Popullore Republikane(CHP). Dhjetë përfaqësues të saj bënë thirrje publike që të angazhoheshin në veprimtari rezistence, rrugë më rrugë, lagje më lagje, pasi lanë postet që zotëronin. Fillimisht, sjellja e tyre u vlerësua si një shpërthim emocional. Më pas, njëri prej tyre u shfaq përpara ekraneve televizive dhe iu referua fjalimit të Mustafa Qemal Ataturkut, që hamendësohet të jetë mbajtur në Bursa. Mes të tjerash, ai tha: “Ju nuk mund të thoni se vendi ka polici, xhandarmëri, ushtri apo sistem drejtësie. Ju takon juve të ndërhyni, me duart tuaja, me gurë, shkopinj dhe armë zjarri.”( Drejtori i “Qendrës së Kërkimeve për Ataturkun”, prof. Cezmi Ereslan është shprehur për të përditshmen “Today’s Zaman” se nuk ka të dhëna të ekzistencës së tekstit të një fjalimi të tillë). Pikërisht kur mendonim se “këta njerëz kanë humbur arsyen, por nuk mund të fajësonim të gjithë CHP-në si përgjegjëse të kësaj marrëzie”, kryetari i opozitës turke (CHP-së), Kemal Kılıçdaroğlu, u doli në krah atyre. Kolumnisti i “Milliyet”it, Can Dundar riktheu në vëmendje komentet e Ismet İnönü-t në lidhje me grushtin e shtetit të vitit 1960 dhe i bëri një pyetje intriguese: “Nëse do të shndërroni një regjim demokratik në një regjim represiv, a mos vallë revolucioni bëhet një e drejtë legjitime mbarë-popullore? “Po vërtet, është e njëjta situatë”, u përgjigj z. Kılıçdaroğlu dhe më pas shtoi: “Në fakt, gjendja është edhe më serioze se kaq. Nëse ushtrohet trysni, rezistenca është rruga e duhur”. Pak më pas ai bëri lidhjen me gjendjen në Egjipt, duke thënë:”Rasti i Egjiptit është shembull i mirëfilltë ilustrues. Nëse trysnia shtohet, revolta do të përshkallëzohet”. Ky është shembulli më domethënës që e vë dikë me shpatulla pas murit. Nëse partia kryesore opozitare turke nuk përqendrohet tek zgjedhjet që do të mbahen pesë muaj më vonë, por tek një kryengritje e ngjashme me atë egjiptiane, kjo tregon qartë se sa e pështjelluar është ajo në vetvete.
Le të themi edhe që qeveria po gabon me ndryshimet që kanë të bëjnë me Gjykatën e Lartë, të Apelit dhe të Këshillit të Shtetit. Opozitës i takon që të shprehet publikisht për këto veprime të gabuara që ndërmerr qeveria. T’i kërkojë popullit të votojë për forcën politike që ai kryeson, pasi ai do t’i pengojë këto ndryshime. Por jo t’i bësh thirrje popullit për kryengritje dhe revoltë masive. Kjo do të thotë të përkeqësosh gjendjen, ndërkohë që përpiqesh të fitosh mbështetje popullore për zgjedhjet. Është e njëjta gjë që po ndodh në Egjipt. Populli egjiptian shprehu përfundimisht kundërshtinë ndaj ‘tutelës’ dhe kërkoi demokraci. Ne turqit e kemi shprehur kundërshtinë tonë përmes referendumit të 12 shtatorit të vitit 2010: kundërshtuam e hodhëm poshtë sistemin e “kastës” në shkallët e larta të drejtësisë dhe i shtruam udhën demokratizimit. E hodhëm këtë hap pa shkaktuar dëme dhe pa pasoja. CHP-ja nuk mund t’i shtrembërojë faktet dhe t’i hedhë hi syve publikut duke shfrytëzuar disa organe mediatike dhe mbrojtësit e “tutelës”, që t’i bëjnë temena. Në fakt, CHP-ja dhe ata që janë të lidhur me të po bëjnë një gabim trashanik. Publiku po vëren nostalgjinë e tyre për periudhën autokratike, duke u shfaqur pro mos-ndryshimit të gjendjes. Njerëzia e ka kuptuar mirë se si veproi kjo forcë politike kur i doli në mbrojtje “Ergenekon”-it. Të gjithë e kuptuan kontradiktën ku ra CHP-ja, kur mendonte të nominonte si deputetë të pandehurit e Silivrit. Ata e kuptuan se CHP-ja është e pasinqertë kur u përpoq të shmangte përballjen me ligjin për të dyshuarit e çështjes Ergenekon, ndonëse vazhdimisht kërkon heqjen e imunitetit parlamentar, madje e shfrytëzon edhe heqjen e imunitetit parlamentar në formë pazarllëku, që ajo të heqë dorë nga ndalimi i shamive në universitete. Partia kryesore opozitare mashtron veten teksa mendon se “publiku nuk kupton” apo “nuk ia ka haberin”. Kjo do të thotë që CHP-ja nuk është e interesuar tek votimi, por të luajë me fatet e popullit. Vetëm pesë muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. A i ka gati CHP-ja propozimet e saj se si duhet të veprojë Turqia në politikën e jashtme, për çështjen kurde, për arsimin, shëndetësinë, transportin apo çështjet sociale? A ia ka rënë vallë kujt në vesh se çfarë plan-veprimi ka partia kryesore opozitare në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE? Nëse kanë ndonjë ide konkrete, cilat janë ato konkretisht?
Ndërkohë që debatet për planifikimin e ‘grushtit të shtetit’, vrasjet e intelektualëve, dokumentet dhe informacionet që lidhen me konspiracionin vazhdojnë të rrahin fort daullet e veshëve të turqve të thjeshtë, çfarë po bën CHP-ja për ta? Përse kjo parti opozitare nuk bën thirrje publike për të mbështetur demokracinë dhe ligjin, në mënyrë që të hidhet dritë në vrasjet e gazetarëve Abdi İpekçi, Uğur Mumcu dhe Hrant Dink? Pse nuk i nxit njerëzit për të dalë e vërteta në shesh. Pse vallë nuk kërkon që të zbatohet drejtësia edhe për afro dy milion çështje që kanë mbetur të pezull në Gjykatën e Lartë, të Apelit dhe në Këshillin e Shtetit? Ndërkohë që sistemi gjyqësor në vend ka dështuar, përse po i kundërvihet CHP-ja propozimeve për ndryshim në gjyqësor që do t’i mundësonte kësaj të fundit punë me ngarkesë të plotë. Nuk është se gjykatësit që do marrin detyrën do të vijnë nga ndonjë shtet tjetër. Cila është arsyeja që disa gjyqtarë damkosen para se t’ia nisin punës? Kur sistemi gjyqësor kontrollohet nga ideologjia e CHP-së, atëherë drejtësia qenka “neutrale”, dhe kur media mbështet CHP-në, pikërisht atëherë media është e mirë sa më s’ka. Nëse sistemi “tutelë” nis të ndryshojë në Turqi, pikërisht atëherë Turqia shkon drejt fashizmit! Vërtet? Është ca si vonë për të tilla gjepura.

Posted via email from Shkupi Press extra