“Zaman”
Duke mbërritur në Paris për të marrë pjesë në “Simpoziumin Ndërkombëtar për Lirinë e Shprehjes”, nën përkujdesjen e UNESCO-s, kolegu im Yavuz Baydar dhe unë morëm një taksi nga aeroporti për të mbërritur në qendër të kryeqytetit francez. Taksisti, një algjerian i lindur dhe i rritur në Francë, ia nisi bisedës sapo vuri re se ne ishim turq. Ai u shpreh me admirim për kryeministrin turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentin Adbullah Gül - si edhe për ushtrinë turke - duke thënë: “Franca nuk dëshiron që Turqia t’i bashkohet Bashkimit Evropian, por Turqia është në të përpjetë dhe Franca në tatëpjetë”. Kjo fjali e taksistit ishte për mua një shembull i goditur i shprehjes së respektit të thellë (jo krejtësisht të merituar) që nën qeverinë e drejtuar nga Partia për Drejtësi e Zhvillimi(AKP), Turqia ka përçuar në radhët e arabëve kudo që ata jetojnë.
Perceptimet mjaft pozitive për Turqinë në rajonin e Lindjes së Mesme janë konfirmuar edhe prej sondazheve të kryera prej “Fondacionit për Studime Ekonomike e Sociale” (TESEV). Jo më pak se 2/3 e të pyeturve që i përkasin tetë vendeve të ndryshme, përfshirë këtu Egjiptin, Iranin dhe Arabinë Saudite) janë shprehur se Turqia është një vend që duhet të merret si model për rajonin. Jam i mendimit se Turqia, me demokracinë e saj gjithnjë e më të shtrirë, me ekonominë gjithmonë e në rritje dhe me një politikë të jashtme të pavarur, është shndërruar në burim frymëzimi për popujt arabë dhe demokracitë e këtyre vendeve, të cilat ka shumë gjasa të ndjekin shembullin turk. Rachid Ghannouchi, udhëheqësi i partisë tuniziane pro-islame “Ennahda”, i cili është rikthyer në kryeqytetin e vendit pas 22 vitesh në mërgim, e ka shprehur mjaft qartë kuptimësinë e përvojës turke: “Unë përfytyroj një strukturë të llojit të AKP-së. AKP-ja turke e ka dëshmuar se Islami dhe Demokracia janë të përputhshme me njëra-tjetrën. Kështu do të ndodhë edhe në Tunizi”.
Në Tunizi, ashtu si edhe në Egjipt, ngarendja drejt demokracisë, përngjashmëritë e partive pro-islame, opozitë e fortë dhe e organizuar ndaj regjimeve autokratike, ardhja në pushtet si forcë e vetme apo në koalicion, janë disa prej shqetësimeve që ngrihen në Perëndim, veçanërisht në SHBA e Izrael. Në Perëndim dhe Izrael duket se po dalin në pah dy lloj përqasjesh në lidhje me Islamin dhe Botën Arabe. Njëra prej tyre, që gjen vend më shumë në radhët e qeverisë izraelite, në qarqet neokonservatore amerikane dhe ato të lobit izraelit në SHBA, mbështetet tek ideja se “Islami nuk ka pika të përbashkëta si me Modernen, ashtu edhe me Demokracinë”. Qoftë edhe ato parti pro-islame që duket të jenë më të moderuara, shihen sikur do ta përdorin demokracinë për të arritur qëllimet vetjake, e më pas t’ia kthejnë shpinën. Për këtë arsye, mendojnë se i duhet thënë ndal partive pro-islame pranë pushtetit. Qasja tjetër që gëzon mbështetje gjithnjë e në rritje gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, i përmbahet arsyetimit se Islami është një besim fetar, që ashtu si edhe besimet e tjera, “është i përputhshëm me Modernen dhe Demokracinë”. Partitë pro-islame nuk janë as monolite, as edhe përfaqësueset e vetme politike të popullit. Ka mes tyre edhe nga ato që janë të prirura ndaj fondamentalizmit ashtu si edhe ndaj modernizmit, qoftë si kontributore të demokracisë, qoftë edhe jo të këtilla.
Është mjaft e rëndësishme për SHBA-në dhe aleatët e saj evropianë që të angazhohen me të mëparshmet dhe të mbështesin përfshirjen e tyre në proceset demokratike. Madje edhe do parti pro-islame me shprehi radikale ka shumë mundësi ta rigjejnë veten në pozita krejtësisht të detyruara për t’i përmbajtur vlerave demokratike. Është mjaft me vend të vëzhgohet rasti i Lëvizjes pro-islame turke që i dha jetë në një partie konservatore në rrafshin kulturor, por liberale në planin politik dhe ekonomik(AKP-ja).
Me cilën prej këtyre qasjeve lidhet më shumë rasti tunizian? Vetë z.Ghannouchi është shprehur vite më parë: “Konflikti në vendin tonë nuk ka lidhje me Islamin apo Modernen. Nuk është një konflikt fetar dhe nuk është njëherazi as edhe konflikt ndërmjet religjionit e laicizmit. Në Tunizi, në konflikt është populli që po bën betejën e tij për liri dhe dinjitet kundër sunduesve të korruptuar që e kanë kthyer shtetin në mjet dhune”. Sipas Ghannouchi-t, partia e tij është e prirur kryekëput ndaj “demokracisë, pluralizmit dhe ndryshimit të pushtetit përmes kutisë së votimit”. Ai i mëshon idesë se parimi bazë i Islamit është drejtësia, e cila kërkon të ketë barazi të drejtash mes burrave e grave, myslimanëve dhe jo-myslimanëve, ndaj të gjitha qënieve njerëzore, dhe që shamia është çështje e zgjedhjes së lirë të grave dhe që nuk mund të vendoset dhunshëm”.(Pjesë nga fjalimi i tij i mbajtur në Chatham House, Londër, 9 Maj, 1995).
Sigurisht që Tunizia nuk rrezikon aspak të kthehet në një teo-demokraci të llojit iranian. Po në lidhje me Egjiptin? Përgjigjen mund ta japë Mohamed El Baradei - mendjehapuri liberal që kryeson të tërë opozitën egjiptiane - ndaj frikës së periudha pas-Mubarak do ta kthejë Egjiptin në një Iran të ri, është “një mit i hedhur në treg nga regjimi i Mubarakut”. “Vëllazëria Myslimane, partia kryesore pro-islame e opozitës, nuk ka aspak lidhje me ekstremizmin dhe dhunën. Është një grupim konservator-religjioz që nuk mbështetet më shumë se nga 20% e popullatës, që i përmbahet një kushtetute që siguron të njëjtat të drejta dhe detyrime për të gjithë egjiptianët, e që nuk ka kërkuar aspak krijimin e një shteti të bazuar tek feja”. (Gjatë një interviste të dhënë Fareed Zakaria-s në CNN, në 31 janar 2011).
Marrë nga portali “gazetastart.com”





