Nga Ali Bulaç (Zaman)
Çështja kurde vazhdon të mbetet çështja më me rëndësi në Turqi. Javën e fundit, “Asambleja e Shoqërisë Demokratike”(TDK), që është një organizëm mjaft i afërt me “Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit”(PKK), dhe “Partia për Shoqëri Demokratike”(BDP; pro-kurde) bënë publike në Diyarbakir një projekt për “Autonomi demokratike”, projekt i cili ndezi debate cep e skaj Turqisë. Zhvillimi i këtyre debateve është dobisjellës ngaqë mundëson gjetjen e zgjidhjeve të duhura për këtë problem. Politika e mbajtjes së negociatave në një klimë të çlirët nga dhuna e diktati, ka shumë gjasa të krijojë mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët brenda këtyre debateve. Teksti i drafti të paraqitur që synon “autonomi demokratike” përbën në vetvete një kërkesë politike, dhe natyrshëm që ai mund të skicohet si projekt politik. Nga ana tjetër, çfarëdo lloj projekti politik nuk mund të identifikohet me vetë çështjen. Çështja ka të bëjë me njohjen e identiteteve të komuniteteve të përfillshëm në numër që shquhen si kurdë – dikush mund t’i quajë edhe grupime etnike, popullatë, kombësi, apo diçka tjetër – dhe heqjen dorë nga praktikat e ushtrimit të trysnisë ndaj përdorimit lirisht të gjuhës së tyre amtare. Ka tri pika kryesore, sipas meje, që përbëjnë thelbin e kësaj çështjeje që e kam marrë në shqyrtim qysh prej vitit 1990, dhe që mund të shpien drejt gjetjes së zgjidhjes së duhur të problemit.
E para, duhet të njihet e pranohet identiteti etnik i kurdëve dhe duhet të shmangen pengesat ligjore e kushtetuese që kanë të bëjnë po me këtë çështje. Këto përmirësime ligjore kanë lidhje në mënyrë më të drejtpërdrejtë me kurdët, por në mënyrë të vetëkuptueshme këtu përfshihen edhe bashkësi të tjera etnike si kirkizët, gjeorgjianët, shqiptarët, boshnjakët, etj. E dyta, i duhet dhënë fund njëherë e mirë ndalimit të përdorimit të gjuhës amtare; bashkë me turqishten si gjuhë zyrtare dhe e përbashkët, të tjera gjuhë amtare duhet të gjejnë shtrirje përdorimi edhe në shumë rrafshe të tjera të jetës, përfshirë këtu median dhe arsimin. E treta, duhet nxitur zhvillimi dhe rritja e mëtejshme e nivelit ekonomik e shoqëror të këtyre rajoneve, si për shembull, pjesa juglindore dhe lindore e Anadollit; e në disa raste të veçanta, edhe duke përdorur për situata të koklavitura të ashtuquajturin “diskriminim pozitiv”.
Duhet të lejohet përdorimi i toponimeve apo edhe vendosja e emrave në gjuhën kurde të ngrehinave, krahinave apo lumenjve, etj; duhen amnistuar të gjithë ata militantë të PKK-së që nuk kanë lyer duart me gjak; duhet të përmirësohen marrëdhëniet ekonomike, sociale, shoqërore dhe kulturore me kurdët e vendeve fqinjë; duhet të lehtësohet lëvizja e lirë ndërmjet vendeve të rajonit. Janë të gjitha mundësitë që këto synime të jetësohen. Ka edhe propozime të tjera për zgjidhjen e çështjes, por ato janë kryesisht të natyrës politike. Gjithsesi, debati duhet të përthithet dhe t’i përmbahet frymës pozitiviste, si edhe rrafshit ligjor e politik.
Projekti i paraqitur dhe shqetësimet e ngritura nuk kanë të bëjnë vetëm me projekt-hartuesin dhe shpallësin e këtij synimi, por ato shtrihen edhe më tej; ngaqë janë shqetësimi edhe i shumë partive të tjera të singjashme që mbartin kapital politik me vlerë për të ndryshuar në thelb jetën e tyre politike, shoqërore dhe administrative. Në këtë kuptim, projekti i “autonomisë” lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me çdo shtetas turk: a) me rreth 73 milionë banorë, b) me të gjithë kurdët, c)me kurdët, arabët dhe armenët që jetojnë në rajonin e Anadollit juglindor e lindor. Asnjë projekt politiko-administrativ nuk mund të jetësohet vetvetiu, përmes pushtetit politik apo edhe me masa shtrënguese. Nëse do të ishte mundësuar prej kohësh vënia në zbatim përmes pushtetit, nuk do të ishte folur me kohë për ‘çështje kurde’; nëse do të ishin vënë në përdorim masat shtrënguese për t’ia arritur qëllimit, PKK-ja do të kishte dalë me qarin prej shumë kohësh. Duke lënë mënjanë faktorët shtinjakë të brendshëm e të jashtëm, që i bien prej kohësh tam-tameve të fatalizmit, mund të dëshmojmë se nuk kemi nevojë për trysni politike dhe forcën e armëve për të zgjidhur problemet përmes gjuhës së dialogut; duhet të shfaqemi aftë se mund të biem në ujdi edhe vetë, pa praninë e të tretëve.
Një pikë tjetër me rëndësi është se askush nuk duhet të rrahë gjoksin se zgjidhja që i shkon ndërmend atij është e vetmja që garanton liritë dhe të drejtat, apo se është e vetmja zgjidhje demokratike dhe që zgjidhjet e tjera nuk vlejnë as edhe një kacidhe. Duhet pasur parasysh se zgjidhjet që synojnë autonominë, decentralizimin e mëtejshëm nën çatinë e një shteti të përbashkët, fuqizimin e qeverisjeve lokale, demokraci rajonale apo federatë, në trajta të theksuara apo të zbehta, janë të ndryshme nga njëra-tjetra vetëm në lidhje me nivelin, por në thelb janë të së njëjtës natyrë. Çdo lloj tranzicioni i synuar përmes metodave radikale mund të të joshë fillimisht, por më pas mund të krijojë një rrjet të tërë problemesh ku përllogaritja dhe zgjidhja e tyre vështirësohen skajshëm.





