Protestat që kanë përfshirë vendet arabe këtë javë, veç të tjerash kanë edhe diçka tjetër të përbashkët që i unifikon: “Al Jazeera”, kanali televiziv satelitor me qendër në Katar, lajmet dhe publikimet agresive të të cilit kanë ndihmuar në përhapjen e emocioneve dhe të inatit të protestuesve në të gjitha vendet arabe të përfshira nga protestat nga një kryeqytet në tjetrin. “Al Jazeera” është lëvduar shumë për rolin që ka luajtur në ndihmën që dha për mundësimin e revoltës në Tunizi, me raportimet e hershme nga situata e deri me pamjet dhe lajmet e drejtpërdrejta nga protestat, të cilat përmbysën diktatorin e vendit Ben Ali dhe klikën e tij. Ky kanal televiziv e ka vazhduar punën edhe pas dëmeve që pësuan zyrat e tij lokale në Liban dhe në Bregun Perëndimor. Ka shumë arsye për të menduar se “Al Jazeera” është në momentin e tij më të mirë, ose në kulmin e lavdisë mediatike dhe jo vetëm për rolin që ka luajtur dhe vazhdon që të luajë, por gjithashtu edhe për shkak se ky kanal ka ndihmuar në përhapjen dhe artikulimin e inatit dhe urrejtjes së popujve arabë kundër qeverive të tyre shtypëse të mbështetura nga Amerika dhe Perëndimi. Dhe kjo, për herë të parë, që nga themelimi i tij 15 vjet më parë. Artikulimi i kësaj revolte të popujve arabë, prej kohësh është përvijuar jo vetëm në lajmet, por edhe në emisionet e ndryshme, të cilat kanë pasqyruar vuajtjen e vërtetë të arabëve dhe situatën e rëndë ekonomike dhe atë të të shkeljes së të drejtave të njeriut. “‘Al Jazeera’ ka ndihmuar në krijimin e nocionit të revoltës së përgjithshme që ka përfshirë të gjitha vendet arabe”, thotë një profesor mediash në Universitetit George Washington, i cili shkruan shumë në mediat arabe. “‘Al Jazeera’ nuk është shkaktarja e këtyre ngjarjeve, por është thuajse e paimagjinueshme që të mendosh se e gjithë kjo revoltë masive që po ndodh do të ishte materializuar pa ndihmën e ‘Al Jazeera’-s”, vazhdon profesori. Megjithatë arsyet dhe motivet pas kësaj veprimtarie të “Al Jazeera”-s janë vënë në qendër të kundërshtive të shumë palëve të prekura pak, ose shumë nga një situatë e tillë. Kështu kanali satelitor është akuzuar për mbështetje të Hezbollahëve në Liban dhe Hamasit në Gaza, kundër rivalëve përkatës në Liban dhe në Palestinë. Një nga reporterët e kanalit në Tunizi u shndërrua në një nga nismëtarët dhe drejtuesit e protestave në kryeqytet. Kritikët e “Al Jazeera”-s spekulojnë edhe se ky rrjet mbron interesat e Emirit të Katarit. “Al Jazeera” ka qenë edhe më parë në qendër të vëmendjes në vitin 2003, pas pushtimit të Irakut kur u akuzua nga zyrtarët amerikanë për simpati ndaj Sadam Huseinit dhe kryengritjes që pasoi rrëzimin e tij nga pushteti. Por kjo ishte hera e fundit dhe tani ja ku del sërish në dritë me pushtetin e saj mediatik. Këtë herë, kundërshtarët dhe mbështetësit e saj janë të përhapur në të gjitha vendet arabe. Këtë javë, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz, e akuzoi “Al Jazeera”-n për shtrembërim të pozicionit të tij, duke u përpjekur që përmes lajmeve të rreme t’i shkatërronte reputacionin dhe pozicionin politik. Stacioni transmetoi një raport special bazuar në dokumente “të rrjedhura”, sipas të cilave Presidenti palestinez, Abaz, dhe aleatët e tij i kanë ofruar Izraelit koncesione jashtëzakonisht të mëdha në lidhje me Jerusalemin dhe me fatin e refugjatëve palestinezë. Këto raportime të kanalit televiziv kanë nxitur demonstratat e palestinezëve të inatosur kundër Mahmud Abaz dhe Autoritetit Palestinez në Gaza dhe në kundërpërgjigje, mbështetësit e Abaz sulmuan zyrat e “Al Jazeera”-s në Ramallah të Bregut Perëndimor. Në Liban, protestuesit sunitë, mbështetës të ish-kryeministrit të vendit Saad Hariri, i vunë zjarrin disa makinave të stacionit televiziv duke e akuzuar atë për mbështetje të shiitëve. Nuk ka dyshim që për çështjen palestineze, “Al Jazeera” mban qëndrim të përcaktuar, duke nxjerrë në një ditë më të mirë Hamasin krahasueshmërisht me rivalët e tij dhe është më i hapur ndaj inatit të arabëve ndaj Izraelit. Edhe mbështetësit e këtij stacioni e pranojnë se ai ka disa pika të dobëta që mund ta dëmtojnë në reputacion. Të martën pasdite, ndërsa protestat në rrugët e Egjiptit ishin bërë masive dhe ishin nxehur jashtë mase, “Al Jazeera” e kishte marrë shumë “shtruar” raportimin nga terreni të situatës, duke transmetuar një dokumentar kulturor në atë momente, i pasuar nga një shfaqje sportive dhe nga një zbulim i mëtejshëm i të ashtuquajturave “Letra palestineze”. Shumë egjiptianë u ndien të tradhtuar dhe “Facebook” dhe “Twitter” ishin të mbushur me thashetheme për një marrëveshje mes Katarit, Emiratit të Gjirit Persik, sheiku i të cilit, Hamad bin Khalifa al Thani, themeloi “Al Jazeeran” në vitin 1996, dhe Presidenti egjiptian Mubarak të Egjiptit, e takoi emirin personalisht në Doha muajin e kaluar. Por shumë shpejt “Al Jazeera” nisi që të transmetonte nga rrugët e Kajros me stilin e saj tashmë të njohur për të gjitha vendet arabe dhe më gjerë. Transmetimet e “lira” televizive të këtij stacioni e kanë bërë atë që të konsiderohet si “delja e zezë” nga qeveritë arabe dhe në disa faza fillestare, ato kanë pasur edhe sukses në goditjet që i kanë dhënë stacionit. Në vitin 2007, kanali televiziv mori urdhër për të zbutur mbulimin e ashpër që i bënte të gjitha lajmeve që kishin të bënin me Arabinë Saudite, pas një grindjeje politike që pati Katari me Sauditët. Kjo mbetet edhe një pikë e dobët për “Al Jazeera”-n, si dhe për një pjesë të madhe të medias arabe, e cila në pjesën më të madhe financohet dhe ndodhet në pronësinë e Arabisë Saudite. E megjithatë, pavarësisht të gjitha problemeve dhe kritikave që mund të ekzistojnë ndaj “Al Jazeera”-s, ajo është media më e lirë në të gjitha vendet arabe dhe me transmetime më të pavarura. Për shumë arabë, publikimi i fundit që i bëri “Al Jazeera” “Letrave palestineze” është pjesë e protestës që ka shprehur ky stacion ndaj shumë regjimeve autokratike arabe. Autoriteti Palestinez konsiderohet gjerësisht si një palë me Izraelin dhe Perëndimin, një institucion me një mbështetje shumë të vogël popullore dhe që mbahet “gjallë” me vështirësi, pak a shumë siç e mbajnë veten në pushtet të gjithë diktatorët arabë. Nëse stacioni është akuzuar herë pas here për shprehje simpatie institucionale me islamikët, kjo ndodh pjesërisht për shkak se islamizmi është bërë forca më e fuqishme popullore në rajon, edhe pse nuk ka qenë forca lëvizëse pas protestave të fundit dhe kjo është diçka që i ka çuditur analistët. “Al Jazeera” është admiruar gjerësisht për mënyrën agresive të mbulimit dhe raportimit të protestës tuniziane, e cila u injorua gjerësisht në mediat perëndimore. Kanali televiziv pati sukses pavarësisht pengesave të mëdha, me të cilat u përball: qeveria tuniziane nuk i lejoi reporterët e saj që të hynin në vend dhe në këto kushte, u menduan disa “rrengje” nga ana e kanalit televiziv, për të mbuluar ngjarjet me profesionalizëm dhe në detaje. Kështu një gazetar tunizian që punon tek “Al Jazeera”, Mohamed Krichen, i kërkoi një miku të tij tunizian që të punonte për stacionin dhe të ishte syri dhe veshi i tij në terren. Miku, që është gazetar nga profesioni dhe një aktivist i të drejtave të njeriut, u sulmua disa herë nga shërbimet sekrete dhe ato të policisë. Megjithatë ai nisi që të dërgonte me nisjen e protestave pamje përmes celularit, të cilat dilnin në TV dhe më pas edhe në internet, duke njoftuar në këtë mënyrë të gjithë për atë që po ndodhte në Tunizi. Madje kanali transmetoi edhe videot e njerëzve që u vinin zjarrin vetes, duke ndezur protestat në të gjitha pjesët e vendit. Janë materiale që në epokën e errët të Ben Aliut nuk do të transmetoheshin, për shkak të censurës së ashpër mediatike që ai kishte vendosur në vend. Gazetarët dhe drejtuesit e këtij kanali televiziv për momentin janë krenarë në rolin e padiskutueshëm që patën në rrëzimin e Ben Ali dhe kastës së tij nga pushteti, por njëherazi e dinë mirë se sa delikate është çështja e reputacionit dhe paanshmërisë në një situatë të tillë dhe në një rajon të vështirë.
Si e përhapi revoltën tuniziane
Home »
» “Al Jazeera” kap momentin