Zbulimet më spektakolare të Wikileaks deri më tani

Lindita Arapi DW

250.000 dokumentet e botuara në Wikileaks ofrojnë një vështrim të drejtpërdrejtë nëpër kulisat e diplomacisë amerikanë. SHBA ka reaguar me zemërim pas publikimeve. Kritika të tjera vijnë nga e gjithë bota.

 

Publikimi i dokumenteve në Wikileaks, pjesërisht sekrete, të Ministrisë së Jashtme Amerikane ka shkaktuar kritika në mbarë botën. Shumë politikanë botërorë janë shprehur me tone kritike për publikimet në faqen e kësaj platforme. Me këto zbulime humbet besimi tek diplomacia amerikane, pasi dokumentet që kanë rënë dorën e Wikileaks, janë shpesh edhe vlerësime personale, thuhet në reagimet e ndryshme. Qeveria amerikane po përpiqet për të kufizuar dëmin.

 

Diplomatë edhe spiunë?

Veçanërisht delikat për të konsiderohet publikimi i dokumenteve, të cilat nxjerrin në dritë se si ministrja e Jashtme amerikane, Clinton, dhe paraardhësja e saj, Rice, kanë lejuar që diplomatët amerikanë të përdoren edhe si informantë për qëllime spiunazhi.

Sipas zbulimeve, diplomatët kanë marrë udhëzime ndër të tjera të marrin numrat e kartave të kreditit të personaliteteve të ndryshme politike në botë, plane pune, hollësi për lidhje telefonike e informacione të tjera, sigurimi i të cilave fshin kufijtë e punës mes diplomatit dhe informantit. Madje, edhe misioni i SHBA-së pranë Kombeve të Bashkuara ka marrë një urdhëresë të tillë nga Hillary Clinton. Gazeta "Washington Post" e cilëson pikërisht këtë publikim si shumë të dëmshëm për diplomacinë amerikane.

Susan Rice, ambasadore e SHBA-së në OKB, reagoi: "Diplomatët tanë bëjnë atë që bëjnë diplomatët në të gjithë botën gjatë ditës, ndërtojnë marrëdhënie, negociojnë, ndjekin interesat tona, punojnë të gjejnë zgjidhje për probleme konkrete. Kjo është puna e tyre dhe ata e bëjnë atë shumë mirë, me integritet të madh”.

Edhe ministrja e Jashtme amerikane, Hillary Clinton, ka shprehur të hënën keqardhjen e thellë për bërjen publike të dokumenteve sekrete nga Wikileaks si rezultat i dorëzimit të më shumë se 250.000 dokumenteve nga një informant. "SHBA dënojnë me forcë publikimin e informacionit të klasifikuar. Ai vë në rrezik jetët e njerëzve, kërcënon sigurinë tonë kombëtare dhe minon përpjekjet tona për bashkëpunim me vendet e tjera për të zgjidhur problemet e përbashkëta. Ky nuk është vetëm sulm ndaj interesave të politikës së jashtme amerikane. Ai është sulm ndaj komunitetit ndërkombëtar, aleancave dhe partneriteteve, bisedimeve dhe negociatave që garantojnë sigurinë dhe ndihmojnë në prosperitetin tonë ekonomik”, - ka thënë Hillary Clinton.

Presidenti amerikan Barack Obama pranon se Shtëpia e Bardhë "nuk është e kënaqur" për këto publikime. SHBA ndërkohë pas publikimeve në Wikileaks ka përforcuar rregulloret për punonjësit qeveritarë. Zyra presidenciale ka vendosur rregulloren që punonjësit e administratës të mos kenë akses në dokumente të tjera veç atyre që janë të nevojshme për punën.

 

Reagime botërore

Gjermania reagoi e përmbajtur pas zbulimeve, në të cilat Kancelarja Merkel cilësohet si pa shumë profil dhe fantazi, ndërsa ministri i Jashtëm, Guido Westewelle, si i paaftë dhe vanitoz. Ky i fundit i cilësoi ato si thashetheme pa ndonjë ndikim në marrëdhëniet gjermano-amerikane.

Ndërsa ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, i ka cilësuar këto zbulime si të rënda për diplomacinë. Ai ka bërë fjalë për "11 shtatorin e diplomacisë botërore", ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme pakistaneze i vlerësoi ato si të papërgjegjshme. Nga këto dokumente bëhet e ditur se SHBA-të i tremben rënies në dorën e ekstremistëve të uraniumit të pasuruar në centralet atomike pakistaneze. Ndërsa Presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad, i ka cilësuar zbulimet, sipas të cilave, shtetet arabe bëjnë thirrje për sulm ndaj Iranit, si një përpjekje të Perëndimit për të mbjellë përçarjen. "Nuk u japim rëndësi këtyre dokumenteve", - ka thënë Ahmedinexhad. Izraeli nga ana e tij sheh tek këto dokumente konfirmimin e paralajmërimeve të tij që programi atomik iranian përbën rrezik për të gjithë Lindjen e Mesme.

Posted via email from Shkupi Press extra