Wikileaks, amerikanët: Shqipëria gjithnjë e gatshme të na ndihmojë

Ardit Bido 

 

SHBA, presion Spanjës për Kosovën. Botohen dokumentet e reja për Shqipërinë dhe Kosovën

 

Dy dokumente të reja, një rreth Shqipërisë dhe një tjetër rreth Kosovës, janë bërë publike ditën e djeshme nga fondi prej 251.287 dokumentesh që ka në dispozicion Wikileaks. Për Shqipërinë, diplomatët amerikanë thonë se gjithnjë shqiptarët janë treguar të zellshëm “për të na ndihmuar në një nga prioritetet tona”. Në dokumentin tjetër, të vitit 2007, bëhet publike se SHBA ka zhvilluar presion të vazhdueshëm që Spanja të ndodhej pranë SHBA-së në çështjen e Kosovës, çka nënkupton se kjo vijon edhe sot.

 

“Pranë prioriteteve tona”

Mbështetja shqiptare ndaj SHBA-së nuk ka ikur pa u vënë re nga këto dokumente, të cilat në fakt perifrazohen në një shkrim të gazetës së njohur amerikane “Nju Jork Tajms” (New York Times), ku flitet rreth problemeve që has SHBA në gjetjen e shteteve ku mund të dërgojë të burgosurit e Guantanamos. Në shkrim, ku ka thjesht ekstrakte të dokumenteve dhe jo dokumentet origjinale, thuhet se shumica dërrmuese e aleatëve i kthyen shpinën SHBA-ve në këtë kërkesë dhe se nga ana e saj SHBA u premtoi përfitime imazhi dhe ekonomike nëse merrnin të burgosur të Guantanamos. Situata vjen ndryshe kur flitet për Shqipërinë.

“Megjithatë, pak aleatë kanë qenë të gatshëm për të ndihmuar. Pasi pranuan pesë kinezë myslimanë në vitin 2006, Kryeministri i Shqipërisë, në vitin 2009, ofroi të pranonte edhe tre deri në gjashtë të burgosur jo nga Kina. Diplomatët amerikanë e portretizuan ofertën e tij si “të këndshme, por ndoshta ekstravagante”, - thotë “Nju Jork Tajms”. Në një dokument madje vërehet zellshmëria e treguar nga politika shqiptare për të qenë pranë SHBA-së. “Si gjithnjë, shqiptarët janë të gatshëm të shkojnë një milje më tej për të na ndihmuar në një nga prioritetet tona të politikës së jashtme”, - thotë një dokument.

Dokumenti në fjalë nuk është publikuar ende nga Wikileaks, por sipas “Nju Jork Tajms” të gjitha këto dokumente rreth burgut dhe të burgosurve të Guantanamos do të botohen në faqen e saj brenda kësaj jave.

 

Presion Spanjës për Kosovën

Në dokumentin tjetër, që u bë dje publik nga faqja zyrtare e Wikileaks, flitet për një raport të ambasadorit amerikan në Madrid, të shkruar në vitin 2007 dhe që do të deklasifikohej në vitin 2017. Në këtë dokument bëhet një analizë, veç të tjerash edhe për rolin e Spanjës në Kosovë, përpara shpalljes së pavarësisë, ku lihet të kuptohet se presioni i SHBA-ve ndaj Spanjës për t’u përafruar në qëndrim rreth Kosovës kishte nisur shumë kohë më parë.

“Në Ballkan ku trupat e saj kanë shërbyer për më shumë se 15 muaj, Spanja ka treguar aftësinë për të mbajtur trupa në periudhë afatgjate. Por, tani ne kemi nevojë që të vijojmë të mbajmë trupat në Kosovë. Për arsye të brendshme politike dhe frikë nga provokimi i Rusisë, Spanja është ambivalente mbi drejtimin e tanishëm të politikës rreth Kosovës. Deri sa nuk ka një rezolutë e OKB-së që autorizon Planin Ahtisari, Spanja do të mbajë trupat e saj në KFOR. Nëse Kombet e Bashkuara dështojnë në bërjen e një rezolute të re, Spanja ka thënë se do të duhet të konsiderojë seriozisht heqjen e trupave të saj, por ka theksuar se do ta bëjë këtë vetëm në një situatë ekstreme dhe vetëm në konsultime me aleatët. Ne duhet të vijojmë të bëjmë presion duke i kujtuar Spanjës se NATO ka një rol kritik dhe se ne nuk mund të lejojmë rusët që të krijojnë një hendek midis Evropës dhe SHBA-së mbi diçka të tillë”, - thuhet në dokument.

Megjithatë këto janë thjeshtë një pikë në oqeanin e Wikileaks, sidomos për Shqipërinë ku ende asnjë nga 822 dokumentet që flasin në mënyrë të thelluar rreth vendit tonë dhe 1312 dokumentet që flasin rreth Kosovës, nuk janë publikuar ende, por pritet që të botohen ditët në vijim.

Posted via email from Shkupi Press extra