Autoritetet në Tiranë janë pezmatuar prej qëndrimit të ish-prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, e cila ka mbështetur përfundimet e bujshme të reporterit zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty. Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka thirrur të shtunën në takim në Tiranë ambasadoren e Zvicrës për të shprehur shqetësimin zyrtar për deklaratat e zonjës Del Ponte, e cila aktualisht mban postin e ambasadores së Zvicrës në Argjentinë. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme shqiptare, Zvicra i konsideron si qëndrime personale të zonjës Del Ponte deklaratat e saj dhe jo si qëndrime zyrtare të Zvicrës. Në një intervistë për rrjetin europian televiziv Euronews, zonja Del Ponte ka mbështetur dyshimet e shprehura në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty, ku bëhen akuza të rënda për përfshirje në krime, kontrabandë e trafik organesh në adresë të ish-udhëheqësve të ish-UCK-së dhe personalisht të zotit Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës. Raporti i zotit Marty u miratua të enjten në Paris nga Komiteti për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës. Një anëtar i këtij komiteti, deputeti nga Shqipëria, Shpëtim Idrizi, ka thënë të shtunën në Tiranë se ai nuk ishte njoftuar për mbajtjen e mbledhjes në Paris dhe për rrjedhojë nuk kishte marrë pjesë në mbledhje. Raporti i zotit Dick Marty është dënuar nga përfaqësues të lartë të qeverisë dhe opozitës në Tiranë. Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka dënuar raportin, duke e cilësuar atë si të pabazuar. | |||||||
Home »
» Shqipëria e pakënaqur nga Karla Del Ponte





