Nga Oliver Bullough (“Foreign Affairs”) Letër nga Tbilisi
Kështu, humbi një mundësi për të përvijuar debatet për territorin e Kaukazit.
Qytetarët e Osetisë, që për një kohë të gjatë kanë qenë aleatë të Rusisë në Kaukaz, kanë shumë arsye për ta urryer Gjeorgjinë dhe presidentin e tij, Mikheil Saakashvili.
Një nga këto grupe që jetojnë edhe në pjesën e Rusisë, në malet e Kaukazit në Gjeorgji, i është dashur të luftojnë në dy luftërat kundër Gjeorgjisë, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, ndërkohë që lufta e dytë përfundoi me zbrazjen e trupave ruse në Gjeorgji më 2008.
Në nëntorin e këtij viti, Alan, një osetian ishte duke pritur të kthehej në shtëpinë e tij në Rusi. Ai nuk bënte më pjesë midis atyre osetianëve që e urrenin Sakashvilin – edhe pse nuk e shqiptonte emrin e presidentin gjeorgjian. “Thuaji faleminderit” – tha ai, duke goditur lehtazi kokën drejt Tbilisit.
Alani nuk kishte qenë në Gjeorgji që kur u mbyll kufiri më 2006 dhe ishte shumë mirënjohës ndaj Sakashvilit, ngaqë i dha shansin të takonte vëllain e tij që banonte atje.
(Më përpara, qytetarët rusë në Kaukazin verior i duhej të udhëtonin për në Moskë, qindra kilometra në drejtim të gabuar, për të aplikuar për një vizë dhe për të fluturuar për në Gjeorgji; tashmë ata janë të lirë të udhëtojnë vetëm pak orë drejt Gjeorgjisë).
Gjeorgjia, p.sh. është nxitur t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në këndvështrimin e Moskës, gjeorgjianët dhe rusët kanë qenë vëllezër që nga shekulli XVIII, kur Rusia pranoi të përkrahte të krishterët e vet në Tbilisi nga pushtimi i myslimanëve.
Gjeorgjianët, sidoqoftë, e shohin ndryshe, duke thënë se rusët e pushtuan vendin e tyre më 1801 dhe e ndërprenë përpjekjen e tyre për të ndërtuar një shtet modern europian.
Ky tension historik arriti kulmin më 2008, kur Rusia zmbrapsi përpjekjet e Gjeorgjisë për të rifituar kontrollin në Osetinë e Jugut, një shtet i vetëdeklaruar i pavarur.
Duke shfrytëzuar momentin, Moska më pas njohu pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazia, një tjetër rajon i Gjeorgjisë sa i takon territorit të vet dhe deklaroi që do të garantonte sigurinë e tyre. Gjeorgjia u ndje e tradhtuar. Ishte mbështetur fuqishëm në miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dukej se besonte marrëzisht, se tashmë do të shijonte të drejtat e anëtarësimit në NATO.
E trullosur se i duhej të luftonte vetëm kundër Rusisë, Gjeorgjia duhej të vendoste një orientim të ri. Shkurt, u kthye nga partnerët e largët dhe të dyshimtë në Perëndim, në vend që të fokusohej në marrëdhëniet e veta rajonale.
“Para luftës së gushtit 2008, ne kishim synim anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, duke lënë pas dore rajonin” - u shpreh Ghia Nodia, drejtori i një shkolle të re për studimet e Kaukazit, në Universitetin “Ilia”. “Tashmë, politika jonë e jashtme është më e përqendruar në rajon. Po përpiqemi të zhvillojmë marrëdhënie më të mira me Iranin, Armeninë dhe Azerbajxhanin”. Në fakt, Gjeorgjia tashmë blen gaz nga Irani, është një vend tranzit për naftën nga Azerbajxhani dhe ka nënshkruar marrëveshje për tregtinë e lirë me Turqinë”.
Këto marrëdhënie ekzistonin më parë se viti 2008, por kanë fituar më shumë kohë dhe orvatje që nga lufta, duke qenë se Gjeorgjia po nxitet të kthehet në një qendër biznesi rajonal.
Të marra së bashku, këto lëvizje përfaqësojnë një politikë të huaj me më pak ambicie, por ato tkurren në krahasim me rrezikun e madh të Gjeorgjisë nga Rusia.
Sakashvili përvijoi vizionin e vet retorik të një “Kaukazi të bashkuar” në Kombet e Bashkuara në shtator. “Ne duhet t’i përkasim shteteve të ndryshme dhe të jetojmë në anët e ndryshme të maleve” - tha ai, “por sa i takon njerëzve dhe hapësirës kulturore, nuk ka Kaukaz verior dhe jugor; nuk ekziston asnjë Kaukaz, që i përket Europës dhe që një ditë do të bashkohet me familjen evropiane të kombeve të lira, duke ndjekur shtegun gjeorgjian”.
Edhe pse kjo ligjëratë mund të tingëllojë si një banalitet, për Rusinë erdhi si një kërcënim. Nëse Sakashvili ia del mbanë dhe populli i Kaukazit verior ndjek “shtegun gjeorgjian” - që për Sakashvilin do të thotë demokratizim, tregje të hapura, media e lirë dhe miqësi me Perëndimin – atëherë ndikimi i Rusisë do të asgjësohej përgjatë kufirit jugor.
Moska dukej mjaft e tërbuar, duke e quajtur të papriturën e heqjes së vizave për disa nga qytetarët e vet si një “provokim”. Ministria e Jashtme Ruse deklaroi se ndonjë “përpjekje për ta ndarë popullsinë e Rusisë në kategori të ndryshme hedh poshtë normat e marrëdhënieve të civilizuara”.
Qeveria ruse ka pikasur planin e Gjeorgjisë, ndërkohë. Nëse banorët e Kaukazit Verior janë të ndarë nga banorët rusë dhe nisin të hedhin sytë nga Tbilisi për tregje, para, pushtet dhe prestigj, atëherë Moskës i duhet të punojë më shumë për të siguruar besnikërinë e tyre. Kremlini tashmë ka financuar një pjesë të madhe të republikave të Kaukazit Verior dhe i ka dhënë politikanëve rajonalë liri të pashembullt veprimi; më shumë se kaq do të ishte e kushtueshme dhe e sikletshme.
Mbi të gjitha, vëmendja e Moskës duhet të jetë larg Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, ku ruhen trupat ushtarake.
Udhëtimet pa viza në Gjeorgji i kanë dhënë rrugë të hapur tregjeve, që qytetarët rusë në veri të maleve më parë nuk i arrinin dot.
Në Tbilisi, rusët janë parë teksa blejnë makina duke qenë se çmimet janë më të lira në Gjeorgji dhe më pas i shesin në vendin e tyre.
Ndërkaq, qeveria gjeorgjiane po linçon një kanal satelitor të ri në gjuhën ruse, për t’i dhënë më shumë akses rusëve në median gjeorgjiane, pjesa më e madhe e së cilës është anti-Moskë në retorikën e vet.
Disa politikanë të opozitës në Gjeorgji shqetësohen se Rusia ka për ta përdorur ndryshimin në politikën e vizave, si një shfajësim për të futur agjentët rusë në Gjeorgji dhe në rast të kundërt, të minohet shteti gjeorgjian.
Përveç kësaj, disa argumentojnë se Gjeorgjia nuk mund të sjellë ndonjë strategji të vetën politike për Kaukazin. “Një kufi ka dy anë dhe rusët do të lejojnë vetëm njerëzit që duan ata të kalojnë kufirin”, tha Sozar Subari, një politikan i opozitës.
Ndërkaq, personalitete të tjera politike në Gjeorgji janë të frikësuar se mos Tbilisi po jep shkas për dhunën se mos pllakos në Kaukazin Verior dhe shpërndahet edhe në Gjeorgji. Pati një dekade të gjatë vrasjesh me bomba, rrëmbimesh të fëmijëve që u përhap në Çeçeni dhe në republika të tjera të Kaukazit Verior, veçanërisht në Dagestan, Ingushetia dhe Kabardino-Balkaria.
Dobësimi i ndikimit të Rusisë do ta degëzonte konfliktin ndëretnik – një mundësi që mbase është shqetësuese për autoritetet e huaja.
Prej mosbesimit etnik shpërtheu dhuna midis Inguishëve dhe Osetianëve më 1990 dhe u shtua mjaft tensioni midis Turkic Karachai-Balkars dhe Circasianëve. Të dy këto palët e fundit që jetojnë në rajonet e Rusisë pikërisht në Kabardino-Balkaria, Adygea dhe Karachaevo-Cherkessia, ashtu si edhe në komunitetet e diasporës gjatë gjithë Lindjes së Mesme – kanë vuajtur duke u internuar gjatë kohës së Rusisë cariste dhe Bashkimit Sovjetik.
Këto dy komunitete të internuara, Circassianët më 1864 dhe popullsia në malet Turks më 1943 – 1944, u akuzuan për vjedhjen e tokës dhe bashkëpunimin në gjenocid.
Nëse politika gjeorgjiane hap konflikte për territorin rus, rezultatet mund të jenë të pakontrollueshme. Por këto argumente kanë pak lëkundje në Tbilisi, ku elita sunduese ka përbuzje për Rusinë.
Parlamenti gjeorgjian po diskuton vendime të rëndësishme, nga të cilat zyrtarisht do të njihen internimet e Circasianëve dhe çeçenëve në shekullin 19 dhe 20 si gjenocide, që do të zemërojnë njëherësh Rusinë dhe do të inkurajojnë më shumë nacionalistët brenda këtyre grupeve.
Deri tani, Uashingtoni duket se ka një heshtje të rrezikshme, provokuese, madje dhe destabilizuese. Gjatë luftës së vitit 2008, përkrahësit e Gjeorgjisë në Perëndim shpërfillën detyrën e tyre për të qetësuar qeverinë e Sakashvilit – edhe sot mund të bëjnë të njëjtën gjë.
Muajin e fundit, ndoqa një konferencë për Kaukazin në Tbilisi. U fol për politikën amerikane që përqendrohej nga ana e ish Bashkimit Sovjetik; aty kishte edhe ish zyrtarë të administratës së Bushit.
Akademikët amerikanë dhe ata nga Perëndimi gjatë konferencës ushqenin mendimet e Gjeorgjisë kundër Rusisë. Shumë mendjendritur prej tyre e krahasuan Kaukazin e Veriut me republikat kombëtare të Bashkimit Sovjetik, a thua se pavarësia ishte aty në qoshe.
Fola me Glen Hoëard, presidentin e Jamestoun, i cili ishte funksionar në Komitetin Amerikan për Paqe në Çeçeni me Zbignieë Brzezinskin.
“Pikëpamja ime është: mëso sa më shumë të mundesh për kombësinë”, më tha duke iu referuar grupeve etnike të ndryshme në Kaukaz, që një ditë mund të kenë atdheun e tyre. Në fund të fundit, tha ai, kanë ndryshuar disa gjëra. “Më kujtohet kur Azerbajxhani fitoi pavarësinë, Departamenti i Shtetit hapi një ambasadë me 2 persona dhe po kërkonte specialistë në Baku”.
Pasi përfundoi konferenca, udhëtova drejt kufirit të Rusisë. Ishte e qartë që grupet e shërbimit nuk kishin arritur të mbanin gjallë planet strategjike të qeverisë gjeorgjiane: rruga ishte e shkatërruar. Kishte një varg makinash me rusë, që donin të bënin një udhëtim për në Tbilisi, por nëse gjeorgjianët do e rregullonin rrugën, vargu i makinave do të ishte i gjatë dhe i vazhdueshëm.
I duhen vetëm pak orë osetianëve, çeçenëve, circassianëve dhe të tjerëve nga Kaukazi verior i Rusisë për të arritur deri në Tbilisi.
Gjeorgjianët, për hir të së vërtetës, kanë mundësi të krijojnë një kryeqytet për Kaukazin. Mbetet për t’u parë, sidoqoftë, nëse ata marrin përsipër përgjegjësinë për të zotëruar pushtetin, që vetëm një funksion i tillë mund t’ua japë.Përktheu Rudina Dahri
Home »
» Një rrezik i ri për gjeorgjianët në Kaukaz?