Nga Gonçalo M. Tavares
Në vitet e fundit, europianët duket se i janë kthyer besimit primitiv në realitetin e shenjave: Në fund të fundit, kriza që i ka pushtuar u shkaktua nga fletë të thjeshta letre.
Ka ardhur koha për të vlerësuar vlerën e konkretësisë
Nuk ishte letërsia që iu afrua politikës, por politika që pushtoi fushën e së folurit. Dhe me politikën e Evropës dhe ekonomia. Që prej shumë kohësh në këtë fushë nuk bëhet fjalë për të mënjanuar objekte materiale, për të komanduar mbi mbretërinë bimore (për të sistemuar apo jo krasitjen e pemëve), të kafshëve ose njerëzore. Tani pothuajse gjithçka vendoset në fushën e shenjave – numra dhe shkronja. Me pak fjalë është një rikthim në botën e fëmijërisë: Në Evropë besojmë që tiparet në letër nuk janë vetëm tipare, por tregojnë ndryshimin midis pasurisë dhe varfërisë.
Ndarja e vjetër ndërmjet shenjës dhe elementit, me pak fjalë. Fraza e famshme “fjala ‘qen’ nuk kafshon”.Nëse vendosim dorën mbi shkronjat Q, E dhe N nuk na kanoset asnjë rrezik. Dora jonë do të qëndrojë e paprekur. Ishte kjo ndarje që inauguroi modernizmin. Njerëzit primitivë nuk besonin në dy botë te ndara. Për primitivët shenja ishte elementi. Vizatimi i një dreri nuk ishte një vizatim,por ishte dreri. Nuk kishte ndryshim.
Në një farë mënyre dhe për dekada të tëra, Evropa po ri-zbulon anën e saj primitive. Ka rifilluar të besojë në magjinë. Pothuajse e gjithë ekonomia sot është zhvendosur në botën abstrakte. Në botën e shkronjave dhe të numrave dhe jo në botën e përmbajtjes me volum. Ekonomia e vjetër ishte e thjeshtë: dy lopa për mijëra pula, uzina e makineri, pemë për të shitur ose për të blerë.
Pak nga pak, elementët e gjallë dhe metrat katrorë janë zhdukur nga skena. Kanë mbetur fletë letre me shenja e numra dhe Evropa është transformuar në një kontinent të ri primitiv ku njerëzit sillen si fiset e Amazonës, që ngatërronin shenjat me realitetin dhe besonin që shkronja A ose një vizatim mund t’i shkatërronte ose t’i mallkonte.
Nëse shkruajmë mbi një fletë letre frazën “kjo fletë letre vlen 100.000 euro”, nuk do të besojmë se ajo fletë që më parë ishte e bardhe, papritur do të vlejë 100.000 euro. Megjithatë, nëse e shikojmë situatën nga jashtë, do të shohim që e gjithë kriza ekonomike në të cilën sot jemi dëshmitarë është për shkak të një procesi të ngjashëm në shkallë të gjerë.
Ekonomia abstrakte është instaluar pikërisht aty, në fushën e besimeve. Kush zotëron një fletë letre të formalizuar me një simbol ose një vulë (shenja të tjera) të një institucioni financiar beson se ajo fletë letre mund të vlejë ( mendojmë për aksionet) një ditë 2 euro, ditën tjetër 1 euro dhe 3 euro javën e ardhshme. Ngritja dhe rënia e vlerës së aksioneve, për të cilët dikush është i huaj dhe nuk kupton absolutisht asgjë, janë diçka akoma më e çuditshme.
Nuk bëhet fjalë vetëm për besimin fiks në një shenjë, siç u ndodhte primitivëve. Ai i sotmi është një besim lundrues, që çdo ditë ndryshon vlerën e përmbajtjes që i bashkëngjitet shenjës. Gjëja më absurde është që besimi në abstrakten, ky regres i mendimit primitiv që ka pushtuar botën bashkëkohore, është shoqëruar nga një shkatërrim pa precedentë të përmbajtjes reale. Në Evropë janë rrahur lopë e janë fundosur barka, janë braktisur fusha të kultivuara e janë shkatërruar makineri. E gjithë kjo sepse nuk duhet të prodhohej më shumë se një sasi e caktuar.
Vit pas viti dy procese avanconin paralelisht: shkatërrimi i gjërave që në botë kishin një volum dhe shtimi i pjesëve së fletëve pa volum që mishëronin pasurinë. Jemi bindur që pasuria e vërtetë ndodhej tek shenjat dhe që lopët, barkat ose metrat katrorë ishin një pasuri, por një pasuri antike, e lënë pas, e pamjaftueshme. Mund të themi një pasuri pa higjienë.
Dëshmitari magjik/Për vite me radhë janë shkëmbyer fletë letrash nga një anë në tjetrën. Fletë të vogla me prerje A4, A5 ose A6 që kalonin dorë më dorë. Në çdo hap, si për magji, këtyre fletëve A4 dukej sikur i rritej vlera. Ashtu si kalimi i një dëshmitari të magjepsur: individi A i kalonte një fletë letre individit B dhe këto C e D. Si përfundim, i fundit në radhë besonte se fleta e letrës që kishte marrë vlente shumë herë më shumë se vlera e saj fillestare. Duke bërë një përmbledhje, nuk ka dyshim që për krizën e Evropës ka shumë arsye, por një pikë themelore e çështjes është se jemi përpara një ndryshimi të besimit. Kisha e abstraktes, besimi në fletën e letrës që vlen para, duket se ka shkuar drejt një rruge pa krye dhe numri i përkrahësve të saj po zvogëlohet. Disa heqin dorë vullnetarisht, të tjerë me forcë, shumë në mënyrë tragjike. Ndoshta me fundin e këtij besimi do të rikthehemi në besimin e vjetër. Kisha moderne e konkretes duket sikur po rifiton gjithmonë e më shumë pozicionin e forcës që kishte më parë. Besimi në përmbajtjen – besimi ne lopët, në barkat, në fushat dhe makineritë – po kthehet. Atëherë a do të jemi të pranishëm në shkatërrimin e fletëve të letrës?
Europa ka përparuar shumë, nga ana teknologjike dhe jo vetëm, por në mënyrë që evropianët të mos lagen në shi nevojitet një element material midis trupit të tyre dhe qiellit. Nuk mund të strehohemi në vizatimin e një shtëpie. Për këtë arsye Evropa duket se avancon e tërhiqet në të njëjtën kohë. Ajo që po përpiqet të bëjë nuk është e lehtë: do të lejë pas krahëve botën primitive e të kthehet në modernizmin antik. Ka të bëjë me kthimin në të qenit materialistë, në kuptimin origjinal të termit. Materializmi i vjetër për të cilin lopët janë një shembull i mirë. Vlera e tyre qëndron tek pesha dhe është mirë kështu.