Kur udhëheqësi i Organizatës për çlirimin e Palestinës, Jassir Arafat, në vitin 1994 mori çmimin Nobel për Paqe së bashku me Jitzhak Rabinin, kritika nuk erdhën vetëm nga hebrejtë. Burri me shallin palestinez dhe me këllefin e pistoletës u nderua për përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme. Vite më vonë, kur dështuan bisedimet për një shtet të pavarur palestinez në Camp David, Presidenti i atëhershëm Bill Clinton ia vuri fajin vetëm Arafatit. Udhëheqësi i palestinezëve mbeti gjatë gjithë jetës së tij i diskutueshëm. Sipas FMN-së, nën udhëheqjen e tij, si shef i autoriteteve autonome palestineze, u zhdukën nga korrupsioni miliona nga fondet e ndihmave dhe madje u shpërdoruan për mbështetjen e aktiviteteve terroriste. Arafati vetë u distancua krejtësisht nga terrori, së paku në vitet e fundit të jetës, si në këtë intervistë të gushtit 1997. "Ne jemi kundër terrorizmit dhe mbështesim bashkësinë ndërkombëtare në përpjekjet e saj për të mbrojtur procesin e paqes në Lindjen e Afërt". Lufta dhe paqja Henry Kissinger nuk ka qenë si person kaq i diskutueshëm sa Arafati. Por dhënia e çmimit Nobel Kissingerit nuk ka qenë më pak kontroverse se sa rasti i udhëheqësit të palestinezëve. Këshilltari për sigurinë i Presidentit Nikson u nderua në vitin 1973 për përfundimin e luftës në Vietnam. Më parë kjo luftë kishte eksaluar edhe një herë nën administratën e Niksonit. Me Kissingerin së bashku u nderua vietnamezoveriori Le Duc Tho. Ai e refuzoi çmimin, me arsyetimin se në vendin e tij nuk ka akoma paqe. Dhe me të vertetë lufta përfundoi vetëm në maj 1975, me pushtimin e Saigonit nga vietnamezoveriorët. Si diplomat dhe politikan për çështjet e sigurisë Kissinger edhe në vitet e mëvonshme gëzoi autoritet, megjithëse lojaliteti i tij ndaj Niksonit dhe përfshirja në skandalin Watergate i mbeti një njollë e përhershme. Kissinger shprehet në lidhje me Niksonin: "Niksoni kuptonte më shumë nga politika e jashtme se asnjë president amerikan i kohë së Pasluftës". Vangari Maathai në vitin 2004 qe e para grua afrikane, që u nderua me çmimin Nobel. Aktivistja për mbrojtjen e ambientit kishte luftuar kundër shpyllëzimit të pyjve pranë kryeqytetit kenian Nairobi dhe kundër korrupsionit. "Po të bëhej fjalë me të vërtetë për dhënien fund të korrupsionit, sepse ai i bën dëm vendit tonë dhe imazhit tonë, përse nuk e bëjmë atëherë? Ne nuk na duhen për këtë para, as ndonjë përgatitje speciale, vetëm përpjekje në nivel kombëtar", tha ajo. Kërkesa të tilla në skenën ndërkombëtare i siguruan kenianes simpati të mëdha në mbarë botën. Kritikë të madhe pati nga ana tjetër për thëniet e saj, se virusi i sidës është përgatitur në laboratoret perëndimore për zhdukjen e racës së zezë. Në vendlindjen e saj Kenia Wangari megjithë çmimin e lartë që mori, mbeti çuditërisht e papëlqyer. Në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në dhjetor 2007 ajo dështoi në zonën e saj elektorale, karriera e saj politike u shua. Edhe dhënia e çmimit Nobel Barack Obamës, pak muaj pas ardhjes në detyrën e Presidentit të SHBA, shkaktoi në vitin 2009 habi në mbarë botën, edhe tek ai vetë. "Jam i befasuar nga vendimi i komitetit të çmimit Nobel dhe dua të nënvizoj me modesti, se unë çmimin nuk e konsideroj si vlerësim të rezultateve të mia, por si vlerësim të forcës udhëheqëse të Amerikës në realizimin e ambicieve, që ekzistojnë në të gjitha kombet", tha Obama. Vëzhguesit mendojnë se çmimi i është dhënë Obamës duke mbajtur parasysh sukseset, që ai do të arrinte në të ardhmen në çarmatimin dhe kapërcimin e konfliktit në Lindjen e Afërt dhe diku tjetër në botë. Presidenti Obama mund ta ketë marrë çmimin si nxitje. Laureatë të tjerë, si bashkatdhetarja e tij Jody Williams, që u nderuan më 1997 për angazhimin e tyre në favor të ndalimit të minave, e ndjenë nderimin më shumë si ngarkesë. Edhe laureati i vitit 2008, diplomati finlandez Martti Ahtisaari, e di se për çka flet, kur thotë në një intervistë për DW: "Tendenca është, që nuk ka problem në këtë botë, për të cilin laureatit të çmimit Nobel, të mos i kërkohet ta përdorë emrin e tij në çdo fushatë".
Home »
» NOBEL/Debati, i vjetër sa vetë Çmimi