“La Repubblica” -Nga GIANNI MURA
Goditje e shëmtuar në zemër të futbollit të sëmurë. Zemra nuk është barku dhe as koka. Dëshira për të shijuar një spektakël është pasion, është të dish të rrish me të tjerët. Pak rëndësi ka nëse ndeshja Itali-Serbi do të ketë një rezultat 3-0 në tryezë dhe se Serbia, për shkak të tifozëve të saj më të këqij, ndoshta do të përjashtohet nga e gjithë gara. Rëndësi ka që ndaj sulmit dhe dhunës nuk duhet të ketë një linjë mbrojtjeje. Që festa e Xhenovës do të shtyhet në një kohë të pacaktuar. Fëmijët me bluzë të kaltër dhe ata serbë me bluzat të kuqe e të bardha, i kishin sytë të trishtuar dhe plot me pyetje, të cilat dikush duhet t’u japë zgjidhje. Një vetëm i përket Italisë: si ka mundësi që lejoi të hynin në stadium aq shumë huliganë që gati sulmuan edhe autobusin e kombëtares serbe dhe veçanërisht portierin Stojkoviç, që u thirr jashtë, pra ata dhjetëra bijë të Arkanit, të pajisur me gjithçka që ishte e nevojshme për të hedhur në erë ndeshjen?Kreu i tyre, një djalë i shëndoshë me fytyrë të mbuluar, me bluzë të zezë me numrin 28 të bërë tatuazh në krah, duhet të jetë shumë krenar tani. Pjesa tjetër ndoshta është nënvlerësuar. Në lindjen e Europës, nga Polonia në Hungari, nga Serbia në Rusi, në stadiume po shtohen grupet e ultranacionalistëve dhe neonazistëve. Nuk do të ketë shumëçka për t’u argëtuar në kampionatet e ardhshme europiane. Sportet e tjera kanë arritur të izolojnë dhe të shërojnë fenomenin e dhunës.
Futbolli, tani është koha për të diskutuar me shumë angazhim. Por, rezultati është ai i Marassit. Jo një rezultat. Një ndeshje e “sekuestruar” nga një grup budallenjsh që besonin ende se mund të vendosë në vend nderin apo turpërimin e një vendi. Të marrësh 3-1 në shtëpinë tende nga Estonia, ky po që është një turpërim, ndaj Marassi duhet ta kuptojë. Po a mjafton një grup të çmendurish që për shkak të një ideologjie boshe të ndalojë një ndeshje të tërë? Po. Pas gjysmë ore vonese, loja u zhvillua për 5 minuta, por një bombë tymuese mbërriti pranë Vivianos dhe në atë moment arbitri skocez vendosi se nuk kishte më garanci për të vazhduar.
Vështirë ta konsiderosh të gabuar vendimin e tij, edhe pse unë kujtoj situata më të vështira. Alternativa e vetme ishte të ndaloheshin tifozët e çmendur, por policia u mjaftua duke i soditur ata nga fusha. Ndërhyrja mund të kishte shkaktuar pasoja më të rëndë dhe “po vijnë tanët”, tashmë shihet vetëm në kinema. Federata serbe e futbollit nuk duket se shqetësohet shumë nga ata që u riatdhesuan, por edhe ky është një vëzhgim marxhinal.
Duhej të kujtoheshin me një minutë heshtje ushtarët e vdekur në shesh-betejën e një lufte të vërtetë. Si spektatorë, me gjendje të ndryshme emocionale, nga ajo që duhej të ishte një ndeshje e thjeshtë futbolli përfunduam të shihnim gueriljen e vërtetë e jo vetëm kaq, të mos harrojmë shfaqjen e nderit dhe krenarisë çetnike dhe flamujt e djegur. Djali i shëndoshë me tatuazhe dhe miqtë e tij tentuan të na thoshin se futbolli për ndokënd apo për shumë është edhe politikë, shfaqje muskujsh e sloganesh. Nuk është paqe, nuk është lojë e ndershme, nuk është etikë. Nëse e kishim harruar, faleminderit që na e kujtuat sërish.





