Azam DAUTI
2001-shi shqiptarëve ua riktheu dinjitetin individual dhe kombëtar, 2010-shi ata po i gjenë në dilemën e madhe, a janë ata të 2001-shit?! Protagonistët e 2001-shit që ishin aq shumë të respektuar dhe të nderuar në kohën e kryengritjes, është shumë vështirë t’i njohish në 2010-tën !? Aq më shumë që pjesa më e madhe e tyre, ose nuk janë më mesin e të gjallëve, ose janë në pranga, madje edhe në “ekzil” të vazhdueshëm, të nëpërkëmbur e me halle të shumta... Gjithkund janë, e askund nuk janë!...
Para disa viteve përderisa pinim kafe me shkrimtarin e ndjerë Nexhat Mustafa, aty pari kaloi një luftëtar i lirisë dhe kur ia prezentova mikun tim, si në shaka i thash: Ky është një nga ata që e zunë rob Boshkovskin dhe branitellat e tij! Shkrimtari Nexhat Mustafa u çua në këmbë dhe djaloshin e ri, që mund të ishte edhe nip i tij, e përqafoi dhe gëzueshëm deklaroi: “Për ne shqiptarët është krenari që djelmosha të tillë, flijuan gjithçka për lirinë tonë”!. UÇK-isti që aso kohe nuk i kishte më shumë se 25 vjet, turpshëm belbëzoi: “E kaluar”!. Tash sa vite ky luftëtar i lirisë dhe shumë të tjerë si ky, që shumëkush krenohej me ta, sot enden rrugëve të Shkupit, Tetovës, Gostivarit, duke bredhur edhe më larg nëpër qytetet e Evropës, për të punuar përsëri me ndërgjegje, por vallë a thua kanë gjetur punë për të mbijetuar lirshëm?! Qëllimisht nuk ia zura emrin këtij luftëtari, sepse mund t’u hyj në hak shumë të tjerëve, e që nuk kalon ditë pa i takuar sëpaku nga tre katër luftëtarë të tillë të lirisë, që i qajnë të njejtat halle të mbijetesës. Madje, ç’është me e keqja, një numër shumë i vogël prej tyre, ndoshta mund të numërohen në gishta, që kanë pasur fatin përmes politikës të akomodohen më mirë. Me gjithë zemër them dhe pa hile, shyqir që janë akomoduar, por ç’po ndodh me luftëtarët e tjerë, të cilët i kanë edhe nga 10 e 15 antarë të familjes, e nuk kanë asnjë rrogë në shtëpi. A e kanë merituar këtë situatë ata që familiarisht edhe si luftëtarë, por edhe tërë pasurinë e tyre e investuan në kryengritjen e 2001-shit, e sot jetojnë nëpër banesa me qera?! A e kanë merituar që luftëtarët e lirisë që në pikat më kritike të Tetovës, Matejçës, Haraçinës, Tanushës, Radushës, e Karadakut, sot të enden të pashpresë nëpër rrugët e qytetit të madh, përplot statuja e përmendore të popullit që ende ka probleme me identitetshmërinë e tij?! A e meritojnë këta luftëtarë të lirisë që për një mëditje të mundimshme të marrin vetura me qera për të punuar taksi, që në mbrëmje ndërgjegjshëm të çoj bukë, qumësht, vaj dhe sheqer?! A është e drejtë që luftëtari i lirisë, që rrezikoi jetën për lirinë e shqiptarëve, të hyp dhjetëra metra lart në ndërtesa banimi si punëtor krahu i marrë në Bit Pazar për 10-15 euro mëditje. Ky njeri i madh dhe modest me plot krenari më tha: “Nasht more, inshallah ka për ditë kësi punësh, asnjëherë, askë nuk do ta lutja për punë.” Po. Ndërgjegjia e tij është e pastër, por nuk e di sa është e pastër e udhëheqësisë së tij luftarake?! Për çdo ditë e takoj edhe luftëtarin tjetër të lirisë që vrapon pas veturave për rregjistrim, që të nxjerr dy euro në veturë, që në mbrëmje të tuboj 10 apo 20 euro për shtëpi. Nuk ka ditë, që nuk e takoj taksisitin që me plot gëzim thotë: Shyqir që ma bleu baba këtë veturë ta nxjerr një rrogë për fëmijët e mi. Nuk guxoj të mendoj e të numëroj sa luftëtar të lirisë vuajnë dënime drakonike për vepra të bëra e të pabëra, që janë montuar në procese gjyqësore (Duke i përjashtuar ata të cilët reketuan e bën vepra kriminale). Vallë, kush duhet t’i mbroj më së shumti vlerat e luftës: Individi i papushtetshëm, apo liderët partiak, që një dekadë me radhë “angazhohen për zgjidhjen e statusit të tyre”. Gjatë gjithë kësaj periudhe janë dhën deklarat të ndryshme, të cilat premtojnë se statusi i tyre do të regullohet, mirëpo deklarata e tilla dhe të ngjashme, nuk e ndryshojnë pozitën e mjerueshme që kanë sot luftëtarët e lirisë. Ajo përqindje e vogël, që kanë pasur “fat” të “akomodhen” në sistem, nuk besoj që e ndjejnë veten të rehatshëm kur i takojnë bashkëluftëtarët e tyre, që enden të pashpresë dyerve të institucioneve shtetërore për ndihma sociale! Madje, për cilën liri luftuan ata që me kurdisjet oguzrzeze shtetërore u vranë një nga një. Ata, nuk ishin të rastësishëm, por ishin luftëtarët kryesorë që i mbajtën me muaj të gjitha zonat e lira të rrethinës së Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës. Për cilën liri luftoi Komandat Hoxha, që sot për lirinë e tij individuale “të kufizuar skajshmërisht”, të garantoj faktori ndërkombëtarë?!
Dhe fare në fund, ata që sot mendojnë se “të gjithë luftëtarët e lirisë, nuk mund të risocializohen”, e kanë shumë gabim, sepse sipas Marrëveshjes së Ohrit (Pjesa për risocializimin dhe revitalizimin) dhe Ligjit për amnisti, në mënyrë të prerë thuhet që të gjithë këta luftëtarë të risocializohen, e jo të lihen në stihinë e kohës dhe në fund të humbin një nga një në të. Nuk e kam të qartë, a e dijnë udhëheqësit e UÇK-së sa luftëtarë të tyre sot kanë trauma të luftës. Nuk e kam të qartë, cila është rruga e zgjidhjes së atyre luftëtarëve të lirisë që sot janë gjallë dhe aktivë, por që nuk janë risocializuar kur do të risocializohen?! Nuk është aspak korrekte që “logjistika” (që gjithsesi meriton respekt të veçantë) të jetë më e priviligjuar se ata që ishin në shënjestër të plumbit. Nuk e kam të qartë, si do t’i mbrojmë vlerat e 2001-shit në 2010-shin kur etnocentrizmi i Gruevskit po e tejkalon shtypjen e Millosheviqit në Kosovë. Natyrisht, me metoda dhe mënyra krejt ndryshe nga ato të Millosheviqit. Ai, që ta përbuzë tejmase shqiptarinë, përpos njëqind projekteve të zeza. maqedonishten do të tentoj t’ua imponoj shqiptarëve që nga lindja e fëmijëve. A thua, me përulje të këtilla politike, ne i mbrojmë vlerat e luftës?!





