Krimi kibernetik, hakerat rus vjedhin biliona dollarë çdo vit

Ekziston një treg gjigant dhe një infrastrukturë e mirëthemeluar për këto krime dhe është ende një gjë shumë e rrallë që njëri prej tyre të arrestohet

 


 

Posteri i afishuar nga FBI-ja me dixhiturën "Wanted" duket si një fotografi klase e një shkolle ruse provinciale. Shtatëmbëdhjetë meshkuj dhe femra nga Europa Lindore, shumica ndërmjet moshës 19 dhe 22 vjeç me lëkurë të pisët, prerje të çuditshme flokësh dhe asnjë ngjashmëri me steriotipin e zakonshëm të hajdutëve të bankave. Gjatë dy viteve të fundit, ky zinxhir hakerash ka qenë i aftë të vjedhë dhjetëra miliona dollarë nga bizneset e vogla amerikane. Arrestimi i 39 prej operativëve të tyre në Shtetet e Bashkuara gjatë javës së kaluar po lavdërohet si një nga arritjet më të mëdha në historinë e krimit kibernetik. Megjithatë, problemi është se mjeshtrat e vërtetë dhe mendjet e ndritura kriminale mendohet të jenë ende jashtë, me duart në tastierat e kompjuterave përreth Rusisë dhe gjithë Europës Lindore dhe për më tepër, ekspertët thonë se nuk mund të bëjnë pothuajse asgjë për t'i ndaluar ato të ribashkohen, të dërgojnë miliona viruse në rrjet dhe të vjedhin miliona të tjerë dollarësh nga llogaritë bankare amerikane. Ky është realiteti i hidhur i krimit kibernetik në vendet ish-sovjetike ku hakerat tashmë luftojnë pa u ndëshkuar.

Sipas FBI-së, banda e kapur javën e kaluar pas një investigimi 18-mujor përdorte një version jashtëzakonisht të modernizuar të virusit "Zeus Trojan" për të infektuar sistemin e kompjuterave, veçanërisht ato të bizneseve të vogla si kishat dhe spitalet e vegjël. Menjëherë pas infektimit, makineria i dërgonte hakerit në Europën Lindore fjalëkalimin e llogarisë bankare. Këtu fillonte edhe krimi i vërtetë. Të rinjtë me kombësi ruse dhe moldave, të cilët kishin hyrë në Shtetet e Bashkuara me viza studentësh, rekrutoheshin për të hapur qindra llogari bankara në Shtetet e Bashkuara me emra të rremë, ndërmjet të cilëve janë zbuluar "Fortune Binot" dhe "Bazil Kozloff', dhe për të tërhequr pak nga pak të gjitha paratë që ishin transferuar në mënyrë ilegale në këto llogari. Në total ata vodhën 70 milionë dollarë përpara se të kapeshin edhe pse banda kishte planifikuar në fakt të vidhte 220 milionë dollarë, deklaroi FBI në raportin e datës 1 tetor.

Kjo është një pjesë shumë e vogël e të ardhurave që fitojnë këto rrjete të krimit kibernetik me lloje të ndryshme mashtrimesh dhe vjedhjesh, thotë Nikita Kislitsyn, kryeredaktore e gazetës "Russia's Hacker Magazine", web siti i së cilës ka edhe forumin më të preferuar të hakerave rusë. "Flitet për dhjetëra biliona dollarë në vit, kështu që kjo shifër është vetëm një pikë në oqean", thotë Kislitsyn. "Ekziston një treg gjigant dhe një infrastrukturë e mirëthemeluar për këto krime dhe është ende një gjë shumë e rrallë që njëri prej tyre të arrestohet".

Ata që kapen, janë ata që i bëjnë duart pis duke hapur llogari bankare të rreme dhe duke tërhequr para të vjedhura nga bankomatet. Të ashtuquajturit kukullat e parave, një dyzinë prej të cilëve u arrestuan javën e kaluar, zakonisht rekrutohen nëpërmjet rrjeteve sociale ruse në internet dhe i paguhet një sasi shumë e vogël e parave që mund të tërheqin nga llogaritë e rreme. Hakerat të cilët infektojnë kopmjuterat dhe që kryejnë transfertat ilegale të parave zakonisht qëndrojnë të fshehur pas pseudonimeve të tyre në rrjet mes të të cilëve qëndrojnë në kontakt me rrjetin e tyre të kukullave.

Puna e tyre sigurisht që mund të kryhet nga cilido cep i botës, por hajdutët më të sofistikuar të bankave zakonisht janë të përqendruar në Rusi dhe në rajonin afër saj, thotë Aleks Gostev, shefi ekspert i sigurisë në Laboratorin Kaspersky, kompania lider në Rusi për sigurinë kibernetike. Versioni original i Trojanit Zeus është shpikur nga hekerat rusë, thotë Gostev, dhe në forumet e hakerave si mazafaka.ru çdo njeri mund të paguajë një haker për më pak se 1.000 dollarë për t'i krijuar një Zes Trojan me të cilin mund të sulmojë çdo sistem kompjuterik të botës. "Për t'i luftuar në mënyrë efektive këto lloj kriminelësh, pra ata që punojnë në hije, kemi nevojë për bashkëpunim intensiv ndërkombëtar," thotë Gostev. "Shërbimet sekrete të shumë vendeve duhet të bashkohen, duke përfshirë edhe agjentët e shteteve ish-sovjetike, nga ku edhe lindin zakonisht këto krime".

Alexey Salnikov, drejtues i Institutit të Sigurisë i Universitetit Shtetëror të Moskës, i cili këshillon qeverinë për krimin kibernetik, thotë se problemi kryesor është anonimati i hakerave. "Nuk ka asnjë bazë shkencore për të përcaktuar autorësinë e këtyre krimeve", thotë ai. "Kur sulmi vjen nga një shtet, viktima është një tjetër dhe paratë e vjedhura qëndrojnë në një shtet të tretë, si mund të zgjidhësh një krim kur çdo shtet ka ligjet e tij tërësisht të ndryshme? Kjo është edhe pyetja thelbësore dhe arritja e javës së kaluar tregon se forcat shtetërore të rendit sapo kanë filluar t'i japin një përgjigje. Kështu që herën tjetër kur hakerat rusë të kapen duke vjedhur miliona nga llogaritë amerikane, ndoshta FBI do të jetë ende duke ndjekur dhe duke kapur kukullat e parave.

 

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

 

Posted via email from Shkupi Press extra